Ndërlidhjet

Feith: Pavarësia e Kosovës, fakt i pakthyeshëm

  • RFE /RL

Piter Feith

Piter Feith

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Feith, tha se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vështirë se do t’i ndryshojë përkushtimet e vendeve ndaj Kosovës. “Pavarësia e Kosovës është fakt i pakthyeshëm", tha Feith, gjatë fjalimit të tij në Institutin Amerikan për Paqe, në Uashington.



Në Ballkan ka ende punë të papërfunduar, tha shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, në fjalimin në Institutin Amerikan për Paqe.

Ai u fokusua në tri çështje për sa i përket Kosovës dhe rajonit.

“E para, gjendja aktuale në Kosovë; e dyta, sfidat që duhet të adresohen dhe, e treta, mënyra për të shkuar përpara në partneritetin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Feith.

Ai tha se deri sot, 69 vende e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Feith sqaroi se zgjidhja gjithëpërfshirëse për statusin e hartuar nga presidenti Ahtisari, e përcakton Kosovën si shtet demokratik, shumetnik dhe me të drejta të barabarta për të gjithë, i përbërë nga qytetarët e përcaktuar që të jenë ndërtues të plotë në procesin e shtet-ndërtimit.

“Përparimi i bërë në dy vjetët prej 2008-ës është indikator i rëndësishëm i përkushtimit të Kosovës ndaj vetes dhe partnerëve ndërkombëtarë”,
tha Feith, duke vlerësuar lart progresin në Kosovë.

“Rrugëtimi i Kosovës në dy vjetët e fundit, sipas meje, është i jashtëzakonshëm”
, tha shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Feith shtoi se kërkesa e Kosovës për njohje ka hasur në mirëkuptim në shumë shtete.

“Si përfaqësues ndërkombëtar, më lejoni të vërej se shumica e bashkësisë ndërkombëtare e ka përkrahur me vendosmëri kërkesën e Kosovës për njohje ndërkombëtare”, tha ai.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të japë mendim këshillëdhënës mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, para fundit të këtij viti. Por, unë parashikoj se kjo do të ndodhë shumë më herët, ndoshta nga fundi i korrikut”
, tha Feith.

Ai tha se mendimi i Gjykatës vështirë se do t’i ndryshojë përkushtimet e vendeve ndaj Kosovës. Pavarësia e Kosovës është fakt i pakthyeshëm, tha Feith.

Lidhur me strukturat paralele në veri, Feith tha se Serbia duhet të “reflektojë” për ato, në qoftë se dëshiron të afrohet më shumë në Evropë.

"Unë kam identifikuar tre linja të kuqe kur është fjala për veriun e Kosovës. E para, shmangia dhe pengimi i çfarëdo dhune. E dyta, të mos ketë ndarje të Kosovës . E treta, nuk guxojmë ta lëmë pjesën veriore të Kosovës si konflikt të ngrirë", tha kreu i ICO-së.

Ai tha se rrjedha e fondeve nga Beogradi duhet të jetë transparente, përndryshe nuk do të mund të vazhdojë.

Në pyetjen lidhur me ndarjen e mundshme të Kosovës, Feith tha se edhe në një në rast të tillë, Serbisë do t’i mbeteshin enklavat dhe monumentet historike në jug.

Nuk duhet të kapemi për ndryshime të kufijve, madje “edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk e favorizojnë këtë”, tha Piter Feith. (v.p.)
XS
SM
MD
LG