Ndërlidhjet

Regjistri civil, pastaj pasaportat biometrike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Komisioni Evropian i ka kërkuar Kosovës që të mos fillojë lëshimin e pasaportave biometrike, para se të jetë avancuar regjistri civil i Kosovës. Përfaqësues të Qeverisë së vendit thonë se ky proces mund të zgjasë disa muaj dhe se, paralelisht me zhvillimin e tij, do të ketë rritje të angazhimit edhe në disa fusha të tjera, të cilat figurojnë në listën e kritereve për liberalizim vizash me BE-në.


Qeveria e Kosovës duket se ka vendosur të përshpejtojë dinamikën rreth përmbushjes së një varg kriteresh për liberalizim vizash me Bashkimin Evropian.

Autoritetet në Kosovë thonë se përgjatë javëve dhe muajve të ardhshëm, institucionet vendore do t’i përkushtohen intensivisht avancimit të regjistrit civil, krijimit të legjislacionit për riatdhesimin e personave të kthyer nga vendet e ndryshme të BE-së dhe zbatimit të strategjisë për riintegrimin e këtyre personave.

Përmbushja e këtyre kritereve ishte kërkuar përmes Raportit të fundit të Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, shpreh bindjen se strategjia për riintegrimin e personave të ripranuar nga vendet e BE-së do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës.

“Edhe kjo do të kalojë në mbledhjen e ardhshme. Kështu që, sa i përket legjislacionit - pakos legjislative e shumë përgatitjeve, ne jemi në një dinamikë të duhur”.

“Ne i kemi bërë edhe kalkulimet buxhetore. Fillimisht është kalkuluar me një shumë prej mbi 20 milionë. Tash mendohet se mund të përmbushet kjo me, përafërsisht rreth 2-3 milionë”,
njofton Rexhepi.

Prishtina zyrtare, deri më tani, ka nënshkruar marrëveshje për riatdhesim me pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Bëhet e ditur se marrëveshje të tilla tashmë janë konkretizuar edhe me Danimarkën e Norvegjinë dhe se tani ka mbetur të aranzhohet data e nënshkrimit të tyre.

Eksperti për çështje të integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se përveç nënshkrimit të marrëveshjeve për riatdhesim me vendet e BE-së, do të jetë i domosdoshëm zbatimi i strategjisë për riintegrimin e shtetasve të kthyer kosovarë.

Për ta ilustruar këtë, Muharremi merr si shembull kthimin e një kosovari nga Gjermania.

“Gjermania, në këtë rast, duhet të sigurohet që institucionet e Kosovës e marrin këtë qytetar, ngrenë kapacitetet e tij dhe bëjnë çkado që duhet të bëhet që ai të integrohet dhe të mos ketë arsye të emigrojë në Gjermani. Andaj, po flasim këtu për zhvillimin socio-ekonomik, ku çdokush e di se kërkon bukur shumë investime”,
shpjegon Muharremi.

Zbatimi i legjislacionit adekuat për riatdhesimin dhe riintegrimin e personave të ripranuar nga BE-ja, rritja e sigurisë së kufijve, menaxhimi i regjistrit civil dhe i lëshimit të dokumenteve, përmenden si parakushte për nisjen e dialogut për liberalizim vizash dhe marrjen e një udhërrëfyesi zyrtar për këtë proces nga ana e BE-së.

Mirëpo, ecuria e deritashme në këtë drejtim, sidomos lidhur me gjendjen në regjistrin civil, duket se nuk e ka kënaqur Komisionin Evropian.

Në fillim të këtij muaji, komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule, dhe komisionarja evropiane për çështje të brendshme, Sesilia Mastrom, përmes një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, shprehën shqetësimin e Komisionit Evropian për këtë temë.

Në letrën, në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ndër të tjera theksohet:

“Jemi të shqetësuar se lëshimi i pasaportave biometrike para adresimit adekuat të çështjes së regjistrit civil, do të dëmtonte përpjekjet tona të përbashkëta për të siguruar që qytetarët e Kosovës të mund të përfitojnë së shpejti nga udhëtimi pa viza”.


Rrjedhimisht, lëshimit të pasaportave biometrike, që parashihej të fillonte deri në fund të këtij viti, duhet t’i paraprijë avancimi i regjistrit civil në Kosovë.

Ministri Rexhepi thekson se ekipi i angazhuar për përshtatjen në standarde evropiane të regjistrit ekzistues civil, mund ta kryejë punën e vet brenda më së largu 9 muajsh.

“Po, brenda afatit kohor prej 6 deri 9 muaj, mendoj se do të kryhet. Kemi edhe një përkrahje nga Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë”.

“Ata janë treguar si modeli më i mirë në rajon. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Po ashtu edhe ligji civil është në procedurë e sipër dhe sigurisht që deri atëherë do të përgatitet”,
sqaron Bajrami.

Heqja e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian për Kosovën, megjithatë, thuhet se do të marrë edhe disa vite dhe se do të varet edhe nga dinamika e përmbushjes së kritereve nga institucionet kosovare.

Në dhjetor të vitit të shkuar, tri shteteve fqinje të Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, u ishte hequr regjimi i vizave me Bashkimin Evropian.

Gjasat që Shqipëria dhe Bosnjë e Hercegovina të përfshihen në këtë proces brenda këtij viti, vlerësohet të jenë të mëdha, ndërsa Kosova po mbetet vendi i vetëm në rajon jashtë liberalizimit të vizave me BE-në.
XS
SM
MD
LG