Ndërlidhjet

logo-print

WP: “BE-ja ballafaqohet me probleme, derisa euroja shënon rënie”


“Washington Post”

Për Evropën, rreziku i vërtetë do të vijë. Nëse rënia e euros përshpejtohet, investitorët mund të fillojnë ta vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e asaj që konsiderohej eksperimenti më ambicioz monetar në botë, kur u fut në përdorim 11 vjet më parë.

Mund të ketë edhe trysni për t’i larguar anëtarët e Eurozonës, nëse ata nuk mund t’i menaxhojnë financat e tyre me rregull, edhe pse aktualisht nuk ka asnjë mekanizëm për ta bërë këtë.

“Nuk ka ende garanci se euroja mund ta marrë veten e paprekur nga kjo krizë”, ka thënë Jane Foley, ekspert nga Londra.

Rënia e euros është nxitur nga frika se problemet me të cilat përballet aktualisht Greqia, me borxhin e saj në rritje, do të përhapen në vendet e tjera në rajon, përfshirë Spanjën dhe Portugalinë.

Për t’i lehtësuar këto frika dhe për ta përkrahur euron, javën e kaluar, Bashkimi Evropian krijoi një fond prej 1 mijë miliardë dollarësh, për t’i ndihmuar qeveritë që të përballen me mungesat buxhetore.

Megjithatë, plani i shpëtimit është i kushtëzuar në Greqi dhe në vende të tjera me rënie të shpenzimeve qeveritare. Duke bërë kështu, mund t’u ndihmohet atyre që t’i mbyllin mangësitë buxhetore, por ka gjasë që të ngadalësohet rritja ekonomike, si dhe të shkaktohen rritje të papunësisë.

Disa analistë kanë shqetësime se shkurtimet e reja mund ta kthejnë rajonin në recesion, duke shkaktuar një rënie të vazhdueshme të euros.

Në anën tjetër, nëse vendet në krizë dështojnë të bëjnë shkurtime të dhimbshme - duke marrë parasysh presionin e publikut dhe të sindikalistëve - rënia e euros mund të jetë edhe më e keqe.

Vendet, përfshirë Greqinë, ka gjasa të detyrohen që të mos i paguajnë investitorët, duke i goditur bankat tashmë të trazuara dhe fondet e pensioneve, veçanërisht në Gjermani dhe në Francë, që kanë pjesën më të madhe të borxheve të tyre.

Pasojat mund të nxisin një tjetër krizë bankare, si ajo që është parë pas kolapsit të “Lehman Brothers” në fund të vitit 2008, por këtë herë e përqendruar në Evropë.

Vlera e monedhës është një reflektim i fuqisë dhe kredibilitetit të vendit - në rastin e euros, të vendeve që e përdorin atë. Një nga problemet më të mëdha të monedhës mbetet debalanci i gjerë brenda Eurozonës.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të dielen, pranoi se fondi prej 1 mijë miliardë dollarësh ka blerë vetëm kohën e rajonit, për t’i harmonizuar dallimet, sidomos kur është fjala për deficitet e qeverisë.

Megjithatë, dallimet ndërkombëtare nuk do të jenë të lehta, për shkak se ka mosmarrëveshje të gjerë rreth aftësisë së Bashkimit Evropian për t’i zbatuar kufizimet fiskale.

Javën e kaluar, pasi organi ekzekutiv i BE-së sugjeroi që qeveritë t’i dorëzojnë buxhetet e tyre nacionale për shqyrtim, disa prej figurave kryesore politike franceze protestuan menjëherë, duke thënë se një procedurë e tillë do të ishte antikushtetuese. Edhe politikanë nga vende të tjera evropiane shprehën ankesa të ngjashme.

Një nga problemet më të mëdha për vendet si Greqia e Spanja është forca relative e euros krahasuar me monedhën e tyre kombëtare, tashmë të vdekur - një çarje kjo që i ka bërë eksportet e tyre shumë më pak konkurruese. (v.t.)
XS
SM
MD
LG