Ndërlidhjet

Ivanoviq: Askush nuk mendon seriozisht për ndarje


Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën

”Ndarja do të shihej si përfundimtare dhe në jug të lumit Ibër do të mbetej shumica e banorëve serbë dhe objektet historike e kulturore serbe”, tha sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovë, Oliver Ivanoviq.








RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ivanoviq, tashmë po flitet për bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës për çështje praktike, të cilat do të duhej të fillonin pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Marrë parasysh se Prishtina e Beogradi kanë qëndrime të kundërta, ku mendoni se do të çojnë këto bisedime?

OLIVER IVANOVIQ

Para së gjithash, është e rëndësishme që të dy palët ta kuptojnë nevojën e zhvillimit të bisedimeve. Më pastaj do të flitet shumë më lehtë për thelbin, për rendin e ditës. Tensioni politik që ekziston për shkak të qëndrimit të shqiptarëve të Kosovës, se Kosova është e pavarur dhe qëndrimi i fuqishëm i Serbisë se Serbia nuk heq dorë nga Kosova, shkakton tension politik, i cili edhe do të vazhdojë.

Nën këto kushte nuk ka bisedime për stabilitet. Menjëherë do të ndryshohet teza dhe do të flitet për politikë, në vend se të flitet për sundimin e ligjit, për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Pra, nuk bisedohet për arsim, apo temat tjera që janë kryesore.

Për këtë arsye mendoj se edhe njëra edhe pala tjetër, pra edhe pala serbe, edhe shqiptarët e Kosovës duhet të kuptojnë se nevoja për t’u ulur dhe për të biseduar është e madhe.

Kur të kuptohet kjo nevojë, atëherë është lehtë të bisedohet për rendin e ditës. Mendoj se kjo do të ndodhë shpejt, pas dhënies së mendimit të GJND-së. E, pas kësaj, do të ketë mirëkuptim për pjesëmarrjen e të dy palëve për të diskutuar të gjitha çështjet që janë të hapura, e çështje e hapur është edhe statusi, edhe çështjet teknike.

RADIO EVROPA E LIRË

Si mendoni se mund të përafrohen qëndrimet?

OLIVER IVANOVIQ

Historia tregon se në situata të tilla duhet nisur me temat, të cilat menjëherë mund të diskutohen. Por, në raportet tona të ndërsjella, gjithçka është politike dhe gjithçka lidhet për statusin. Ne mund ta pranojmë ose jo, por herët a vonë do të vijë koha kur të flitet se si do të definohet territori, për të cilin flasin të dy palët - Kosova. A është Kosova pjesë e Serbisë, a është e pavarur dhe këtu dalim në një konfrontim serioz. Kështu që mund të evitojmë fjalën status, por ajo që është në thelb të bisedimeve, sigurisht se është statusi.

RADIO EVROPA E LIRË

Në qarqe të ndryshme flitet se Beogradi synon ndarjen e Kosovës. Por, ndërkohë, edhe vetë serbët e Kosovës janë kundër kësaj ideje. Cili, në fakt, është qëllimi përfundimtar i Beogradit?

OLIVER IVANOVIQ

Jam i sigurt se në Beograd askush nuk mendon seriozisht për ndarjen e Kosovës, sepse ndarja do të definohej si çështje përfundimtare dhe në këtë rast në pjesën jugore, në jug të lumit Ibër do të mbetej një shumicë e banorëve serbë, ndërsa objektet historike e kulturore serbe gjenden në jug të lumit Ibër.

Ndarja e pjesës veriore nuk do të ishte zgjidhja. Ajo do të nxiste tensione serioze mes serbëve dhe shqiptarëve dhe nuk do të mbetej pa ndonjë konflikt me veprim të kufizuar. Jam i sigurt se konsekuencat ndaj Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës do të ishin të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ivanoviq, Serbia synon integrimin në BE, ndërsa një nga kushtet është bashkëpunimi rajonal. Por, ky bashkëpunim po ngec, siç shihet edhe në takimet rajonale. Si do ta kapërceni këtë problem?

OLIVER IVANOVIQ

Është me rëndësi që këto takime rajonale të kuptohen si takime ku mund të flitet për tema që janë me rëndësi për jetën e përditshme. Kështu që këto takime nuk duhet të politizohen, ashtu siç po bëjnë shqiptarët e Kosovës, të cilët në vazhdimësi insistojnë që të paraqiten si palë e barabartë me shtetet tjera.

Ata nuk janë të barabartë, nuk mund të jenë të barabartë. Me UNMIK-un mund të jenë plotësisht të barabartë, por nuk mund të paraqiten si të pavarur në këto takime rajonale. Domethënë nëse është çështje interesi ekonomik, e ai është mbi të gjitha, atëherë duhet lënë anash romantizmat dhe dëshirat që në secilin vend ta promovojnë Kosovën e pavarur.

Qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë se Serbia nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i saj. Kështu që CEFTA, organizata rajonale për energjetikë, marrëveshjet e ardhshme për transport varen nga shqiptarët, nëse ata duan të jenë pragmatikë.

RADIO EVROPA E LIRË

Ju keni kandiduar për kryetar të komunës së re të Mitrovicës veriore, në zgjedhjet e shpallura nga Serbia, e të cilat institucionet e Kosovës i konsiderojnë jolegale. Si do të funksiononi?

OLIVER IVANOVIQ

Nuk e besoj se kjo paraqet ndonjë pengesë të madhe, sepse për veriun është krejt një - u pranuan apo jo këto institucione, sepse me këto institucione duhet drejtpërdrejt apo tërthorazi të diskutohet. Kështu që ata që zgjedhen nga populli në këto zgjedhje, do të kenë legjitimitet të plotë edhe juridik edhe politik dhe mendoj se nuk është e kontestueshme që në emër të popullit që e përfaqësojnë, të ndërmarrin hapat përkatës.

Mendoj se duhet të ulen tensionet, sepse bisedimet mes shqiptarëve dhe serbëve gjithmonë janë shumë emotive, me plot emocione. Unë mendoj se për këtë çështje duhet të mendojmë mbi interesin e përbashkët. Interesi i përbashkët është që të ketë qetësim të situatës, që së bashku të angazhohemi, nëse duhet secili për vete, kundër krimit të organizuar e korrupsionit, për gjyqësi të pavarur, për infrastrukturë më të mirë dhe për përmirësimin e arsimit.

Këto janë projekte që mund të ndihmohen edhe nga BE-ja. Nëse gjendja mbetet kështu, atëherë edhe Bashkimi Evropian mund t’i çojë duart nga ky rajon dhe kjo nuk është në të mirë të askujt.

RADIO EVROPA E LIRË

Megjithatë, zgjedhjet e 30 majit, i kanë quajtur ilegale edhe strukturat ndërkombëtare, si EULEX-i e ICO-ja. Çfarë mendoni për këtë?

OLIVER IVANOVIQ

Për popullin këtu nuk është fare relevante se çka do të thonë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Ata që nuk e kundërshtuan pavarësinë e Kosovës si një akt plotësisht ilegal, nuk kanë të drejtë t’i kundërshtojnë zgjedhjet lokale që populli dëshiron t’i organizojë, sepse nuk dëshiron t’i pranojë institucionet tjera.

Është e sigurt se shumica e serbëve duan të kenë lidhje të forta me Serbinë. Për këtë arsye mendoj se këto do të jenë zgjedhje masive ku do të dalë një numër i konsiderueshëm i njerëzve, që do ta zgjedhin njerëzit e duhur. Ndërsa, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkëpunojë dhe komunikojë me përfaqësuesit e popullit.

RADIO EVROPA E LIRË

Qeveria dhe ICO-ja po përgatiten për zgjedhjet në veri, pra për krijimin e komunës së Mitrovicës veriore. Keni konsideruar të kandidoni për kryetar komune edhe në këto zgjedhje?

OLIVER IVANOVIQ

Zgjedhjet tona janë më 30 maj dhe ato janë të rëndësishme nga aspekti politik, simbolik e praktik. Në aspektin praktik është me rëndësi që të forcohen strukturat në pjesën veriore dhe në veri të Mitrovicës dhe që në krye të qytetit të vendosen njerëzit, të cilët mund të sjellin jetë më të mirë për qytetarët e rëndomtë.

Në aspektin politik është me rëndësi që të kufizohet hapësira e manovrimit të përfaqësuesve të institucioneve të përkohshme të Prishtinë, apo edhe të Piter Feithit dhe cilitdo tjetër.
XS
SM
MD
LG