Ndërlidhjet

Pasojat e normave të larta të interesit


Normat e larta të interesit në kreditë e bankave komerciale në Kosovë vështirësojnë financimin dhe zhvillimin e bizneseve, vlerësojnë përfaqësuesit e bizneseve në Prishtinë dhe ekspertët e çështjeve ekonomike.



Bizneset në Kosovë nuk mund të zhvillohen pa mbështetjen financiare të bankave komerciale, por sistemi i financimit të këtyre bizneseve është tejet i shtrenjtë, për shkak të normave të larta të interesit nga kreditë e bankave, vlerësojnë përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë dhe ekspertët e çështjeve ekonomike.

Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Bizneseve, thotë se ngritja e normave të interesit nga bankat komerciale në gjithë botën, është pasojë e krizës financiare botërore, por niveli i normave të interesit në Kosovë, sipas tij, është më i larti.

“Në ato vende që ka krizë, e kanë gjetur rrugën që t’i ulin normat e interesit dhe të dalin nga kriza. Bankat në Kosovë e kanë gjetur mënyrën tjetër, që t’i ndalojnë kreditë, t’i rrisin normat e interesit dhe kështu t’i detyrojnë bizneset që të shkojnë drejt falimentimit”.

“Kjo do të thotë se bizneset gjenden në një pozitë të vështirë, duke marrë për bazë normat e larta të interesit prej 15 deri në 17 për qind të bankave, duke marrë parasysh politikat tregtare dhe fiskale jo të favorshme dhe duke u nisur nga fakti bazë se fuqia konsumuese në Kosovë për çdo ditë po varfërohet”,
thotë Shahini.

Ngjashëm vlerëson edhe Muhamet Sadiku, ekspert për çështje të ekonomisë, i cili thotë se me normat aktuale të interesit në kreditë bankare në Kosovë, është vështirë të ndërtohet konkurrenca e bizneseve.

“Këto norma janë të larta edhe në aspektin e krahasimeve rajonale dhe ndërkombëtare. Do të thotë, kapitali në Kosovë e ka çmimin më të lartë në raport me të gjitha këto zhvillime në tregun rajonal”.

“Kemi ardhur në një situatë, ku bankat janë akomoduar me norma të larta të kamatës dhe flitet që kemi sistem bankar të qëndrueshëm, ndërsa kemi biznese të dobëta. Do të thotë, i tërë sistemi bankar dhe formula e financimit të tyre janë joadekuate në raport me nevojat reale të bizneseve në Kosovë”,
thotë Sadiku.

Sipas tij, përveç normave të larta të interesit bankar, zhvillimin e bizneseve në Kosovë dhe rrjedhimisht ekonominë kosovare po e rrezikojnë edhe tatimet e larta për importimin e teknologjisë, me të cilën bizneset prodhuese e zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

Ndërsa, zoti Shahini vlerëson se normat e larta të interesit bankar në Kosovë ndaj bizneseve, tashmë kanë krijuar efektet negative.

“Vitin e kaluar, ne kemi pasur rreth një mijë biznese që janë mbyllur dhe kjo është një shqetësim për të gjithë ne. Ky është një argument se duhet të ketë reforma të mëdha në gjithë spektrin, qoftë ekonomik, qoftë atë të ndryshimeve të politikave tregtare, financiare, fiskale. Kjo do ta ndihmonte biznesin”.

“Ne kemi rënie të investimeve nga viti në vit. Ky është treguesi më i mirë se në Kosovë nuk po ndodhin ato që i dëshirojnë kosovarët dhe ato që i dëshirojnë bizneset për të krijuar vende të reja të punës”
, thotë Shahini.

Ndërkaq, zoti Sadiku thotë se bankat komerciale në Kosovë, përmes normave të larta të interesit në kredi, si dhe kritereve të forcuara për dhënien e kredive, kanë krijuar preventivë ndaj rrezikut nga kriza financiare, e cila ka goditur botën në përgjithësi.

“Bankat dëshirojnë që të jenë të sigurta, që të mund të jenë komode në ofrimin e normave të larta të kamatës. Në Kosovë, do të thotë, të gjitha bankat janë duke ndjekur një nivel të lartë të kamatave dhe shpeshherë në komunitetin e biznesit ka komente se mos ekziston ndonjë marrëveshje në mes të bankave për mbajtjen e nivelit kaq të lartë të kamatave”.

“Me këto kamata, me këtë mënyrë të financimit të bizneseve, është vështirë të ndërtohet konkurrenca e bizneseve të Kosovës”
, thekson Sadiku.

Ai thotë se Banka Qendrore në Kosovë duhet të ndikojë në rritjen e konkurrencës në sektorin bankar, në stimulimin e hyrjes së bankave të reja në sistemin bankar të Kosovës, si dhe në promovimin e zbatimit të instrumenteve të ashtuquajtura inovative financiare.

Një masë e tillë, sipas Sadikut, do ta zbehte presionin për të marrë kredi të shtrenjta në Kosovë.
XS
SM
MD
LG