Ndërlidhjet

Ndërsa mundësia e bisedimeve për çështje praktike mes Kosovës e Serbisë po ngrihet dhe në instancat e larta ndërkombëtare, në Prishtinë mbizotëron qëndrimi që dialogu me Beogradin t’i përfshijë vetëm çështjet teknike, por kurrsesi statusin e kufijtë.



Si politikanët, ashtu edhe analistët parashohin bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit. Por, vihet në dyshim rezultati që do të prodhojnë ato, duke marrë parasysh jo vetëm qëndrimet diametralisht të kundërta rreth statusit, por edhe përvojën që kosovarët kishin me serbët në negociatat e Vjenës.

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, pjesëmarrës në bisedimet e Vjenës, konsideron se zgjidhjet e problemeve janë vështirë të besueshme. Por, ai mendon se Kosova duhet ta shprehë gatishmërinë për bisedime.

“Është vështirë të besohet, por nuk duhet t’i ikim dialogut për çështje teknike. E kemi obligim ndaj qytetarëve, ndaj familjeve të të zhdukurve. Shumë përgjigje janë në Beograd dhe ne duhet t’i kërkojmë nga ta. Është vështirë të besohet se mund të arrihet ndonjë zgjidhje, por ne duhet t’i vazhdojmë përpjekjet tona dhe duhet të dëshmojmë se jemi shtet dhe si shtet jemi faktor konstruktiv”, thotë Çeku.

Është komuniteti ndërkombëtar ai që po i shtyn dy kryeqytetet që të ulen në tryezën e bisedimeve, për të zgjidhur shumë probleme mes dy vendeve, por duke lënë anash problemet politike.

Analisti Leon Malazogu thotë se është në interes të të dyja vendeve të zgjidhen problemet, për t’ua lehtëusar kështu jetën qytetarëve. Megjithatë, Malazogu dyshon se edhe çështjet teknike do të politizohen.

“Është në interes të Beogradit që t’i zgjidhë këto probleme. Kuptohet, do të ketë tentativa që të përdoren për qëllime politike, por, në fund të fundit, është në interes të Beogradit që t’i lërë këto, pa marrë parsasysh nëse mund të bëjë progres në front politik apo jo”, thotë Malazogu.

Bisedimet me ndërmjetës ndërkombëtar mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të reja. Ndër më të rëndësishmet kanë qenë ato në Rambuje (Francë) në vitin 1999, të cilat u mbyllën pa rezultat, për shkak të kundërshtimeve të palës serbe.

Ngjashëm ndodhi edhe me negociatat për statusin e Kosovës, të mbajtura në Vjenë, të cilat u mbyllën në 2007-ën, po ashtu pa marrëveshje mes dy palëve.

Megjithëse përvoja dëshmon këtë, kreu i Partisë Social-Demokrate, Agim Çeku, sërish beson se duhet dhënë shansin bisedimeve. Por, ai i sugjeron Prishtinës që t’i kushtëzojë bisedimet.

“Duhet të jemi shumë, shumë të kujdesshëm që të mos futemi në temat e statusit, apo të pavarësisë së Kosovës, apo të kufijve të Kosovës. Për kufijtë janë dy vija të kuqe që nuk bën t’i shkelë askush dhe nuk ka mandat t’i shkelë – pavarësia dhe kufijtë. Për gjithçka tjetër duhet të bisedohet, por jo për këto”, thekson Çeku.

Ndërsa nuk është caktuar data zyrtare e bisedimeve për çështje teknike, analisti Leon Malazogu mendon se vjeshta e këtij viti mund t’i ulë të dyja palët në tryezën e bisedimeve.

“Në ndërkohë do ta kemi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe mendoj se do të kemi bisedime këtë vjeshtë apo vonë në vitin 2010”, thotë Malazogu.

Autoritetet kosovare kanë potencuar se me Serbinë mund të bisedojnë vetëm për çështje teknike, por jo edhe për statusin. Këtë qëndrim e ka bërë të qartë edhe në seancën e djeshme të Këshillit të Sigurimit, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.

Por, në anën tjetër, homologu i tij serb, Vuk Jeremiq, ka theksuar se Qeveria e Serbisë kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, sipas tij, duhet të ketë bisedime të reja për statusin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG