Ndërlidhjet

logo-print

Rexhepi thotë se është keqinterpretuar deklarata e tij


Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka kritikuar subjektet politike në Maqedoni, se, siç ka thënë ai, kanë keqinterpretuar deklaratën e tij në lidhje me vrasjen e katër personave nga autoritetet maqedonase.

“Unë zbatoj politikë shtetërore. Unë jam përfaqësues i shtetit dhe është në interes tonë siguria në rajon, edhe këtu edhe në Maqedoni, bashkëpunimi, informimi i ndërsjellë për çështje të ndryshme. Pse duan të keqintepretojnë liderët e Maqedonisë ose shoqatat e ndryshme? Unë e di shumë mirë çka kam deklaruar dhe çka kam thënë”, ka thënë Rexhepi, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Nait Hasani, në lidhje me vizitën e tij në Maqedoni.

Hasani ka thënë se ministri Rexhepi nuk është dashur të futet në mesin e asaj situate.

Por, ministri Rexhepi, ka mbrojtur qëndrimin e tij. Ai reagimet në Maqedoni, i ka quajtur më shumë përpjekje të subjekteve politike për të gjetur një fajtor në lidhje me pamundësinë e tyre për të çuar deri në fund marrëveshjen e Ohrit.

“Atë qeveri të Maqedonisë nuk ua kemi zgjedhur ne, e kanë zgjedhur qytetarët edhe maqedonasit edhe shqiptarët, qa janë në koalicion. Për mendimin tim ato parti politike duhet të kenë një konsensus drejt zbatimit të marrëveshjes së Ohrit e më pak ta luftojnë njëra-tjetrën”, tha Rexhepi.
XS
SM
MD
LG