Ndërlidhjet

KS: SHBA-të paraqesin propozim rezolutën për Iranin



Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur në Këshillin e Sigurimit propozim rezolutën rreth Iranit. Dokumenti parasheh sanksione shtesë ndaj Iranit për shkak të refuzimit të Teheranit që t’i japë fund programeve për pasurimin e uraniumit.

Zyrtarët thanë se propozimi ka mbështetjen e të pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit, që kanë dhe të drejtë vetoje. Shtetet e Bashkuara presin që rezoluta të marrë nëntë votat e nevojshme për tu miratuar.

Propozim rezoluta, që kërkon vendosjen e rrethit të katërt të sanksioneve ndaj Iranit, ka si cak masat kundër Gardës Revolucionare të Iranit.

Suzan Rajs, ambasadorja amerikane në OKB, theksoi se dokumenti synon t’i japë më shumë fuqi sanksioneve ekzistuese.

“Propozim rezoluta synon të mbështesë dhe jo të zëvendësojë përpjekjet tona për tu përfshirë në rrugë diplomatike me Iranin. Kemi thënë gjatë gjithë këtij procesi se dera mbetet e hapur për Iranin që të përmbushë detyrimet dhe të krijojë marrëdhënie më të mira me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Rajs.

Dokumenti u paraqit vetëm një ditë pasi Irani Turqia e Brazili deklaruan se kanë arritur një ujdi, që është parë si përpjekje për të mënjanuar sanksionet e reja. Sipas paktit në fjalë Irani do të dërgojë jashtë uraniumin e pasuruar në shkëmbim të karburantit bërthamor, që duhet për rekatorin e kërkimeve mjekësore.
XS
SM
MD
LG