Ndërlidhjet

NATO do t'i reduktojë trupat në Kosovë



Komandanti i NATO-s, admirali Xhejms Stavridis, tha se shpreson për reduktime të mëtejme të trupave në Kosovë këtë vit në saje të përmirësimit të gjendjes së sigurisë.

Në një konferencë në Uashington, komandanti suprem i forcave të NATO-s, admirali amerikan Xhejms Stavridis tha se situata në Ballkan “nuk është e përsosur, por po shkon në drejtim të duhur”.

“Unë do t’i reduktoj trupat atje nga 15 mijë në 10 mijë, dhe ndoshta në 5 mijë nga fundi i vitit”, tha Stavridis.

Duke përmendur ish Jugosllavinë si shembull i suksesit të aleancës, Stavridis tha se “NATO-ja ka qenë pjesë e procesit që na ka çuar përpara” që nga koha e gjakderdhjeve në luftërat ballkanike.

Stavridis i bëri këto komente në Këshillin Atlantik, ku gjithashtu e diskutoi ardhmërinë e NATO-s, bashkë me ish sekretaren e Shtetit, Medlin Ollbrajt.
XS
SM
MD
LG