Ndërlidhjet

Ivanov: Greqia - jokonstruktive rreth emrit


Presidenti Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

Presidenti Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se Greqia nuk dëshmon konstruktivitet dhe interes për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes së emrit, ndërsa pala maqedonase po i bën të gjitha përpjekjet e nevojshme në këtë drejtim.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se problematizimi i çështjes së emrit nga ana e Greqisë është veprim joserioz.

Ai tha se Maqedonia ka bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të arrihet deri te zgjidhja që do të jetë e pranueshme për të dyja palët, por pala greke nuk jep sinjale se është e përkushtuar për tejkalimin e kontestit.

“Ekziston zgjidhja, për këtë ekziston marrëveshja dypalëshe, e cila është arritur me qëllim që Greqia të mos e pengojë integrimin e Maqedonisë, megjithatë nuk kam parë se ekziston dëshirë që t'i bëhet presion Greqisë të respektojë atë që e ka firmosur”.

“Zgjidhja tjetër është që Greqia përfundimisht të pranojë realitetin se ekziston shteti Maqedoni, ekziston populli maqedonas dhe gjuha maqedonase, megjithatë ende ekzistojnë politikanë në Greqi që vazhdojnë ta shfrytëzojnë retorikën e Luftës së Ftohtë, duke krijuar frikë dhe paragjykime te popullata e tyre se ekzistimi i Maqedonisë, është rrezik për territorin e tyre”,
tha Ivanov.

Presidenti Gjorgje Ivanov theksoi se integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, është alternativa e vetme për një ardhmëri më të mirë të vendit.

“Faktikisht, e tërë shoqëria dhe institucionet tona ishin të mobilizuara që t'i zbatojmë standardet dhe vlerat që kërkoheshin nga ne. Por, me të vërtetë Greqia ka ndikuar që kemi ardhur në një gjendje që të paraqiten struktura, të cilat kërkojnë alternativa. Nuk ekzistojnë alternativa për rajonin tonë, përveç asaj që jemi përcaktuar”, theksoi Ivanov.

Ivanov sqaroi se me përfaqësuesit ndërkombëtarë zhvillohen takime dhe kontakte, por nga ana e tyre nuk ka presion të hapur, mirëpo vetëm sugjerim që të arrihet deri te zgjidhja e çështjes së emrit.

Duke u përgjigjur në pyetjen se kush e rrezikon më shumë sigurinë në Maqedoni, presidenti Ivanov tha se ato janë disa grupe të caktuara kriminale.

“Ekzistojnë individë, struktura kriminale, të cilëve nuk u përgjigjet rendi dhe sundimi i ligjit, sepse dëshirojnë të realizojnë përfitime dhe dëshirojnë të merren me aktivitete jolegale në pjesët ku nuk ekziston rendi. Kështu që, mendoj se këto kërcënime ekzistojnë dhe do të ekzistojnë”.

“Bëhet fjalë për individë dhe struktura kriminale që dëshirojnë të krijojnë pasqyrë se i tërë rajoni është në gjendje jostabile, por siç shihet, shumë shpejt u krijua uniteti. Në tërë rajonin u krijua stabiliteti i domosdoshëm për tërë Ballkanin, që t'i shfrytëzojë të mirat duke u integruar në strukturat Euro-atlantike”,
sqaroi Ivanov.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në intervistën për radion Evropa e Lirë, tha se të gjithë ata që do të tentojnë ta pengojnë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, nuk do të kenë sukses, ndërsa mendimet e ndryshme që ekzistojnë në Maqedoni rreth integrimit janë normale për një shoqëri demokratike.
XS
SM
MD
LG