Ndërlidhjet

Zgjedhjet serbe në veri sfidojnë institucionet


Mitrovica

Mitrovica

Kanë mbetur shtatë ditë para zgjedhjeve lokale në veri të Mitrovicës, të cilat i organizon Serbia. Institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare i kanë quajtur të paligjshme, por nuk do të ndërmarrin ndonjë hap për t’i penguar ato. Analistët mendojnë se autoritetet e Kosovës kanë mekanizmat për t’i penguar zgjedhjet, por ende mungon vullneti politik.


Një javë para zgjedhjeve lokale, subjektet serbe në veri të Mitrovicës kanë intensifikuar fushatën elektorale. Derisa zgjedhjet paralele serbe, sipas analistëve, sfidojnë autoritetin e Prishtinës, zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar se nuk kanë mekanizma për të vepruar në veri, për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë ditë më parë se, “sipas të gjitha gjasave, nuk do të ndërhyhet në këto zgjedhje, sepse “ende nuk e kemi përfituar mjaft në komponentin e sundimit të ligjit në atë pjesë”.

Por, analisti për qeverisjen lokale, Arben Gashi, mendon se në të vërtetë institucionet vendore dhe ndërkombëtare mund t’i pengojnë zgjedhjet paralele serbe.

“Institucionet e Kosovës kanë mekanizma ligjorë dhe të respektimit të ligjit në shtrirjen e autoritetit në territorin e Kosovës. Institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare nuk kanë arsye që të lejojnë që këto zgjedhje të mbahen në territorin e Kosovës, pasi që ato janë të paligjshme dhe rrezikojnë autoritetin e Kosovës”, thotë Gashi.

Zgjedhjet e 30 majit në veri të Mitrovicës, janë të dytat që Serbia i organizon në këtë qytet që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Edhe mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, siç është EULEX-i, i kanë cilësuar zgjedhjet serbe si jolegale. Ndërsa, Zyra Civile Ndërkombëtare, këmbëngul se punët për krijimin e komunës së Mitrovicës veriore dhe të mbajtjes së zgjedhjeve lokale sipas Planit Ahtisari, janë duke rrjedhur mirë.

Por, analisti Bardh Hamzaj është skeptik për situatën në veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe. Mbajtja e zgjedhjeve paralele serbe, sipas Hamzajt, dëshmon se edhe strategjia për integrimin e veriut, nuk po gjen zbatim.

“Mbajtja e këtyre zgjedhjeve, në esencë, flet për seriozitetin edhe të mekanizmave ndërkombëtarë, edhe të atyre vendorë, në raport me strategjinë e paralajmëruar në fillimin e këtij viti për integrimin e veriut të Kosovës”.

“Të paktën për këta muaj deri tash, e edhe këto zgjedhje, po dëshmojnë se ajo strategji ka qenë në njëfarë mënyre për përmbushje të vakumit me retorikë se po bëhet diçka, ndërsa në praktikë nuk është bërë asgjë që të ndryshohet situata”,
thekson Hamzaj.

Serbët në veri, ndryshe nga bashkëkombësit e tyre në pjesët tjera të Kosovës, kanë bojkotuar në tërësi zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të organizuara nga Prishtina zyrtare.

Kështu që, problem i pazgjidhur ka mbetur udhëheqja e komunave veriore, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Ngjashëm, të zgjedhurit e 30 majit, mund t’i sjellin telashe Prishtinës dhe ICO-s, në kohën kur të shpallen zgjedhjet e parapara me Planin Ahtisarit për krijimin e Mitrovicës veriore.

Nëse shkohet me rrugë ligjore, ky problem, sipas Arben Gashit, nuk është se nuk ka zgjidhje. Por, këtu, sipas tij, ngrihet një dilemë tjetër.

“Është shumë e thjeshtë - mungon vullneti politik dhe diplomatik, vullneti politik i palës kosovare, që të përballet me një situatë të komplikuar, siç është situata në veri; por edhe vullneti politik e diplomatik i institucioneve ndërkombëtarë të pranishme dhe jo të pranishme në Kosovë, që të merren me një çështje të ndjeshme, siç është veriu”.

“Unë mendoj se me zgjidhjen e problemit të veriut, do të zgjidheshin edhe shumë probleme si për Kosovën, komplikimet që i jep në Serbi, edhe për arenën rajonale”,
shprehet Gashi.

Opozita në Kosovë kërkon nga institucionet e Kosovës që ta zbatojnë Kushtetutën edhe në veri dhe t’i pengojnë zgjedhjet serbe.

Analisti Bardh Hamzaj thotë se në teori, autoritetet i kanë të gjithë mekanizmat, me të cilët do të shtrihej sundimi i ligjit në veri dhe të pengohej ndërhyrja e Serbisë.

Por, realiteti sipas tij, dëshmon diçka tjetër.

“Veriu është tërësisht jashtë kontrollit të institucioneve të Prishtinës, apo atyre ndërkombëtare, kështu që unë nuk pres se do të ndërmerret diçka për të penguar zgjedhjet”, vlerëson Hamzaj.

Shoqëria civile në Mitrovicë, kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve serbe në këtë qytet dhe përmes një peticioni, kërkon pengimin e tyre.

“Ne i kundërshtojmë këto zgjedhje, sepse ato e ndajnë vendin në baza etnike, popullin e Kosovës e përçajnë, kurse pakicën serbe e bëjnë edhe më të varur për Beogradin, i cili e lufton sovranitetin e Kosovës”.

“Ne, po ashtu, i bëjmë përgjegjëse për këto zgjedhje të Serbisë në Kosovë, edhe ata zyrtarë e institucione të vendit dhe ato ndërkombëtare që kanë mundësi e përgjegjësi që t’i ndalin këto zgjedhje, por duke mos ndërmarrë asgjë, nuk e bëjnë atë
”, thuhet në peticion.
XS
SM
MD
LG