Ndërlidhjet

Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë këtë vit do të jetë më i ulët për rreth katër milionë euro krahasuar me vitet paraprake, thonë zyrtarë në këtë ministri. Ky vendim është marrë nga Qeveria e Kosovës gjatë shqyrtimit të buxhetit.

Ilir Tolaj, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se shkurtimi i buxhetit është një hendikep për sistemin shëndetësor.

“Mendoj se është një hendikep për sistemin shëndetësor. Me buxhetin aktual ekzistues, (Ministria e Shëndetësisë) nuk mund të funksionojë në kushte normale dhe çdo zvogëlim do të ketë një ndikim negativ. Sferat e caktuara mendoj se është dashur të kursehen nga këto sanksionime financiare dhe këto kufizime të kërkohen diku tjetër”, thotë Tolaj.

Në anën tjetër, anëtarë të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës pohojnë se gjendja në sistemin shëndetësor është shumë e rëndë dhe për këtë arsye nuk është dashur të ndërmerret një veprim i tillë.

Rita Hajzeraj, nga ky komision, thotë se vendimi për të ulur buxhetin e kësaj ministrie, është joseriozitet i Qeverisë karshi këtij sistemi.

“Nëse e shohim gjendjen e shëndetësisë në përgjithësi, nuk jemi të kënaqur sepse nuk ndahet buxhet i mjaftueshëm për këtë resor të rëndësishëm. Këtë vit janë 4 milionë më pak se vitet paraprake dhe kjo tregon një mosseriozitet të Qeverisë sonë, edhe pse ka pasur proklamime se ky resor do të jetë i avancuar dhe i përkrahur me buxhet”.

“Ky resor është në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë dhe është një situatë jashtëzakonisht kaotike, duke pasur parasysh se, ditëve të fundit, edhe barnat esenciale mungojnë”
, deklaron Hajzeraj.

Ilir Tolaj, nga Ministria e Shëndetësisë, shpreh bindjen se vitin e ardhshëm do të jenë më këmbëngulës kur të ndahet buxheti, në mënyrë që shëndetësia të jetë në një pozitë më të privilegjuar në kuptimin e ndarjes së mjeteve plotësuese.

“Në qoftë se dëshirojmë shëndetësi të mirë, atëherë duhet të investohet në të. Me buxhetin ekzistues është vështirë të mbahet ky nivel jo i kënaqshëm, e jo të emetohet për një avancim të këtyre shërbimeve”, thotë Tolaj.

Ndërkaq, Faik Hoti, zyrtar për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se mënyra e vetme për të përballuar situatën në shëndetësi, është menaxhimi sa më efikas dhe racional i mjeteve që posedon tashmë ministria.

“Ministria do të kishte dëshirë të ketë buxhet shumë më të lartë, por këtë vit buxheti ka qenë më i shkurtër se vitet paraprake. Ministria e Shëndetësisë duhet të menaxhojë mirë me atë buxhet që ka
”, thekson Hoti.

Nga rreth 90 milionë euro, sa kishte në dispozicion për këtë vit Ministria e Shëndetësisë, 4 milionë euro do t’i shkurtohen në muajin qershor. Dy milionë euro më pak do të jenë në fushën e listës esenciale për barna, ndërkaq dy milionë euro të tjera do të prekin fusha të ndryshme të shëndetësisë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG