Ndërlidhjet

logo-print

Krijohet qeliza e parë artificiale

  • RFE /RL

Qeliza sintetike e zhvilluar në Institutin Kreg Venter

Qeliza sintetike e zhvilluar në Institutin Kreg Venter


Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara thanë se kanë zhvilluar me sukses qelizën e parë të gjallë me material sintetik. Kjo qelizë është bërë bazuar në ADN-në e njeriut.

Shkencëtarët e Institutit Kreg Venter në afërsi të Uashingtonit, thanë se e krijuan së pari në kompjuter, për ta transplantuar më pas në një qelizë pritëse. Mikrobi i ri i krijuar duket dhe sillet si një specie e shumuar normalisht.

Kreg Venter, themeluesi dhe presidenti i Institutit ku u bë zbulimi deklaroi:

“Kjo është hera e parë që prodhohet një qelizë sintetike nga një kromozom sintetik. Kjo është një mënyrë e re se si t’i bëjmë gjërat në shkencë”
.

Venter sqaroi se kjo është një qasje ndryshe për ecurinë e mëtejshme të shkencës.

“Kjo është plotësisht një paradigmë e re për atë se si duhen bërë gjërat në shkencë. E kemi pasur si qëllim këtë drejtim për një kohë të gjatë”,
shtoi Venter.

Drejtuesi i Institutit ku u realizua eksperimenti nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes shkencave kompjuterike dhe atyre biologjike e fizike, si rrugë për t’i çuar përpara zbulimet në këtë drejtim.

“Mendoj se ky është një hap shumë i rëndësishëm në fushën e biologjisë sintetike, ku niset me informacione në kompjuter, hartohet programi i ri, e ky program përdoret për të krijuar një sistem të ri biologjik. Ky i fundit mund të ndryshohet derisa ne vazhdojmë të procedojmë”,
sqaroi Venter.

Mbështetësit e kësaj teknologjie u shprehën entuziastë dhe thanë se zbulimi i fundit mund të përdoret në të ardhmen për të prodhuar karburante apo vaksina, ose materiale, që mund të ndihmojnë për të pastruar mjedisin. Kjo u pohua dhe nga vetë Venter.

“Ne mund të prodhojmë karburant nga dyoksidi i karbonit duke përdorur energjinë diellore. Po përpiqemi të bëjmë vaksina të reja. Mendoj se do të jetë e vështirë të gjendet në të ardhmen një fushë e jetës që nuk do të preket nga kjo teknologji”,
tha Venter.

Por, përveç entuziazmit të autorëve të zbulimit dhe mbështetësve të tyre, nuk mungojnë as kritikët. Kritikët thanë se nëse kjo teknologji bie në duar të gabuara, mund të përdoret për prodhimin e armëve biologjike.

Ata shtuan se rreziku që paraqesin organizmat artificialë ende nuk është kuptuar plotësisht nga shkencëtarët.

Venter sqaroi se gjatë kohës që punohej me këtë projekt, janë informuar rregullisht politikanët, agjencitë rregullatore dhe ekspertët në fushën e etikës.

XS
SM
MD
LG