Ndërlidhjet

Rasmusen: Serbia të integrohet në NATO, BE


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, e inkurajoi Serbinë që të marrë në konsideratë anëtarësimin në alenacën transatlantike dhe BE, duke thënë se e ardhmja e vendeve të Ballkanit qëndron në integrimet më të gjera evropiane.

“Ne të gjithë e dimë se për arsye të kuptueshme historike, mund të ketë skpeticizëm në Serbi, sa u përket marrëdhënieve me NATO-n”, tha Rasmusen gjatë vizitës njëditore që bëri në kryeqytetin bullgar, Sofje.

“Unë do të kërkoja jo vetëm nga udhëheqja politike serbe, por nga populli serb, që të shohin nga e ardhmja, ta shqyrtojnë situatën me kujdes dhe të vijnë në konkuldimin se e ardhmja e Serbisë qëndron në integrimet në bashkësinë evro-atlantike – në NATO dhe BE”, tha Rasmusen.

Agjencitë e lajmeve thonë se opinioni publik në Serbi kundërshton fuqishëm anëtarësimin në NATO, kryesisht për shkak të fushatës bombarduese të NATO-s, në vitin 1999.

Rasmusen, i cili u bë sekretar i përgjithshëm i NATO-s në muajin gusht të vitit të kaluar, tha se misioni i tij është që “t’i shohë të gjitha vendet e Ballkanit të integruara në strukturat euro-atlantike – në NATO dhe BE”.
XS
SM
MD
LG