Ndërlidhjet

logo-print

Rasmusen: Shkurtimet në harmoni me sigurinë


Sekretar i përgjithshëm i NATO-s, gjeneral Anders Fog Rasmusen (majtas), dhe komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënant Markus Bentler (djathtas), Prishtinë, 21 maj 2010

Sekretar i përgjithshëm i NATO-s, gjeneral Anders Fog Rasmusen (majtas), dhe komandanti i KFOR-it, gjenerallejtënant Markus Bentler (djathtas), Prishtinë, 21 maj 2010

Varësisht gjendjes politike dhe asaj të sigurisë, KFOR-i mund t'i shkurtojë trupat deri në 5,700, apo deri në 2 mijë ushtarë, tha të premten në Prishtinë, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, Anders Fog Rasmusen. Ai po kryeson një delegacion të lartë të NATO-s, i cili po qëndron në Kosovë. Rasmusen i dha mbështetje vazhdimit të hetimeve nga EULEX-i ndaj rasteve të dyshuara për korrupsion.


NATO do të shkurtojë numrin e trupave në Kosovë varësisht vlerësimeve politike e ushtarake, tha të premten në Prishtinë sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, Anders Fog Rasmusen.

Ai tha se nëse situata e sigurisë është e mirë, në Kosovë mund të mbeten 5 mijë e 700 ushtarë.

Këto komente Rasmusen i bëri në Shtabin Qendror të KFOR-it në Prishtinë, ku po kryeson vizitën e një delegacioni të Këshillit të Aleancës Veri-atlantike, në përbërje të të cilit janë edhe kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Xhanpaolo di Paola, dhe komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të komandës në Napoli, admirali Mark Fitcxherald.

Me këtë rast, numri një i NATO-s, Rasmusen, paralajmëroi shkurtime tjera të trupave të KFOR-it, por ai tha se paraprakisht do të bëhet një vlerësim i gjendjes politike dhe sigurisë.

“Kemi realizuar hapin e parë, duke shkurtuar numrin e ushtarëve në 10 mijë. Hapi i dytë do të jetë shkurtimi në 5 mijë e 700 trupa, ndërsa hapi i tretë parasheh reduktimin deri në 2 mijë ushtarë. Por, dua të nënvizoj se ne ende nuk kemi vendosur që të kalojmë në hapat dy dhe tre”.

“Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se asnjë hap nuk do të ndërmerret para se të sigurohemi se situata e sigurisë e lejon një gjë të tillë
”, tha Rasmunsen.

Sidoqoftë, ai theksoi se, pavarësisht numrit të ushtarëve, NATO-ja do të jetë në Kosovë për aq kohë sa do të ketë nevojë për të.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, numri një i NATO-s foli edhe në lidhje me hetimet që EULEX-i po i bën ndaj disa zyrtarëve të lartë të Kosovës.

Ai tha se i mbështet hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar që misioni i EULEX-it është duke i zhvilluar në Kosovë.

“Mendoj se hetimet duhet të vazhdojnë. Duhet të jemi të sigurt se këto aktivitete janë të bazuara në sundimin e ligjit. Njerëzit që shkelin ligjin duhet të dalin para drejtësisë. Në fund të fundit, qytetarët e Kosovës do ta pranojnë se kjo është në dobi të së ardhmes së tyre”
, u shpreh Rasmusen, duke rikujtuar se kjo çështje megjithatë u përket, në radhë të parë, organeve hetuese dhe EULEX-it.

Rasmusen kërkoi nga qytetarët e Kosovës se duhet të mësohen edhe me hetime të ndryshme pasi, siç u shpreh ai, Kosova vetëm kështu mund të ecë përpara.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, tha se për çdo rast eventual përkeqësimi të situatës së sigurisë, KFOR-i do të jetë këtu që të reagojë.

“Ky proces duhet të kalojë në ambient të qetë dhe të sigurt. Për momentin nuk ka shenja se situata e sigurisë do të përkeqësohet nga veprimet e EULEX-it”.

“Nëse siguria rrezikohet, ne do të reagojmë, por deri tani nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë, pasi procesi është duke vazhduar në mënyrë legale”
, tha Bentler.

Rasmusen dhe Bentler dënuan sulmin që i është bërë KFOR-it ditë më parë në veri të Mitrovicës, duke e cilësuar atë si një akt individual. Pikërisht veriu i Kosovës ishte edhe caku i radhës së këtij delegacioni nga Aleanca Veri-atlantike.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG