Ndërlidhjet

“Nëse nuk ballafaqohemi sot me luftimin e korrupsionit, do t’ia shtojmë vuajtjet popullit të Kosovës në të ardhmen”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Nga Qeveria thonë se deklaratat e tilla janë pjesë e retorikës politike opozitare.


Kosova duhet të ballafaqohet me korrupsionin dhe vendosjen e sundimit të ligjit, nëse nuk dëshiron ta rrezikojë të ardhmen e saj, tha sot lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai tha se i gjithë lidershipi dhe spektri relevant politik duhet të jenë të gatshëm që të bashkëpunojnë me organet kompetente për luftimin e dukurive negative, pavarësisht se për cilët persona bëhet fjalë.

Haradinaj tha se të gjithë ata që dyshohet se mund të jenë të korruptuar, nuk mund të ndihen komodë dhe duhet të ballafaqohen me drejtësinë.

“Jemi të hapur për të përkrahur zbatimin e ligjit, jo për inat të dikujt, por në rast se kjo temë nuk trajtohet një herë, unë druaj se po e humbim të ardhmen tonë, të vendit e të fëmijëve tanë”.

“Më mirë një ballafaqim i sotëm, një djersitje e sotme e kujtdo qoftë, sesa një vuajtje e pandalshme për një popull. E gjendja është e tillë, që vuajtjet mund të jenë të vështira, të rënda, nëse nuk ndalet një praktikë e deritashme”,
tha Haradinaj.

Gjatë një konference për media, ai adresoi shumë kritika drejtuar Qeverisë së Kosovës për mangësi të shumta dhe mungesë të vendosjes së sundimit të ligjit.

Qeveria e Kosovës
Në reagimet e para pas deklaratave të Haradinajt, Qeveria e Kosovës tha se liderët opozitarë po përpiqen që, pa prezantuar fakte, t’i shfrytëzojnë zhvillimet e fundit në Kosovë, që të zhvillojnë fushatë politike për të ardhur në pushtet.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, tha se është Qeveria e Kosovës ajo që bashkë me EULEX-in janë marrë vesh për themelimin e task-forcës anti-korrupsion, andaj, sipas tij, institucionet janë të qëndrueshme dhe nuk ka hapësirë për opozitën që të shpresojë në zgjedhje të parakohshme.

“Kjo është në vazhdën e kërkesave joparimore për zgjedhje të parakohshme, të cilat realisht nuk janë në interesin e Kosovës dhe nuk janë të nevojshme. Të gjitha ato parti opozitare që lëshohen në një retorikë të tillë, duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se pushteti fitohet përmes votës së qytetarëve dhe jo përmes mundësive oportune të dita-ditës”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, Haradinaj tha se Kosova duhet të ballafaqohet me korrupsionin dhe se nuk sheh gatishmëri dhe vullnet te kjo Qeveri që të bashkëpunojë me organet kompetente.

Andaj, nënvizoi Haradinaj, Kosovës i duhet një monitorim i përkohshëm ndërkombëtar deri në zgjedhje, nga të cilat do të dilte një qeveri e re.

“Luftojmë për argumente për Kosovën, e jo për dëmtim të mëtejmë të argumenteve tona. Pozicioni i brendshëm i Kosovës ndikon edhe në njohjet e reja. Jemi për një monitorim të gjendjes, për një mbijetesë të gjendjes deri në zgjedhje, por jo në kompromis për temën e korrupsionit. Kjo temë duhet të zgjidhet”
, tha Haradinaj.

Krahas kritikave për mungesë të luftimit të dukurive negative, Haradinaj kritikoi Qeverinë edhe për moszbatim të Kushtetutës në veri të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG