Ndërlidhjet

SHBA-Rusi: Fillimi i ri nis dhe nga basketbolli

  • RFE /RL

Nga vizita e basketbollistëve të rinj rusë në Uashington...

Nga vizita e basketbollistëve të rinj rusë në Uashington...

Një grup të rinjsh rusë, dashamirë të basketbollit, po vizitojnë Shtetet e Bashkuara për të mësuar më shumë nga basketbolli dhe jeta amerikane. Gjatë kësaj vere, një grup notarësh amerikanë do të shkojnë në Moskë për një përvojë të ngjashme. Shkëmbimet mes dy vendeve janë pjesë e asaj që presidentët Obama e Medvedev e kanë cilsëuar si fillim të ri.



Shkëmbimet në fusha të ndryshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë datojnë që nga koha e presidentit Ajzenhauer dhe udhëheqësit sovjetik Hrushov.

Shkalla e shkëmbimeve mes artistëve, shkencëtarëve apo sportistëve të të dyja vendeve ka qenë gjatë pesë dekadave të shkuara edhe një barometër i marrëdhënieve dypalëshe.

Kjo është e vërtetë edhe sot. Tashmë që Uashingtoni e Moska janë më afër se asnjëherë më parë gjatë viteve të fundit, edhe shkëmbimet në fusha të ndryshme kanë hyrë në një fazë të re.

Këtë muaj, adoleshentë 13-15 vjeç, të gjithë të pasionuar pas basketbollit, po vizitojnë Uashingtonin. Vizitorët e rinj që vijnë nga Moska dhe Shën Petërsburgu, janë në Shtetet e Bashkuara për të parë e kuptuar nga afër jetën amerikane.

Ky është shkëmbimi i parë në kuadër të Komisionit Presidencial dypalësh, që u ngrit nga presidenti amerikan, Barak Obama, dhe homologu i tij rus, Dmitri Medvedev, gjatë takimit të tyre në Moskë, në korrik të vitit të kaluar.

Në kuadër të Komisionit janë dhjetëra komitete që mbulojnë fusha të ndryshme, nga eksplorimi i hapësirës te lufta kundër trafikut të drogës, apo nismat kulturore, siç është dhe ky grup i dashamirësve të basketbollit.

Fëmijët e pasionuar pas sportit duken si diçka e thjeshtë, por nënsekretarja e shtetit për diplomacinë publike, Xhudit MekHel, thotë se këto shkëmbime janë kyçe në fillimin e ri mes dy vendeve, fillim që u formulua gjatë vizitës së Obamës në Moskë.

“Kjo mund të jetë pjesa më e lehtë e fillimit të ri, por mendoj se është një element kyç në kuadër të qëllimeve që duam t’i përmbushim. Shpresoj që rezultati të mund të jetë i prekshëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, thotë MekHel.

MekHel mbikëqyr shkëmbimet në fushat e arsimit, kulturës dhe sportit, në kuadër të Komisionit Presidencial. Ajo thotë se rritja e nivelit të shkëmbimeve është kërkesë që ka ardhur direkt nga presidenti Obama dhe homologu i tij rus, Medvedev.

Të pasionuarit e basketbollit, që po vizitojnë Uashingtonin, nuk do t’i vizitojnë vetëm kampionatet amerikane të basketbollit për femra dhe meshkuj. Ata do të shohin shumë qendra në kryeqytetin amerikan, do të vizitojnë disa shkolla dhe do të jenë të ftuar në familje amerikane, përfshirë dhe atë të nënsekretares MekHel.

E njëjtë do të jetë edhe agjenda për amerikanët që do të vizitojnë Moskën.

“Shpresa jonë është se me ardhjen këtu, ata vijnë me mendje dhe sy të hapur për të parë një Amerikë, të cilën mund të mos e kenë njohur nga televizori, nga interneti apo filmat. Secili nga ne ka perceptimet e veta, në disa raste edhe stereotipe, por kur vete në një vend, krijon një përshtypje më të qartë se si është ky vend realisht”
, thotë MekHel.

Maria Rapota, një 15-vjeçare nga Shën Petërsburgu, thotë se ajo dhe miqtë e saj e kishin një ide për Amerikën para se të vinin, por e ka të vështirë të sjellë shembuj konkretë se çfarë dinte për Shtetet e Bashkuara.

“Ne dinim shumë, cili është kryeqyteti…hmmm... edhe që amerikanët prodhojnë armë bërthamore”,
thotë Maria, duke qeshur.

Vlladisllav Staratelev, 13-vjeçar nga Moska, është i befasuar në veçanti nga sistemet e ndryshme që ekzistojnë në SHBA dhe në Rusi në fushën e sportit.

“Ka dallime thuajse kudo. Mënyra e organizimit të sportit në Amerikë dhe në Rusi është e ndryshme. Në Rusi, fëmijët stërviten që në moshë të vogël në shkolla të specializura për sport, kurse këtu secili përgatitet në mënyrë individuale”,
thotë Vlladisllav.

MekHel sqaron se në fushën e sportit do të ketë shkëmbime vjetore të rregullta në katër-pesë vjetët e ardhshëm. Basketbolli ishte zgjedhur si shkëmbimi i parë nga vetë presidenti Obama, pasi basketbolli është sporti i tij i preferuar.

Do të ketë shkëmbime dhe në not, hokej në akull dhe volejboll plazhi. Ky i fundit është kërkuar nga pala ruse.

Ndonëse shkëmbimit në mesin e të rinjve i është dhënë një rëndësi e veçantë, shkëmbimet në fusha të ndryshme për grupmoshat e tjera do të bëhen publike brenda disa javësh. Shkëmbimet do t’i përfshijnë artet dhe shkencat shoqërore.

Fondet nga pala amerikane për këto projekte do të vijnë nga Departamenti i Shtetit dhe sektori privat. Ngjashëm do të jetë dhe për palën ruse. Megjithëse shkëmbimet e fundit janë në kuadër të Komisionit Presidencial, Mekhel thotë se ndikimi i kësaj nisme do të jetë përtej edhe mandateve të presidentëve aktualë.

“Forcimi i raporteve në nivel individual e njerëzor, lehtëson dhe forcon dhe marrëdhëniet mes dy shteteve”, thotë MekHel. (i.b.)
XS
SM
MD
LG