Ndërlidhjet

Një fillim i jashtëzakonshëm


Nick Clegg dhe David Cameron
Nick Clegg dhe David Cameron

Duket e jashtëzakonshme se çka mund të arrijnë njerëzit, kur ata zgjedhin të veprojnë me përgjegjësi. Politika britanike posa e tregoi një shembull të këtillë të fuqishëm.


Duke mos humbur kohë

Më 6 maj, britanikët dolën në votime në zgjedhjet e përgjithshme. Të nesërmen, ishte e qartë se asnjë parti nuk do ta kishte shumicën në Parlamentin me 650 vende.

Konservatorët do të jenë grupi më i madh me 306 vende, partia e dytë do të jetë ajo Laburiste me 258 mandate dhe në vendin e tretë mbeten liberalë-demokratët me 57 vende. Kishte edhe disa grupe më të vogla të partive rajonale me vende deputetësh në përbërjen e re të Parlamentit.

Lideri i Partisë Konservatore, David Cameron, u ballafaqua me mundësinë e përpjekjes për formimin e qeverisë së pakicës apo koalicon të ndërlikuar me partitë rajonale. Asnjëra nga këto mundësi nuk premtonte stabilitet.

Koalicioni me laburistët ose liberalë-demokratët do të krijonte një shumicë të fuqishme për qeverisje, por britanikët nuk kanë pasur qeveri të koalicionit prej vitit 1945 dhe atë nuk e konsiderojnë si diçka normale.

Megjithatë, zoti Cameron dhe lideri i liberalë-demokratëve, Nick Clegg, vepruan shpejt dhe me përgjegjësi, në interes kombëtar. Ata e dinin se çfarë mundësish dhe opsionesh kishin dhe nuk humbën kohë lidhur me këtë çështje të rëndësishme, që i bashkonte dhe i ndante të dy partitë e tyre.

Së shpejti, ata e krijuan marrëveshjen për koalicion dhe bllokun votues prej 365 anëtarëve të Parlamentit.

Më 11 maj, Mbretëresha zyrtarisht kërkoi nga lideri David Cameron ta formojë qeverinë si kryeministër. Pas dy ditësh, kabineti u takua për të parën herë... vetëm një javë nga dita e zgjedhjeve!

Duke pasur qeveri stabile, është e rëndësishme pasi autoriteti legjislativ dhe ekzekutiv janë të bashkuar në mënyrë efektive në sistemin britanik, që historikisht ishte i njohur si “sekret efiçent” i rendit kushtetues britanik.

Qeveria mund të detyrohet të tërhiqet me votë parlamentare, apo kryeministri mund të kërkojë shpërndarjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja kurdo që ai të dëshirojë, megjithëqë ai këtë duhet ta bëjë së paku çdo pesë vjet.

Por, esencialisht, qeveria stabile, me shumicë parlamentare, është e sigurt për pesë vjet, së paku në teori.


Ballafaqimi me punën

Liderët Cameron dhe Clegg me të shpejtë i zgjodhën çështjet e rëndësishme për kabinetin e tyre prej 18 konservarotësh dhe 5 liberalë-demokratësh. Çështja qendrore për liberalë-demokratët – dhe çmimi i tyre për bashkim në koalicion – ishte ndryshimi në sistemin zgjedhor.

Hapat e parë do të ndërmerren së shpejti drejt reformës elektorale, që synon ndryshimin e sistemit ekzistues nga varianti që fituesi e merr gjithë pushtetin në secilin distrikt zgjedhor e deri në diçka që më tepër i përngjan përfaqësimit proporcional.

Sistemi aktual favorizon pushtetin dypartiak të konservatorëve dhe laburistëve, ndërsa partia më e vogël, liberalë-demokratët, insistuan që përfaqësimi proporcional të paraqitej duke u dhënë atyre më tepër vende në Parlament.

Zoti Cameron e dinte shumë mirë se ky ishte çmimi që duhet ta paguante për koalicion stabil dhe ai e pagoi atë pa humbur kohë.

Liberalë-demokratët po ashtu duket se e arritën dëshirën e tyre për reformë, e cila do ta fiksonte mandatin e Parlamentit në vetëm pesë vjet, pa zgjedhje të parakohshme, me përjashtim në rastin kur qeveria e humb votëbesimin në çështje madhore.

Në shkëmbim, liberalë-demokratët është dashur të pajtohen për një kufizim vjetor të imigrimit dhe për një linjë më të fortë ndaj BE-së. Por, ata po ashtu e dinin mirë se duhej paguar një çmim për të qenë pjesë e qeverisë së re dhe ata e paguan atë.

Të dyja partitë e dinin se zvogëlimi i deficit të shpenzimeve të qeverisë dhe përmirësimi i ekonomisë duhet të jenë në krye të listës së prioriteteve të tyre dhe mbledhja e parë e kabinetit u fokusua në këto çështjue.

Ministrat u pajtuan për zvogëlimin prej 5% të pagesës së tyre dhe ngrirje 5-vjeçare të pagesës. Taksat e reja po ashtu duket se nuk janë larg. Deficiti buxhetor qëndron në afro 12% të GDP-së, që është i ngjashëm me atë të Greqisë.

Kur të shpallet buxheti i ri më 20 qershor, mund të presim shkurtime në afro 6 miliardë euro.

Qeveria e re posa e ka filluar punën e saj. Ka probleme të mëdha përpara, që nuk do të jenë të lehta, për faktin se ky është një kabinet shumë i ri (sipas sandardeve britanike), me pak ministra me përvojë. Pra, përjashtim bëjnë Kenneth Clarke në Drejtësi dhe William Hague në Zyrën e Jashtme.

Zoti Hague është konservator parimor me një skepticizëm të shëndoshë ndaj BE-së. Ai mund të pritet se do të shtrojë pyetje të ashpra nëse Berlini dhe Parisi përpiqen për të marrë më tepër autoritet për burokratët e pazgjedhur në Bruksel nga shtetet anëtare, me qeveritë e tyre të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Ish-kryeministrja, Margaret Thatcher (1979 – 90) i kishte lavdëruar kualitetet udhëheqëse të zotit Hague, kur ai ishte bërë lideri i konservatorëve në vitin 1997.

Kur zoti Cameron ishte lider opozitar, ai e tërhoqi Partinë Konservatore në Britani, nga bashkëpunimi me Partinë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian. Argumentimi i tij ishte se EPP demokristiane ishte e përkushtuar për një Evropë federale nën subordinimin e Brukselit, e jo si partneritet i shteteve.

Cameron po ashtu dëshironte referendum për Marrëveshjen e Lisbonës, të cilën kritikët e shohin si hap të mëtejmë drejt një shteti evropian federal, që udhëhiqet nga zyrtarët e pazgjedhur.


Modeli që duhet të ndiqet?

Sjellja me përgjegjësi e liderëve politikë britanikë meriton të admirohet dhe të lavdërohet. Këtu nuk mendohet vetëm në liderët Cameron dhe Clegg, por po ashtu edhe në ish-kryeministrin Gordon Braun, i cili e diti se humbi dhe u largua nga zyra në mënyrë dinjitoze.

Ai nuk u përpoq të mbetet në pushtet, të cilin tashmë e humbi.

Për fat të keq, ka shumë shembuj të sjelljes më pak përgjegjëse në mbarë botën. Në vendin tim, në Shtetet e Bashkuara, ku po thuajse çdo herë kur presidenti përpiqet ta emërojë zyrtarin e kabinetit, gjyqtarin apo ambasadorin, duhet të bëjë një luftë partiake me anëtarët e opozitës në Kongres. Siç thoshte Mao Ce Duni, “politika është në komandë”, e jo ndjenjë patriotike e detyrës.

Në Gjermani, kemi parë që guvernatorët shtetërorë, që kishin humbur, luftuan me javë për të mbetur në zyrë, megjithëqë ishte e qartë për çdonjërin se zgjedhësit kishin votuar për ndryshime.

Në Shqipëri, një bojkot opozitar po ndodh për disa muaj dhe nuk shihet përfundimi i tij. Në Meksikë, opozita për një kohë të gjatë është përpjekur për ta ndalur jetën publike në kryeqytet, pasi kandidati opozitar humbi në zgjedhjet presidenciale në vitin 2006.

Me gjasë, rasti më i rëndësishëm, që paraqet kontrast me sjelljen e liderëve britanikë, Cameron dhe Clegg, është ai me luftën e fshehtë politike të presidentit francez, Nicolas Sarkozy, dhe i të tjerëve, që janë të angazhuar në garën dramatike të autoritetit, lidhur me të ardhmen e euro-grupit.

* * *

Patrick MOORE ka shkruar për zhvillimet në Ballkan për më shumë se 35 vjet. Ai ka qenë edhe analist i Radios Evropa e Lirë nga viti 1977 deri më 2008.

Lexoni edhe këto: Autogoli i Serbisë
Jeta normale në një vend normal
Politika dyfytyrëshe
Biznes apo politikë?
Tri pyetje për euron




XS
SM
MD
LG