Ndërlidhjet

KE: Reformat, pastaj zgjerimi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, ata të vendeve fqinje dhe njohës ndërkombëtar të politikave evropiane porositën Kosovën të fokusohet në përmbushjen e kritereve për integrim në BE, duke i lënë anash problemet politike.


Zhvillimi i reformave të nevojshme dhe përmbushja e kritereve për integrim në Bashkimin Evropian duhet të jenë prioritete të institucioneve kosovare, u tha në tryezën e diskutimeve që pati për qëllim të vë në sipërfaqe ndikimin e Traktatit të Lisbonës te vendet e rajonit.

Dokumenti, i cili nuk është funksionalizuar ende në tërësi, kishte hyrë në fuqi në dhjetor të vitit që shkoi, duke krijuar një varg ndryshimesh në strukturën vendimmarrëse të BE-së dhe në politikën e jashtme evropiane.

Traktati i Lisbonës thuhet se mund ta bëjë më fleksibile çështjen e marrjes së vendimit për zgjerimin e mëtejmë të Bashkimit Evropian - institucion nga radhët e të cilit shtetësinë e Kosovës e kanë pranuar 22 nga gjithsej 27 vendet anëtare.

Zëvendësudhëheqësi i zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Khaldoun Sino, tha se mosnjohja e Kosovës nga 5 shtetet anëtare të BE-së, nuk duhet të jetë shqetësimi kryesor për momentin.

“Kjo është situata, me të cilën përballemi. Sidoqoftë, kjo mund të tingëllojë provokuese për disa, por ndoshta nuk ka rëndësi për momentin - në fazën të cilën gjendet Kosova aktualisht. Edhe nëse të gjitha 27 vendet anëtare do ta kishin njohur Kosovën, dyshoj se Kosova do të ishte në një pozitë tjetër lidhur me raportet e saj me BE-në”.

“Mendoj se janë disa hapa që duhet t’i ndërmerrni dhe ndoshta nuk është momenti të shqetësoheni për pyetjet që do të shtrohen. Natyrisht se në kohën kur do të bëhet fjalë për anëtarësimin, nuk do të mund të hyni në BE pa njohjen nga të gjitha 27 vendet anëtare, por ju nuk do të hyni në BE as nesër”
, tha Sinno.

Përmbushja e kritereve të vëna nga Bashkimi Evropian, sipas këshilltares shtetërore të sekretariatit qeveritar për marrëdhënie evropiane në Maqedoni, Malinka Ristevska Jordanova, është proces që në vështrim afatgjatë i shërben forcimit të institucioneve shtetërore të vendeve që synojnë të hyjnë në BE.

“Çdo zgjerim i mëtejmë është më i vështirë dhe ne jemi në situata më të vështira. Çështja është se si t’ia bëjmë që këto vështirësi të shërbejnë për të mirën tonë. Pra, si t’ia bëjmë që nga kushtet e vëna të kemi përfitim dhe ta zhvillojmë reformën tonë, sepse në fund të fundit, më e rëndësishmja në proces është që t’i zhvillojmë reformat - reforma këto që janë për të mirën tonë”
, tha Jordanova.

Autoritetet kosovare u zotuan se, përveç komunikimit politik me Brukselin zyrtar, në krye të agjendës do ta kenë edhe, siç u tha, komunikimin teknik ndërinstitucional.

Ministri për Integrime, Besim Beqaj, theksoi rëndësinë e zhvillimit të strukturave adekuate që do ta udhëheqin projektin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Komunikimi, do të thotë edhe teknik, të cilin tani si ministri, jemi në proces e sipër për ta bërë dhe për ta krijuar në mënyrë të mirëfilltë, tregon që strukturat janë në proces e sipër për t’u ballafaquar me secilin nga këto kritere të ashpra. Ato po ashpërsohen secilën herë e më shumë për vendet, të cilat aspirojnë të hyjnë në Unionin Evropian”, theksoi Beqaj.

Tema e zgjerimit të BE-së, sipas profesorit gjerman nga Instituti për Shkencë dhe Politikë, Franz Lothar Altman, aktualisht nuk figuron në listën e temave të rëndësishme të vendeve anëtare për shkak të përvojave nga zgjerimi i fundit, krizës së fundit ekonomike e financiare në BE dhe krizës aktuale në Greqi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, sipas tij, ndikohet ndër të tjera edhe nga veprimet e Beogradit dhe Prishtinës zyrtare.

“Implikimi është që Kosova po bllokohet nga Serbia për shkak të zhvillimit në lidhje me statusin. Në anën tjetër, Kosova po e bllokon Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, sepse personalisht nuk mund të imagjinoj që Serbia të bëhet anëtare e BE-së pa e zgjidhur problemin që lidhet me çështjen e statusit të Kosovës. Ne nuk do të jemi të gatshëm të inkuadrojmë në BE një rast të ngjashëm si Qiproja”,
u shpreh profesori gjerman Altman.
XS
SM
MD
LG