Ndërlidhjet

Dukuria e trafikimit me qenie njerëzore vazhdon të jetë e pranishme në Kosovë, por viteve të fundit është zvogëluar numri i viktimave të huaja, ndërsa është rritur numri i viktimave kosovare, thonë autoritetet kompetente. Përderisa zyrtarë qeveritarë shprehin gatishmërinë për ta luftuar këtë dukuri, përfaqësues të organizatave joqeveritare kritikojnë sistemin e drejtësisë, lidhur me masat e dënimit për trafikantët.


Autoritetet kosovare thonë se trafikimi me qenie njerëzore është i pranishëm në tërë Kosovën, ku në 90 për qind të rasteve, viktimat shfrytëzohen për qëllime seksuale.

Sipas organeve të rendit dhe organizatave që merren me rehabilitimin e viktimave të trafikimit, që nga viti 2006 është zvogëluar dukshëm numri i viktimave të huaja, ndërkaq është rritur numri i viktimave kosovare.

Arben Paçarizi, shef i Departamentit Kundër Krimit të organizuar në Policinë e Kosovës, thotë se që nga viti 2001 e deri në vitin 2009, janë identifikuar gjithsej 572 viktima të trafikimit, 207 prej të cilave kanë qenë moldave, 137 kosovare, 56 shqiptare, 74 rumune, 46 ukrainase, ndërsa viktimat tjera kanë qenë bullgare, serbe dhe ruse.

Kurse, vetëm gjatë këtij viti janë identifikuar 15 viktima të prostitucionit.

“Kryesisht në Kosovë, forma e shfrytëzimit të viktimave, si element i fundit që e bën edhe identifikimin e tyre, është forma për shfrytëzime seksuale, ose për qëllime prostitucioni, për ç’gjë ato detyrohen, ose në forma të tjera të shantazhit, të përdorimit të kërcënimeve dhe formave të tjera”
, thotë Paçarizi.

Përkushtimi i autoriteteve kompetente për ta luftuar këtë dukuri, ka bërë që numri i viktimave të huaja të zvogëlohet dukshëm, thotë Rrahim Tërnava, zyrtar i Sekretariatit Anti-Trafikim në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Tërnava thekson se Kosova nuk është më vend transit i trafikimit.

“Me menaxhimin e integruar të kufijve që është bërë nga policia e Kosovës, hyrja e viktimave është kthyer mbrapa, sepse nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt. Kjo është arsyeja kryesore pse ka rënë numri i viktimave të huaja”.

“Arsyeja e dytë janë masat e policisë. Me ndërmarrjen e operacioneve të fshehta dhe operacioneve në terren, ka ndikuar që të bjerë numri i përgjithshëm i viktimave dhe u është vështirësuar puna trafikantëve që të veprojnë në Kosovë me viktima të huaja”,
pohon Tërnava.

Me qëllim të luftimit të kësaj dukurie, Qeveria e Kosovës, tashmë ka hartuar edhe strategjinë nacionale dhe planin e veprimit kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Në këtë strategji, sqaron Tërnava, parashihet edhe riintegrimi i viktimave, që është sfida më e madhe e autoriteteve kompetente. Sipas tij, ky proces është i vështirë, për shkak se viktima etiketohet nga shoqëria.

Megjithatë, riintegrimi parasheh arsimimin, punësimin dhe gjërat tjera të nevojshme për një jetë normale të viktimave.

“Riintegrimi i viktimave është një ndër sfidat kryesore të institucioneve të Kosovës, duke marrë parasysh se riintegrimi i një viktime është i kushtueshëm; duke marrë parasysh se mekanizmat tjerë institucionalë nuk janë të ndërtuar dhe nuk kanë përvoja të gjata në këtë proces; e po ashtu edhe vështirësitë financiare”.

“Edhe te shoqëria është një problem, sepse shoqëria nuk e kupton se viktima nuk ka faj, nëse është viktimë e trafikimit
”, thekson Tërnava.

Në anën tjetër, përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me rehabilitimin e viktimave të trafikimit, thonë se pavarësisht angazhimit të autoriteteve kompetente për luftën kundër kësaj dukurie, e metë e madhe në këtë drejtim mbetet sistemi i drejtësisë.

Naime Sherifi, nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, qendër kjo ku strehohen viktimat, thotë se dënimet për trafikuesit janë të vogla, masa këto që po lejojnë hapësirë për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

“Masat e dënimit duhet të jenë shumë më të ashpra dhe duhet të bëhet sa më transparent dënimi i tyre, sepse ne asnjë herë nuk e dimë realisht se a po dënohen apo jo”.

“Kemi pasur raste kur është dënuar pesë vite dhe pas tri ditësh kemi kuptuar që personi, i cili e ka trafikuar viktimën, që ishte në strehim në qendër, është në liri, edhe pse ishte dënuar. Ka shumë vakume ligjore që duhet të përmirësohen në këtë drejtim, sa i përket sistemit të drejtësisë”
, shprehet Sherifi.

Rastet e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë trajtohen në bazë të Nenit 139 të Kodit Penal të Kosovës, i cili dënon aktivitetin e secilit që merret me trafikimin e qenieve njerëzore, duke bartur mundësinë e dënimit me burgim prej 2 deri 12 vjet.

Anton Nokaj, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, shpjegon më shumë:

“Kemi shkuar me dënime mjaft të ashpra, kjo është një dukuri në ngjallje e sipër, por besoj se me një kujdes dhe me angazhim më të madh të të gjitha organeve të ndjekjes, do t’ia ndalim hovin kësaj dukurie”.


Ndryshe, statistikat e policisë, tregojnë se vetëm gjatë këtij viti janë arrestuar 39 persona si të dyshuar për trafikim me qenie njerëzore.

Ndërkaq, Sekretariati Anti-Trafikim ka obligim që të monitorojë edhe punën e sistemit të drejtësisë, lidhur me dënimin e trafikantëve. Sipas këtij sekretariati, vitin e kaluar janë dënuar 16 trafikantë.

Jo rrallëherë organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Departamentin Amerikan të Shtetit, në raportet për trafikimin me qenie njerëzore, i kanë rekomanduar Kosovës që në mënyrë më agresive të hetohen, ndiqen penalisht dhe dënohen ata që janë përgjegjës për trafikim të njerëzve.

Lidhur me këtë, Rrahim Tërnava, nga Ministria e Punëve Brendshme, thotë:

“Çdo kritikë e marrim dhe analizojmë, qoftë reale apo jo, sepse mendojmë se është për të mirë. Ne kemi për qëllim ta luftojmë këtë dukuri dhe nuk mund të them se nuk është gatishmëria e institucioneve, sepse dy vitet e fundit, autoritetet kompetente kanë treguar përgjegjësi shumë të mëdha”.

Ndryshe, sipas organizatave joqeveritare, në shumicën e rasteve, viktimat kosovare janë të mitura, jetojnë në viset rurale me kushte të vështira socio-ekonomike, ose këto viktima kanë përjetuar dhunë fizike në familjet e tyre.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG