Ndërlidhjet

logo-print

Azilkërkues apo kandidatë për trafikim?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Është rritur dukshëm interesimi i shtetasve të huaj që e vizitojnë Kosovën, por edhe i azilkërkuesve, njoftojnë autoritetet kompetente. Përderisa Qeveria e Kosovës kujdeset për ta, analistë për çështje sigurie vënë në dyshim qëndrimin e tyre.


Një numër i shtetasve të huaj kanë kërkuar azil në Republikën e Kosovës, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritarë. Kjo çështje është e rregulluar edhe me Ligjin për azilkërkuesit, i cili është miratuar vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Islam Cakaj, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se janë mbi 30 persona nga vendet e Lindjes dhe të rajonit që tashmë janë strehuar në Kosovë.

Cakaj thekson se azilkërkuesit në Kosovë, trajtohen njëjtë sikurse në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

“Këta janë qytetarë të shteteve të Lindjes dhe të rajonit, do të thotë vendeve të rajonit, të atyre shteteve që janë në kufi me Kosovën, e të cilët pretendojnë se maltretohen apo keqtrajtohen në shtetin e vet”.

“Por, të gjitha rastet merren me rezervë dhe trajtohen sipas procedurave që kemi ne. Numri i konsiderueshëm është prej vendeve të Lindjes, si Somalia, Afganistani dhe Irani”,
thotë Cakaj.

Siç shpjegon Cakaj, Ministria e Punëve të Brendshme ka obligim që të kujdeset për të gjitha gjërat që iu nevojiten këtyre personave për një jetë normale, duke përfshirë edhe një shumë simbolike të të hollave.

Gjithashtu Cakaj shton se kjo ministri ka ndërtuar edhe një qendër për azilkërkuesit, ndërsa shumë shpejt pritet të ndërtohet edhe një tjetër.

“Qendrën e azilit e kemi në dalje të Prishtinës, kjo është funksionalizuar në janar të këtij viti dhe jemi duke bërë përpjekje për rregullimin e një qendre të re azili, që do të jetë 25 kilometra larg Prishtinës”.

“Por, befasues është fakti se këta njerëz nuk pretendojnë të rrinë në Kosovë, por bëhet fjalë për një vend sigurisht më të mirë dhe më të madh se Kosova”,
thekson Cakaj.

Përveç personave që kërkojnë azil në Kosovë, është rritur dukshëm numri i shtetasve të huaj, që për arsye të ndryshme qëndrojnë në Kosovë.

Refki Morina, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës, thotë se vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti në Kosovë kanë hyrë 213 shtetas të huaj.

Morina, ndërkaq, pohon se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, interesimi i tyre është rritur.

Sipas statistikave të Policisë, në vitin 2005, në Kosovë kanë aplikuar 2,678 migrantë të huaj, përderisa në vitin 2009 kjo shifër ka shkuar në 6,688, duke përjashtuar përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

“Është një interesim më i madh për ta vizituar Kosovën, si shteti më i ri në botë. Vijnë njerëz, biznesmenë të shteteve të ndryshme perëndimore, mirëpo duhet ditur edhe qëllimin e ardhjes se tyre".


“Në qoftë se vijnë për vizitë, duhet të dihet se ku rrinë, hotelin ku vendosen. Kjo është jo vetëm për çështje të sigurisë së shtetit tonë, por edhe për çështje të sigurisë së tyre, në mënyrë që policia përafërsisht të dijë se ku janë vendosur ata persona, që në rast nevoje t’i sigurohet liria e lëvizjes sikurse çdo qytetari tjetër në Kosovë”,
shprehet Morina.

Në anën tjetër, analisti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, vë në dyshim qëndrimin e azilkërkuesve dhe shtetasve të huaj, që për arsye të ndryshme strehohen në Kosovë.

Ibishi thotë se duke marrë parasysh gjendjen e vështirë socio-ekonomike të vendit, personat e huaj Kosovën mund ta shfrytëzojnë si vend transit, për trafikim me qenie njerëzore, si dhe për çështje tjera.

“Ne, në një formë jemi si pendë e depërtimeve apo trafikimeve edhe me qenie njerëzore, në kuptim të kalimeve ilegale, gjithashtu edhe në kuptim të asaj që azilkërkuesit që vijnë nga Lindja e afërme, por edhe më larg, përmes Kosovës , faktikisht si një vend i transitit
”, vlerëson Ibishi.

Edhe Refki Morina nga Policia e Kosovës, pohon se me këta persona kanë pasur probleme, por edhe dyshime se janë të involvuar në veprime ilegale.

“Kemi pasur probleme, dyshime, por ne kemi koordinim të mirë të punëve edhe me Departamentin e krimit të organizuar, sektorin anti-terrorizëm, anti- trafikim, anti-prostitucion, anti- drogë etj”.

“Në të gjitha rastet kur dyshohet se një person është i involvuar në veprime anti- terroriste, kundër shtetit tonë, atëherë e koordinojmë punën me këto subjekte brenda policisë dhe jashtë saj”
, thotë Morina.

Ndryshe, jo rrallë herë, organet e rendit në Kosovë kanë arrestuar persona të huaj, që janë marrë me veprime ilegale, shumica prej tyre kanë qenë femra të detyruara të merren me prostitucion.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG