Ndërlidhjet

Beogradi kërkon kohë për Rashkën


Rashkë
Rashkë

Autoritetet serbe i kërkuan Kosovës kohë shtesë për të nisur ekshumimin e varrezës masive në Rashkë të Serbisë. Koha për të saktësuar vendin për nisjen e nxjerrjes së trupave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, thuhet se është e domosdoshme.



Grupet punuese për persona të pagjetur të Beogradit dhe Prishtinës zyrtare u pajtuan që, për shkak të, siç thuhet, saktësisë lidhur me lokacionin e varrezës masive të Rashkës, të zhvillojnë dhe hetime shtesë para se të nisë puna e ekshumimit të trupave shqiptarë.

Takimi i palëve vjen rreth dy javë pasi Prokuroria e Serbisë për krime lufte bëri të ditur lajmin për zbulimin e një varri masiv në jug të shtetit serb, ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet të jenë mbi 250 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Kreu i delegacionit të Kosovës, Pajazit Nushi, bëri të ditur se përveç anëtarëve të rregullt të delegacionit serb, kësaj radhe në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Prokurorisë serbe për krime lufte, ata të Prokurorisë së EULEX-it dhe përfaqësues të Gjykatës për krime lufte në Serbi.

Nushi shprehu bindjen se pas dy apo tri javësh mund të nisë hapja e varrezës dhe nxjerrja e mbetjeve mortore.

“Presim që së paku brenda dy apo tri javësh, të fillojmë intensivisht”
, tha Nushi.

Pala kosovare shpreh gatishmërinë për të realizuar kërkesën e autoriteteve beogradase duke dërguar në Serbi dëshmitarë, të cilët janë në gjendje të japin hollësi të mëtejme lidhur me vendndodhjen e saktë të varrezës masive.

Informatat e para për ekzistimin e një varreze masive në Rashkë datojnë nga viti 2007, ndërsa pas hetimeve të atëhershme, mekanizmat përgjegjës nuk patën mundur të gjejnë asgjë për shkak të gjurmimit në pjesë të gabuara të të njëjtit lokacion.

Të dhënat që flasin për 250 trupa shqiptarë në varrezën masive në Rashkë, sipas Nushit, janë relative.

“Nuk jemi të sigurt ne në Prishtinë se aty janë 250, siç kanë njoftuar institucionet e Beogradit, sepse pa u gjetur kafka e fundit e njeriut të vrarë, aty nuk mund të japim informacione se janë 250 skelete. Aty mund të jenë 500 skelete”,
theksoi Nushi.

Rëndësia për praninë e ekspertëve kosovarë gjatë procesit të hapjes së varrezës në Rashkë, u theksua disa herë në ditët e shkuara.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, bëri të ditur se është miratuar kërkesa që gjatë hapjes së varrezës, të pranishëm të jenë edhe ekspertët kosovarë dhe ata të EULEX-it.

“Ata kanë qenë të hapur sot dhe lejojnë që të jemi prezent edhe ne, edhe ekipi i EULEX-it dhe, faktikisht, do të jemi prezent prej momentit të parë e deri në përfundim të punës”,
u shpreh Gërxhaliu.

Në vitin 2001, në afërsi të Beogradit, ishte zbuluar varri më i madh masiv në Serbi, në të cilin ishin gjetur rreth 800 kufoma të shqiptarëve të Kosovës. Që nga paslufta në Kosovë mbesin të pagjetur rreth 1860 persona.
XS
SM
MD
LG