Ndërlidhjet

Ahmeti: Nuk dalim nga Qeveria


Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një takim me ambasadorin amerikan në Shkup, Filip Riker, ka thënë se braktisja e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE-në, shkon në dëm të shqiptarëve, por edhe maqedonasve. Ahmeti ka shtuar se mënyra më e mirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura është dialogu. Nga ana tjetër, ambasadori Riker i ka sugjeruar Qeverisë që të përshpejtojë gjetjen e zgjidhjes për emrin.


Largimi i Bashkimit Demokratik për Integrim nga Qeveria nuk do të jetë sukses për shqiptarët, e as për maqedonasit, ka deklaruar kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filip Riker.

Ahmeti ka konstatuar se partia e tij nuk do të jetë pjesë e krijimit të krizave, por pjesë e zgjidhjes së tyre.

“Nuk mendojmë që është zgjidhje braktisja e institucioneve, por me rrugë institucionale të arrijmë t’i mbyllim dhe t’i zgjidhim problemet. Unë shtroj pyetje para jush nëse BDI-ja braktis institucionet, ku do të shkojë? Do të shpallë grevë urie para institucioneve, do të dalë në rrugë apo do të shkojë në shtëpi?!”
, është shprehur Ahmeti.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se çështjet e hapura duhet të zgjidhen përmes dialogut politik.

“Ne pretendojmë të jemi anëtarë të NATO-s dhe me probleme të brendshme të pazgjidhura, sigurisht që ka një hezitim edhe nga NATO-ja që nuk do të ketë në familjen e saj vende, të cilat trashëgojnë probleme të pazgjidhura”.

“Nuk kam ndonjë instrument për matjen e vullnetit, por mendoj që është më se e nevojshme që të gjitha palët të mendojnë në mënyrë konstruktive dhe të punojmë në drejtim të zgjidhjes së çështjeve”
, ka theksuar Ahmeti.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës porositi Qeverinë që të përshpejtojë zgjidhjen e çështjes së emrit, që vendi sa më parë të integrohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Ka vullnet te të dyja palët, kjo pas ndikimit të zotit Filip Gordon, ndërsa Greqia ka kryeministër relativisht të ri, i cili deklaroi që është serioz që kjo çështje të lëvizë përpara”.

“Nëse Maqedonia ka vullnet, në të njëjtën kohë duhet të vazhdoni si shtet që të punoni së bashku, lidhur me dialogun ndëretnik politik dhe jo të bllokoheni me politika që janë shumë më të vogla nga ajo, me të cilën ballafaqoheni”,
ka deklaruar Riker.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nuk ka saktësuar se kur pritet të ketë zgjidhje lidhur me tri kërkesat që kohë më parë i shtroi partia e tij, siç janë rastet e Hagës, rasti i Sopotit dhe zgjidhja e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
XS
SM
MD
LG