Ndërlidhjet

Ahmeti: Korrupsioni nuk luftohet me fjalë


Shpend Ahmeti, drejtor ekzekutiv në Institutin për Hulumtime të Avancuara-GAP

Shpend Ahmeti, drejtor ekzekutiv në Institutin për Hulumtime të Avancuara-GAP

”Qeveria e Kosovës deri tash më tepër ka pasur strategji deklarative për ta luftuar korrupsionin dhe ngjashëm qëndron situata edhe me misionin EULEX”, thotë Shpend Ahmeti, drejtor ekzekutiv në Institutin për Hulumtime të Avancuara-GAP.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ahmeti kohëve të fundit janë shpeshtuar thirrjet e mekanizmave dhe institucioneve ndërkombëtare ndaj Qeverisë së Kosovës për ta luftuar korrupsionin. Si i shihni ju këto thirrje, por edhe veprimin e deritashëm të Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim?

SHPEND AHMETI

Mendoj se qe një kohë të gjatë, jo vetëm mekanizmat ndërkombëtar, por edhe qytetarët e Kosovës, kanë shprehur brengën e madhe që kanë për nivelin e korrupsionit në Kosovë.

Ndërsa, së fundmi, në çdo vizitë të lartë ndërkombëtare që kemi pasur, qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë edhe zyrtarë të shteteve të Bashkimit Evropian, por edhe vetë Bashkimi Evropian, e kanë potencuar si problem kryesor që ka Kosova, korrupsionin. Prandaj, edhe lufta kundër korrupsionit duhet të jetë prioritet.

Në aspektin e Qeverisë, unë mendoj që deri më tani kemi pasur më shumë një strategji deklarative, do ta kisha quajtur, me deklarata që luftohet, domethënë në kornizën ligjore është punuar më shumë. Mirëpo, ne edhe sot e dimë që nuk ka asnjë rast të ndonjë zyrtari publik të profilit të lartë, ndaj të cilit ose është ngritur akuza në Gjykatën e Kosovës për korrupsion, apo edhe është dënuar që të ketë rezultate.

Deri më tani nuk kemi parë rezultate, kemi parë aktivitete dhe deklarata, prandaj nuk do ta kisha vlerësuar shumë lart këtë nivel të gatishmërisë së Qeverisë për ta luftuar korrupsionin.

RADIO EVROPA E LIRË

A mendoni se ka krizë në sistemin e gjyqësorit në Kosovë dhe sa është e rëndë ajo, nëse ekziston?

SHPEND AHMETI

Krizë ka, ajo vazhdon qe disa vjet. Është tepër e rëndë për arsye të ndryshme, nuk mund të themi një arsye apo tjetër. Janë bërë analiza dhe studime të ndryshme mbi atë se çka po e rëndon sistemin kosovar. Për shembull, një kompani po të hyjë në një proces gjyqësor për shkak të kontratave të ndryshme, e dimë se mund t’i marrë më shumë se një vit në gjykatat tona.

Përveç kësaj, kemi probleme me numër të vogël të gjykatësve, me një nivel të ulët pagash, për të cilën ata gjithmonë ankohen. Kemi edhe raste të korrupsionit, që janë denoncuar edhe nga qytetarët, prandaj ka një numër shumë të madh problemesh, me të cilat ballafaqohen gjykatat.

Dhe, ne e dimë që në qoftë se do të funksionojë një demokraci, posaçërisht në këtë fazë të tranzicionit, sistemin gjyqësor duhet ta ketë shumë të fortë, shumë të pavarur, në mënyrë që të zhvillohet demokracia në nivelin që e duam ne. Përndryshe, nuk ka sistem të kontrollimit të fuqive, në qoftë se nuk funksionon gjykata.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Ahmeti, si i shihni veprimet e deritashme të misionit për sundimin e ligjit, EULEX, në raport me luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit?

SHPEND AHMETI

Ne i kemi kritikuar vazhdimisht. Nuk është e mundur pothuajse më shumë se dy vjet pas aprovimit të mandatit të tyre - në shkurt janë bërë dy vjet – një vit e gjysmë pas arritjes së misionit të EULEX-it, të ketë aq pak rezultate. Për aq sa e kritikova Qeverinë, e kritikoj edhe misionin EULEX –deri më tani kemi dëgjuar vetëm deklarata.

Ne e dimë se dy prej mandateve kryesore të tyre janë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, ndërsa gjithmonë na kanë thënë se po i hetojmë, mirëpo prapë nuk kemi parë rezultate. Vetëm në javët e fundit pamë atë që më shumë ishte një tregim ndoshta publik, për t’u treguar qytetarëve se ata me të vërtetë kanë ardhur që të kryejnë punë këtu dhe e bënë atë bastisje në një ministri të profilit të lartë.

Po flitet shumë për atë se si do të veprojnë, apo cilët do të jenë hapat e radhës, megjithatë ekziston frika e tërheqjes së tyre nga ky proces, për shkak të presioneve të mëdha politike që vijnë nga shtetet e tyre nga të gjitha anët.

Prandaj, për EULEX-in unë kam thënë që ndoshta para dy jave kam qenë më pak optimist, tash jam shumë më optimist, duke parë që ndoshta me të vërtetë do të ketë aksione. Mirëpo, rezultatet ende mungojnë.

RADIO EVROPA E LIRË

A nënkupton kjo se në Kosovë ndikimet politike qëndrojnë mbi ligjin?

SHPEND AHMETI
Po shpresoj se jo, por duhet t’iu vërtetohet dhe argumentohet qytetarëve se ky nuk është rasti. Ne gjithmonë po dëgjojmë se askush nuk është mbi ligjin, mirëpo kur vjen rasti te ndonjë politikan me ndikim, apo edhe kur vjen rasti i ruajtjes së stabilitetit në Kosovë, sepse bashkësia ndërkombëtare më së shumti i frikohet destabilizimit - nuk u frikohet ajo politikanëve tanë, por i frikohet asaj se çka mund të ndodhë po qe se arrestohet ndonjë ministër, nëse bie qeveria, e gjëra të tilla, të cilat bashkësia ndërkombëtare e ka pak më vështirë t’i përballojë.

Nuk e di se sa do të thotë kjo. Po mbetet të shohim. Pothuajse në çdo shtet në tranzicion po t’i shikojmë shtet e rajonit, si duket drejtësia në fund fiton dhe tregon se askush nuk është mbi ligjin. Në Kosovë mbetet të shihet. Këtu e kemi një klasë politike, e cila është shumë e fuqishme dhe do të duhet kohë që të vihet në funksion ai kontrolli i fuqive që bëhet në sistemin e gjyqësorit.

RADIO EVROPA E LIRË

Në anën tjetër, Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit ka thënë se komuniteti ndërkombëtar nuk po tregohet unik në përkrahjet që duhet t’i japë misionit EULEX, përveç tjerash edhe në angazhimin për sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Si e komentoni ju këtë çështje?

SHPEND AHMETI

Kjo është e njëjta çështje sikurse edhe me atë se sa unike është treguar bashkësia ndërkombëtare në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ka probleme dhe ajo që na dhemb neve më së shumti është Bashkimi Evropian, sepse për të gjitha shtetet tjera ne e kuptojmë se është një proces i gjatë i njohjeve dhe nuk ndodhin të gjitha brenda natës.

Neve ku po na dhemb, janë pesë shtetet e Bashkimit Evropian, që nuk na kanë njohur dhe të cilat po e pamundësojnë që BE-ja të veprojë unike në këtë rast. Së fundi, këto shtete kanë investuar në Kosovë më së shumti, jo vetëm në aspektin e parave, por edhe me kapitalin politik që e kanë.

Gjithë këto shtete të fuqishme që vihen prapa pavarësisë së Kosovës, natyrisht se kanë në interesin e tyre që shteti i Kosovës të funksionojë, sepse në fund të fundit, edhe ata kanë investuar shumë në këtë shtet që kjo të funksionojë.

Mirëpo, problemi politik, problemi sensitiv, që është vetëm një prej gjërave që po e ndan Evropën, që po i ndan disa shtete të fuqishme në atë se çka mendojnë, po reflektohet më së miri në pamundësinë e bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë diçka në veri.

Përderisa ka disa shtete të fuqishme, të cilat japin përkrahje që kontrolli të vihet edhe në veri, përderisa ka shtete që e përkrahin edhe luftimin e korrupsionit deri në fund, pa marrë parasysh se a janë ministra, a janë politikanë shumë të lartë, ka disa shtete që hezitojnë mos ta destabilizojnë Ballkanin tani, por ka edhe shtete që mendojnë se ka shumë probleme tjera nëpër botë.

Nuk e kemi tani mundësinë që edhe një herë Kosova të vijë në agjendë me konflikte, e me gjëra që mund të ndodhin. Natyrisht, të gjithë po e presin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, edhe pse pothuajse të gjithë e dinë se nuk do të ketë ndonjë mendim që do ta vendosë garën në njërën anë, ose tjetrën.

Megjithatë, si proces po presin që të përfundojë, ndoshta edhe që të marrin qëndrim më unik. Për ne është me rëndësi që Bashkimi Evropian të jetë më unik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kemi prapa, ndërsa shtetet tjera nuk kanë edhe aq shumë ndikim në Ballkan dhe në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË

A mund të pritet ndonjë përmirësim i gjendjes dhe cilat mendoni se duhet të jenë veprimet që duhet ndërmarrë?

SHPEND AHMETI

Patjetër mendoj se do të ketë ndoshta përmirësim të gjendjes, kjo për shkak se shumë shpesh ne, kosovarët, jemi populli i dytë më optimist në botë, megjithatë arsyet nuk po i dimë gati kurrë se pse jemi optimistë. Ndoshta pse njerëzit po mendojnë se më keq nuk mund të bëhet.

Mendoj se kemi pasur arritje në disa fusha, nuk duhet t’i mohojmë këto, mirëpo tani është me rëndësi që t’i marrim parasysh kritikat që na vijnë nga bashkësia ndërkombëtare. Ndoshta edhe nuk ka nevojë t’i marrim ato kritika, po ta shohim veten, të reflektojmë dhe të themi se këto tradita të këqija në qoftë se i kemi filluar, duhet të ndalen.

Mendoj se edhe klasa politike duhet të kthehet, të reflektojë dhe të shohë se cila është mënyra dhe drejtimi i duhur për Kosovën - që të vazhdojmë kështu me akuza e dyshime, me zhvillim të ulët ekonomik, me probleme politike, apo përfundimisht ne duhet të shikojmë vizionin për Evropë.

Në qoftë se duam ashtu, atëherë ka shumë punë për t’u bërë, ka shumë reforma për t’u bërë, po më me rëndësi është që të ketë përkrahje politike për sundimin e ligjit në Kosovë. Prandaj mendoj se është e paarsyeshme që asnjë politikan sot të thotë ‘jo, jo stabiliteti është më i rëndësishëm sesa karriera e një individi apo tjetri’.

Prandaj, po pres ndoshta më shumë sesa që duhet, jo vetëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga EULEX-i, por edhe nga klasa jonë politike që të veprojë në mënyrën e duhur në këtë rast.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG