Ndërlidhjet

Mëdyshje për shkurtim të trupave


Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë

Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë

Planifikimi për reduktim të trupave në Kosovë nga NATO, pritet me mëdyshje nga ekspertë për çështje ushtarake dhe të sigurisë. Zvogëlimi i trupave deri në pesë mijë sosh, sipas tyre, nuk përkon me situatën, nëpër të cilën po kalon Kosova.


Përfaqësues të NATO-s kanë paralajmëruar për reduktim tjetër të mundshëm të trupave të KFOR-it në Kosovë. Sipas zyrtarëve të lartë të NATO-s, numri prej 10 mijë trupash, sa aktualisht shërbejnë në Kosovë, mund të zvogëlohet në 5 mijë sosh.

Këtë proces, ekspertët për çështje ushtarake dhe të sigurisë e shohin si një tranzicion gradual të kësaj force. Por, sipas tyre, zvogëlimi në 5 mijë pjesëtarë të KFOR-it, është i papërshtatshëm për situatën e sigurisë në Kosovë.

Eksperti Ramadan Qehaja konsideron se zvogëlimi në mënyre drastike i paqeruajtësve në Kosovë nuk do të ishte i mirë.

“Deklaratat e zyrtarëve të NATO-s, nganjëherë kanë konotacion më tepër politik, sesa praktik. Unë, e kuptoj mundësinë e manovrimit me forca dhe mjete, sepse për këtë NATO-ja ka mundësi”.

“Por, konsideroj se çdo tentativë që të shkohet në zvogëlim drastik të prezencës së NATO-s në Kosovë, duke pasur parasysh situatën në vend dhe deri diku në Maqedoni, atëherë mendoj se është një vendim paksa i përshpejtuar që ky numër të zvogëlohet në mënyrë drastike”,
vlerëson Qehaja.

Derisa përfaqësues të mekanizmave të sigurisë së Kosovës theksojnë se reduktimi i KFOR-it është një sinjal se në Kosovë është përmirësuar situata e sigurisë, edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, shpreh mëdyshje për reduktimin e trupave në këtë masë.

Eksperti Musliu thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pasi që autoritetet e sigurisë së Kosovës, ende nuk janë në nivel të duhur për ta ruajtur sigurinë.

“Nëse KFOR-i e redukton deri në atë numër forcën e vet, ajo do të thotë se është i përqendruar vetëm në ruajtjen e vijës kufitare të Kosovës - gjë që është hipotetike. Për mua është një numër i vogël dhe hap i ngutshëm për arsye se institucionet kosovare, sidomos Policia e Kosovës në resurse njerëzore, numerikisht është ende e mangët”.

“Ndërsa, e dyta është një pjesë e KFOR-it, e cila bën përcjelljen dhe trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila ende nuk është në nivelin garantuese e kufijve, qetësisë dhe rendit në Kosovë”
, shprehet Musliu.

Musliu shton se zvogëlimi i numrit të trupave të KFOR-it në Kosovë, mund të kuptohet edhe si sinjal që institucionet e Kosovës të punojnë më shumë në drejtim të forcimit të autoriteteve të rendit.

“Në një mënyrë, ky reduktim mund të kuptohet edhe si shtytje institucioneve të Kosovës, si dërgim sinjali, i cili na bën me dije që ne duhet të punojmë më shpejt në ngritjen e kapaciteteve tona të sigurisë”
, thekson Musliu.

Megjithatë, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se Kosova ende ka nevojë për një numër prej 10 mijë ushtarësh, sa aktualisht ka në Kosovë.

“Në bazë të kësaj situate mendoj që ky numër, që tash për tash është në Kosovë, pra 10 mijë ushtarë, duhet të mbetet edhe më tej, për shkak të detyrave që na presin për të pasur një siguri në nivel më të lartë në Kosovë dhe rajon”
, thekson Qehaja.

NATO vlerëson në vazhdimësi gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe mbi këtë bazë vendos për shkurtimin e trupave të KFOR-it. Së fundi, komandantët e NATO-s kanë deklaruar se reduktimi i mëtejmë i trupave në Kosovë, këtë vit, mund të vijë në saje të përmirësimit të gjendjes së sigurisë.

Gjeneralët e NATO-s në Uashington kanë pohuar se situata në Ballkan “nuk është e përsosur”, por, sipas tyre, "ajo po shkon në drejtim të duhur".

Përfaqësues të lartë të NATO-s kanë vlerësuar gjithashtu se FSK-ja plotëson një hendek të rëndësishëm në strukturën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë.


* * * * *
Stavridis: Në Kosovë 5.000 trupa të NATO-s


Komandanti i NATO-s, admirali Xhejms Stavridis, tha se shpreson për reduktime të mëtejme të trupave në Kosovë këtë vit në saje të përmirësimit të gjendjes së sigurisë.

Në një konferencë në Uashington, komandanti suprem i forcave të NATO-s, admirali amerikan Xhejms Stavridis tha se situata në Ballkan “nuk është e përsosur, por po shkon në drejtim të duhur”.

Duke theksuar se NATO-ja tashmë ka vendosur t’i zvoglojë trupat në Kosovë nga 15.000 në 10.000, Stavridis tha se ai “me siguri” do të rekomandojë reduktimin e mëtejmë të trupave nga fundi i vitit 2010.

Në shtator, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, shpalli se aleanca do t’u përmbahet planeve për të reduktuar forcat paqëruajtëse të KFOR-it nga 15 mijë në 10 mijë në fillim të vitit. Por admirali Stavridis tha se reduktimi do të jetë edhe më i madh.

“Unë po i reduktoj trupat atje nga 15 mijë në 10 mijë, dhe ndoshta në 5 mijë nga fundi i vitit”,
tha Stavridis.

Duke përmendur ish Jugosllavinë si shembull i suksesit të aleancës, Stavridis tha se “NATO-ja ka qenë pjesë e procesit që na ka lëvizur përpara” që nga koha e gjakderdhjeve në luftërat ballkanike, përfshirë dhe masakrën e 8.000 myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995.

Sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, NATO u ngarkua me detyrë që të mundësojë sigurinë në Kosovë pas luftës dhe bombardimeve 78 ditëshe kundër Serbisë.

Stavridis i bëri këto komente në një mbledhje në Këshillin Atlantik në Uashington, ku bashkë me ish sekretaren e Shtetit, Medlin Ollbrajt gjithashtu e diskutuan ardhmërinë e aleancës.

I pyetur rreth rëndësisë së NATO-s, Stavridis tha se rëndësia e aleancës duket “vetvetiu”, duke përmendur këtu operacionet luftarake në Afganistan, misionin paqëruajtës në Ballkan dhe përpjekjet kundër piraterisë në Bririn e Afrikës.

Por, komandanti suprem i aleancës tha se NATO-ja duhet të bëjë punë më të mirë që t’ia shpjegojë rolin e saj gjeneratës së re.

Stavridis e lëvdoi strategjinë e re të aleancës, të cilën javën e kaluar e publikoi paneli i ekspertëve, i kryesuar nga Medlin Ollbrajt.

Ai tha se pret që anëtarët e aleancës të diskutojnë mbi mënyrat se si t’u ofrohet siguria shteteve të NATO-s, në kohën kur bëhen përgatitjet për misione “të ekspeditave” në botë.(v.p.)
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG