Ndërlidhjet

Obama rishikon sigurinë e re kombëtare


Presidenti amerikan, Barak Obama

Presidenti amerikan, Barak Obama


Presidenti amerikan, Barak Obama, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë të vetme në botë, dhe se ai po synon bashkëpunim ndërkombëtar më të madh.

Komentet e tij në fjalimin e së shtunës në akademinë ushtarake në Uest Point, shihen si rishikim i strategjisë për siguri kombëtare, e cila pritet të shpallet javën që vjen.

Politika e re e sigurisë kombëtare është kërkuar nga çdo president amerikan, dhe fjalimi Obamës sugjeron shmangie nga politikat e paraardhësit të tij, Xhorxh Bush.

Strategjia për sigurinë kombëtare e Bushit, e shpalosur në vitin 2002, e mbronte luftën parandaluese. Strategjinë e tij, kryesisht të njëanshme, Bush e përshkroi si “internacionalizëm i veçantë amerikan”.

Në komentet e tij që lanë të kuptohet shkëputje nga doktrina e Bushit, Obama bëri thirrje për ndarje të udhëheqjes në botë.

“Barrët e këtij shekulli nuk mund të bien vetëm mbi ushtarët tanë. Ato, gjithashtu, nuk mund të bien vetëm mbi supet e Amerikës. Rivalët tanë do të donin ta shihnin Amerikën teksa humb fuqinë duke u hapur tej mase. Në të kaluarën, ne gjithmonë kemi parë si të mos veprojmë të vetme”
, tha Obama.

Presidenti e lëvdoi punën e trupave të Shteteve të Bashkuara në Irak, duke thënë se ai është krenar që misioni në Irak po merr fund këtë verë.

Sa i përket misionit aktual në Afganistan, Obama tha se konflikti atje filloi “vetëm për shkak se qytetet dhe civilët tanë u sulmuan nga ekstremistë të dhunshëm”, dhe se luftimet “vazhdojnë për shkak se komplotimi vazhdon deri në ditët tona”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara tha se bashkëpunimi në planin ndërkombëtar mund të jetë më i ndërlikuar, por pohoi se suksesi në vendet si Afganistani varet nga bashkërendimi ndërmjet shteteve.

“Po, ne i shohim qartë të metat e sistemit ndërkombëtar. Por, Amerika nuk ka korrur sukses duke u larguar nga rrjedhat e bashkëpunimit. Ne kemi pasur sukses duke i orientuar ato rrjedha në drejtim të lirisë dhe drejtësisë, në mënyrë që vendet t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe të përballen me pasojat, nëse nuk veprojnë ashtu”,
tha Obama.

Presidenti Obama, gjithashtu u zgjati dorën myslimanëve, duke e njohur kontributin e tyre në shoqërinë e Shteteve të Bashkuara dhe duke mirëpritur shërbimin e tyre në forcat e armatosura të vendit.

“Ekstremistët duan një luftë ndërmjet Amerikës dhe islamit, por myslimanët janë pjesë e jetës së shtetit tonë, përfshirë ata që shërbejnë në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara”,
tha presidenti amerikan.

Politika e re e presidentit Obama për sigurinë kombëtare pritet të shpallet javën e ardhshme. (v.p.)
XS
SM
MD
LG