Ndërlidhjet

Të riatdhesuarit, një problem më shumë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kushtet për riatdhesimin e kosovarëve me status të parregulluar në vendet perëndimore ende nuk janë përmbushur, pavarësisht se kjo është një nga kushtet bazë për liberalizimin e vizave, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës. Sipas tyre, kthimi i kësaj kategorie të njerëzve do të nxirrte në pah edhe një problem social më shumë, ndërkohë që qeveria nuk është plotësisht e gatshme të ballafaqohet me këtë problem.


Institucionet kosovare janë duke punuar vazhdimisht për krijimin e kushteve për riatdhesimin e kosovarëve që jetojnë në vende të Bashkimit Evropian.

Riatdhesimi i kosovarëve me status të parregulluar në vendet perëndimore, është ndër kushtet bazë për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian.

Kosova tashmë ka nënshkruar disa marrëveshje me shtetet evropiane, në të cilat jetojnë qindra-mijëra kosovarë. Por, pavarësisht kësaj, ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se në Kosovë ende nuk janë krijuar kushtet për riatdhesimin e kosovarëve.

Eksperti Ibrahim Rexhepi thotë se çdo person i kthyer dhe i papunë, është një problem më tepër në Kosovë, sepse institucionet qeveritare nuk kanë krijuar ambient për punësim, pasi nuk kanë hartuar strategji të punësimit.

“Është fjala për një kategori të njerëzve, të cilët nuk e kanë rregulluar statusin jashtë Kosovës, e ata janë potencial i kthimit, e më e keqja do të ishte se me këtë kthim do të dobësohej diaspora, e cila është me ndikim në krijimin e një mirëqenie sociale në Kosovë”
, shprehet Rexhepi.

Edhe Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovë, pohon se procesi i riatdhesimit nuk do të jetë i lehtë, për shkak të kushteve socio-ekonomike që ekzistojnë në Kosovë.

“Nuk do të jetë e lehtë duke marrë parasysh indikatorët socialë-ekonomikë në Kosovë; përmendim këtu papunësinë dhe në këtë drejtim kjo vetëm e shton problematikën”.

“Nuk konsiderohet se ende jemi të gatshëm, për shkak se përveç riatdhesimit, Komisioni Evropian dhe institucionet ndërkombëtare kanë kërkuar strategji dhe aktivitete të qarta dhe konkrete në drejtim të ri-integrimit të këtyre personave”
, thekson Rukiqi.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë thonë se vazhdimisht janë duke bërë përpjekje që personave të kthyer t’u sigurohet strehim i qëndrueshëm, por edhe kushte për ri-integrim në jetën socio-ekonomike.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, megjithatë thotë se vështirësitë për këtë proces ekzistojnë, për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.

“Në këtë pozitë dhe me këtë buxhet, ne nuk jemi plotësisht të gatshëm që të ballafaqohemi me këtë problem. Sidoqoftë, gjithë çka kemi mundësi në ministri, me të gjitha aktet dhe veprimet ligjore, ne bëjmë për qytetarët. Por, teknikisht, vetëm një javë pas kthimit në Kosovë, ne kemi obligim ligjor që të merremi me këta persona”,
sqaron Rashiq.

Por, Berat Rukiqi vlerëson se nëse institucionet kosovare e menaxhojnë mirë këtë proces, atëherë personat e kthyer mund të përdoren si aset i rëndësishëm në Kosovë.

“Duke konsideruar se diaspora ka një aset shtesë, për shkak se ka një eksperiencë ndërkombëtare, shumë prej tyre kanë aftësi dhe shkathtësi të caktuara, si dhe njohuri të gjuhëve, ata mund të shfrytëzohen në projekte dhe aktivitete të caktuara”.

“Mirëpo, nevojitet një strategji e qartë dhe në këtë drejtim duhet të punohet sa më shpejt, pasi ky është kushti kryesor edhe për liberalizim të vizave”,
vlerëson Rukiqi.

Sipas autoriteteve kompetente, procesi i riatdhesimit të kosovarëve pritet të finalizohet në fund të këtij viti.
XS
SM
MD
LG