Ndërlidhjet

logo-print
Trafikimi me fëmijë në Kosovë ka shënuar rënie krahasuar me vitet e kaluara, edhe pse kjo dukuri është ende e pranishme.

Autoritetеt kompetente pohojnë se vetëm gjatë këtij viti janë indetifikuar gjashtë raste të trafikimit të fëmijëve, ku katër prej tyre janë të gjinisë femërore, të shfrytëzuar për qëllime seksuale, ndërsa dy të tjerë janë detyruar të punojnë.

Arben Paçarizi, drejtor i Departamentit kundër trafikimit me qenie njerëzore, tregon shkaqet kryesore që nxisin trafikimin e fëmijëve:

“Procedurat në identifikimin, strehimin dhe marrejn e masave të tjera të sigurisë së tyre, janë të rregulluara nga Departamenti kundër trafikimit. Arsyet pse ndodhin janë zakonisht kushtet socio-ekonomike dhe një pjesë e tyre ka mungesë të kujdesit prindëror. Vajzave u premtohet një punë në qytet dhe kështu vjen deri te trafikimi i fëmijëve”.


Në pesë vjetët e parë të pasluftës, Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, pati thënë se më shumë se 100 fëmijë kanë qenë viktima të trafikimit, të cilëve u është ofruar asistencë nga organizata të ndryshme.

Fatmir Xhelili, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, këtë fenomen e konsideron si kompleks, edhe pse, siç thotë ai, organet komptenete kanë përgatitur infrastrukturë të majftueshme për parandalimin e kësaj dukurie.

“Ne kemi një strategji të posaçme kundër trafikimit me fëmijë dhe njëherësh kemi objektivat e caktuara me plan të veprimit, që të zvogëlohet kjo dukuri, por edhe për mbrojtjen e tyre, që me metoda të rehabilitimit të riintegrohen në shoqëri, me metoda edukativo-arsimore, varësisht nga grupmoshat që kanë”
, thotë Xhelili.

Problem tjetër në këtë fushë, sipas tij, është edhe mungesa e një ligji, i cili do të siguronte që autoritetet shtetërore ta marrin të drejtën prindërore, në rastet kur përcaktohet përgjegjësia e prindërve.

“Ne nuk e kemi të rregulluar me ligj që ta marrim të drejtën prindërore, sikur që e kanë vendet evropiane. Shpresoj që në të ardhmen të rregullohet edhe kjo çështje dhe shteti të kujdeset për fëmijët, të cilët prindërit i detyrojnë të dalin në rrugë dhe të merren me punë të rënda e deri në trafikim në mënyra të ndryshme”,
thotë Xhelili.

Zëvendësministri Xhelili thotë se në kuadër të institucioneve, nëpër strukturat e arsimit, janë vënë në qarkullim mekanizma për të ngritur nivelin e përballjes me rrezikun nga trafikimi.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG