Ndërlidhjet

Independent: “Familja i thotë Tribunalit se Mlladiqi është i vdekur”



"Independent"

Familja e ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, po kërkon t’u japë fund kërkimeve të të dyshuarit për gjenocid, duke e deklaruar atë ligjërisht të vdekur.

Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës po ndjek Mlladiqin për shkak të masakrës së mbi 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Krimi i kryer nga ushtria serbe e Bosnjës në korrik të 1995-ës, mbetet mizoria më e rëndë në Evropë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Përveç akuzave për gjenocid në Srebrenicë, Mlladiq akuzohet për organizimin e rrethimit të Sarajevës, i cili mori jetën e 10,000 njerëzve dhe zgjati për 44 muaj.

Avokati Millosh Shaliq thotë se procedura për ta shpallur personin e humbur të vdekur, mund të jetë nxitur nga ndonjë i afërm, që mund të provojë se ai apo ajo ka “interes ligjor” për ta bërë këtë.

Sipas ligjit në Serbi, një person mbi 70 vjeç, për të cilin nuk dihet më se 5 vjet, mund të deklarohet zyrtarisht i vdekur, pa ndonjë vërtetim të rëndësishëm, siç mund të kërkohet zakonisht. Familjet zakonisht zgjedhin këtë opsion për të siguruar pronën.

Djali dhe bashkëshortja e Mlladiqit, që nga vitet 1990, kanë jetuar në një vilë në Banovo Bërdo, një lagje kjo e pasur e Beogradit.

Nëse Mlladiqi është gjallë, ai tani do të duhej të ishte 68 vjeç dhe familja e tij do të duhej të sillte prova që ai është zhdukur në rrethana, të cilat e bëjnë të mundshme që ai të mos jetë më në mesin e të gjallëve.

Autoritetet mbeten skeptike. Rasim Lajiq, kryetar i Këshillit Kombëtar të Serbisë për bashkëpunim me Tribunalin për Krime Lufte, me seli në Hagë, thotë se ky hap i familjes Mlladiq paraqet një “tallje me institucionet shtetërore”.

“Mijëra njerëz kanë humbur në luftëra, por askush nga familjet e tyre nuk ka kërkuar nga gjykata për t’i shpallur ata të vdekur, edhe pse mundësitë që ata të mos jenë gjallë, janë shumë më të mëdha”, thotë Lajiq.

“Familja e Mlladiqit është duke bërë këtë kërkesë pikërisht se e di që ai është i gjallë”, thotë ai.

Familja e ish-komandantit të luftës në Bosnjë pohon se ai është parë për herë të fundit shtatë vjet më parë. Por, prokurori serb për krime lufte, Vlladimir Vukçeviq, disa muaj më parë, tha se autoritetet ishin në dijeni për lëvizjet e Mlladiqit deri në tre vjet më parë dhe se Mlladiqi ishte në Serbi në vitin 2007.

Zoti Vukçeviq tha dje se ky vperim i familjes nuk do të thotë gjë dhe se “kërkimi do të vazhdojë”.

Në muajt e fundit, Serbia ka bërë një seri përpjekjesh për arrestimin e Mlladiqit, në të shumtën e rasteve duke bastisur shtëpinë e tij, në përpjekje për ta gjetur atë apo prova të aktiviteteve të tij gjatë kohës së luftës.

Javën e kaluar, Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës tha se Serbia ka dorëzuar 18 ditare të Mlladiqit nga koha e luftës, me 3,500 faqe tekst, që kanë të bëjnë me ngjarjet në mes të viteve 1991 dhe 1995, në kohën e luftërave në Kroaci dhe Bosnjë.

Ato ishin gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së tij në Beograd, në muajin shkurt.

Arrestimi i Mlladiqit mbetet një parakusht kyç për aspiratat e Beogradit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Asnjë zyrtar përkatës nga Tribunali nuk kishte ndonjë koment mbi hapin e fundit të familjes së Mlladiqit. Zëdhënësja Nerma Jelaçiq tha vetëm atë se Tribunali “nuk mund të merret me spekulime” mbi atë që ka ndërmend të bëjë familja e Mlladiqit në Serbi. (v.t.)
XS
SM
MD
LG