Ndërlidhjet

Rreth 100 mijë aktvendime presin zbatimin


Janë afro 100 mijë aktvendime që janë shpallur nga gjykatat, e që mbesin të papërmbaruara, tha ambasadori Kristofer Dell. Përfaqësuesit e drejtësisë kosovare u pajtuan se sistemi gjyqësor vazhdon të ketë mangësi.



Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, tha se realiteti në Kosovë është se sistemi i përmbarimit të aktvendimeve është në thelb i prishur.

Janë afro 100 mijë aktvendime që janë shpallur nga gjykatat, e që mbesin të papërmbaruara, tha ambasadori Dell, në një konferencë me temën “Përmbarimi i akt-gjykimeve civile”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, me këtë rast, tha se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa përforcimi i sundimit të ligjit në Kosovë.

“Sundimi i ligjit është i fuqishëm sa edhe përmbarimi i vendimeve gjyqësore. Zbatimi i akt-vendimeve civile – rezultatet e procedurave gjyqësore, ku të drejtat e qytetarëve privatë dhe të bizneseve ratifikohen dhe respektohen – është me rëndësi shumë të madhe”.

“Mos-përmbarimi i vendimeve të tij, një nga qëllimet fundamentale të shtetit – të jetë arbitër i drejtë dhe i paanshëm i kontesteve private – mbetet plotësisht i papërmbushur. Kjo, në anën tjetër, rrënon besimin e përgjithshëm në shtet, pjesërisht në gjykata, dhe dëmton rëndë cilësinë e sundimit të ligjit”,
tha Dell.

Duke ditur se ekzistojnë këto probleme, bizneset dhe qytetarët zgjedhin që të mos shfrytëzojnë gjykatat, tha ambasadori Dell.

“Një sistem i dobët dhe i çalë për përmbarimin e aktvendimeve ndikon direkt në rritjen ekonomike dhe kufizon mundësitë e qytetarëve të Kosovës për të përqendruar kapitalin, për të investuar në të ardhmen e tyre dhe për të gjetur punë. Kjo, jo vetëm që pengon kosovarët nga begatia më e madhe, por shërben për t’i bërë më pak të begatshëm”, u shpreh Dell.

Ambasadori Dell inkurajoi përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe tha se mbështet përpjekjet për të gjetur zgjidhje të realizueshme, të cilat do të rezultojnë me përparim të vërtetë dhe të matshëm, si dhe me reduktimin e numrit të aktvendimeve të mbetura të papërmbaruara.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, tha se me legjislacionin e ri për sistemin e drejtësisë, prioritet do t’i jepet edhe hartimit të Ligjit për procedurën e përmbarimit. Ai theksoi se gjendja aktuale, sa i takon zbatimit të vendimeve të gjyqësorit, është problematike.

“Ministria e Drejtësisë planifikon të hartojë një draft-ligj të veçantë mbi procedurën përmbarimore në Kosovë, që do të përmbajë risi të theksuara, të cilat do t’iu përshtaten rrethanave ekzistuese socio-politike të vendit tonë”.

“Konfrom legjislacionit të ri, organeve kompetente të përmbarimti do t’iu sigurohet mbështetja policore, në rastet kur është e nevojshme një gjë e tillë”,
tha ministri Demolli.

Edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se sistemi gjyqësor vazhdon të jetë në maje të kritikave. Sipas tij, një nga arsyet për këtë është se vendimet e gjyqtarëve nuk zbatohen në praktikë.

“Situata aktuale në Kosovë, sa i përket përmbarimeve, është mjaft delikate, duke marrë parasysh mangësitë dhe të metat që janë evidente e të shumëfishta, duke filluar nga korniza ligjore, bashkërenditja në shkallë të ulët e veprimeve me institucionet që duhet ndihmuar gjykatat”, tha Peci.

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim (USAID) vazhdimisht mbështet përpjekjet e institucioneve të Kosovës përmes programeve të ndryshme për përmirësimin e sistemin të drejtësisë.
XS
SM
MD
LG