Ndërlidhjet

logo-print

Mitrovica mëson nga praktikat e qyteteve në tranzicion


Mitrovicë

Mitrovicë

Përfaqësues të qyteteve të ndryshme botërore në tranzicion, me situata të ngjashme si Mitrovica, janë tubuar në këtë qytet për të diskutuar në lidhje me përvojat e tyre për zgjidhjen e problemeve ekzistuese.



Forumi i qyteteve në tranzicion ka mbledhur në Mitrovicë mysafirë nga qytete të ndryshme të botës me situatë të ngjashme.

Aty janë mbledhur përfaqësues nga Bejruti, Belfasti, Haifa, Jerusalemi, Mostari, Nikozia e qytete të tjera. Në forum kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të komunës së Mitrovicës, përfaqësues të serbëve nga veriu si dhe organizata joqeveritare.

Lelos Dimitriades nga Nikozia, pjesa greke, tha se raste të tilla të qyteteve të ndara ka në shumë vende të botës, por Ballkani mbetet i veçantë.

“Ballkani gjithmonë ishte vend i dallimeve ndërmjet njerëzve që jetojnë aty. Kjo ndodhi, sepse ata ishin në udhëkryq”, tha Dimitriades.

Sipas tij, zgjidhjet në rastet si Mitrovica duhet kërkuar në radhë të parë nga aspekti ekonomik dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve, në mënyrë që askush të mos ndihet se ka fituar apo humbur.

“Çka ndodh nesër nëse nuk kemi ujë të pijshëm? Këtë problem duhet ta zgjidhim, si dhe shumë probleme të tjera që rëndojnë jetën e banorëve të këtushëm, pa marrë parasysh përkatësinë etnike”, tha Dimitriades.

Kurse, Mark Hamilton, nga Belfasti, tha se në qytetet e tilla si Mitrovica, zgjidhjet duhet kërkuar diku në mes dy ekstremeve, përkatësisht te pikëpamjet e atyre njerëzve që distancohen si nga njëri, apo ekstremi tjetër.

“Mendoj se shumica e njerëzve këtu dëshirojnë që gjërat të ecin në të mbarë dhe kjo është parë edhe gjatë debateve në këtë forum”,
tha Hamilton.

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, shkollave, hapja e vendeve të punës e deri te luftimi i kriminalitetit, sipas tij, do të ulnin praninë e ekstremistëve në këtë qytet të ndarë.

Sabina Neviq nga Mostari tha se autoritetet duhet të angazhohen që të gjejnë interesa, të cilat lidhin komunitetet, e jo ato që i ndajnë edhe më tepër.

“Dallimet që kemi, mendoj se duhet të na bashkojnë dhe jo ndajnë”, tha Neviq, duke marrë shembull të ngjashëm të këtyre dallimeve edhe Mostarin, si nga aspekti etnik, kulturor e fetar.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, u zotua për bashkëjetesë, kthim të qëndrueshëm të të gjithë të zhvendosurve, lëvizje të lirë dhe zhvillim ekonomik.

Ai tha se zhvillimi ekonomik do t’i ndihmojë të gjithë qytetarët, pa dallim etnik, që të krijojnë raporte më të mira mes tyre.

Po ashtu, edhe sekretari në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, tha se ekonomia është faktori kryesor që mund ta vendosë komunikimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Kurse, drejtori i këtij forumi, profesor Padraig O’Malley, e cilësoi këtë konferencë si një ngjarje historike për vetë qytetin e Mitrovicës.

“Kur është krijuar Forumi për qytetet në tranzicion, shumë pak qytete besuan se Mitrovica do të mund t’ia dalë me këtë rast. Mitrovica, jo vetëm që ia doli, por ajo i tejkaloi të gjitha pritjet. Kjo, jo vetëm që do ta vendosë këtë forum në hartë, por do ta vendosë vetë Mitrovicën në hartë gjithashtu”
, tha ai.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG