Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit e Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, kanë vlerësuar se ligjet e reja kundër korrupsionit, me gjithë faktin se shënojnë një përparim minimal në luftën kundër kësaj dukurie, prapëseprapë nuk ofrojnë një bazë adekuate dhe të efektshme për parandalimin e saj.

Këto komente, përfaqësuesit e kësaj organizate i kanë bërë me rastin e publikimit të një analize për ligjet që ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit.

Lorik Bajrami, nga organizata “Çohu”, numëroi disa ligje, të cilat, sipas konkludimeve të kësaj organizate, janë të mangëta dhe jo të efektshme në luftën kundër dukurive negative.

“Tri ligjet themelore, siç është ai për Agjencinë Kundër Korrupsionit, Ligji për deklarimin e pasurisë dhe Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, kanë të meta jashtëzakonisht të mëdha dhe nuk mbulojnë disa aspekte. Dhe, rrjedhimisht, këto ligje bëhen joefektive sa i përket parandalimit dhe luftimit të korrupsionit”.

“Aspekti i dytë, të cilin e kemi vërejtur në këtë kornizë, është se disa nene në këto ligje janë në konflikt direkt me kodin penal dhe me kodin e procedurës penale”
, tha Bajrami.

Bajrami tha se në Ligjin e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe në atë për deklarimin e pasurisë ekzistojnë madje disa nene, të cilat bien në konflikt me njëra-tjetrën.

“Nenet në këto ligje janë të formuluara në atë mënyrë që veç kanë filluar të interpretohen nga ana e Agjencisë në mënyrën që ata e kanë gjetur më të përshtatshme. Në Ligjin e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe në Ligjin për deklarimin e pasurisë janë disa nene, të cilat bijnë në konflikt me njëra- tjetrën”, u shpreh Bajrami.

Sipas analizës së organizatës “Çohu”, janë disa çështje, si ajo që ka të bëjë me deklarimin e rrejshëm të pasurisë apo me ushtrimin e vazhdueshëm të konfliktit të interesit, të cilat nuk penalizohen me Kodin Penal të Kosovës dhe as me ligjet e reja kundër korrupsionit.

Por, Naim Ibrahimaj, shef i Divizionit për Legjislacion dhe Edukim në Agjencinë Kundër Korrupsionit, tha të kundërtën.

“Ekzistojnë sanksione me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, tha ai.

Megjithatë, zoti Ibrahimaj tha se edhe Agjencia Kundër Korrupsionit ka evidentuar disa mangësi në legjislacionin kundër korrupsionit.

“Ne kemi të drejtë t’i kërkojmë institucionit që ta shkarkojë një zyrtar. Çka në rast se institucioni nuk e shkarkon atë zyrtar? Do të thotë, kjo është një e metë që nuk është perfshirë në ligj”, u shpreh Ibrahimaj.

Lidhur me ndëshkimin që mund të marrin zyrtarët e lartë, të cilët nuk e deklarojnë pasurinë, Ibrahimaj tha se dënimi në të holla është prej 150 deri në 500 euro.

Të pranishmit gjatë publikimit të kësaj analize vlerësuan se një numër i madh i zyrtarëve të lartë publikë uhtrojnë funksione, të cilat përbëjnë konflikte interesi dhe si të tilla do të duhej të dënoheshin.

Lexoni edhe këtë:
Ahmeti: Korrupsioni nuk luftohet me fjalë
Investitorët e huaj po ikin nga Kosova
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG