Ndërlidhjet

logo-print

Vizitat pa autorizim


Merdare (Foto arkiv)

Merdare (Foto arkiv)

Derisa Policia e Kosovës dhe misioni EULEX vazhdojnë të kenë paqartësi mes vete lidhur me përgjegjësinë për kthim prapa të zyrtarëve të paautorizuar që hyjnë në Kosovë përmes pikave kufitare 1 e 31, politikanët serbë zhvilluan aktivitete politike në veri në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të Serbisë. Mekanizmat vendorë e evropianë për siguri e kanë cilësuar si private hyrjen e këtyre politikanëve serbë në veri.


Hyrja e paautorizuar e zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës përmes pikave kufitare 1 dhe 31 duket se ka shkaktuar disa paqartësi në mes të Policisë së Kosovës dhe misionit evropian për sundimin e ligjit.

EULEX-i ditë më parë udhëzoi Policinë e Kosovës që të ndalojë hyrjen e paautorizuar të përfaqësuesve politikë të huaj në territorin e Kosovës, mirëpo zyrtarë të lartë policorë thanë se i takon EULEX-it që t’i kthejë prapa politikanët serbë që, përmes pikave kufitare në veri, hyjnë në Kosovë pa lejen e institucioneve vendore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tha se në ditët në vijim do të rishikohet mënyra e veprimit të strukturave policore dhe atyre të EULEX-it në veri.

“Në të ardhmen e afërt me siguri se do të ketë diskutime për prezencën e zyrtarëve policorë multi-etnik, që do të thotë se nuk është e nevojshme që të jenë vetëm zyrtarë nga komuniteti serb, por të ketë edhe nga komunitetet tjera në këto pika kufitare”,
u shpreh Beka, duke shtuar se për pikat kufitare 1 dhe 31 fuqinë ekzekutive e ka EULEX-i, por se edhe policia e Kosovës është e pranishme atje.

Mirëpo, për EULEX-in gjithçka është e qartë. Policia e Kosovës është ajo që, sipas përfaqësuesve të këtij misioni, ka përgjegjësi për kontrollin e pikave kufitare në veri.

Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, tha se misioni evropian në bashkëpunim me autoritetet kosovare të sigurisë është duke kryer kontrollin e zakonshëm të pikave kufitare në veri, me theks të veçantë tek eskortat e përfaqësuesve politikë.

Limdal theksoi se duhet të respektohen procedurat ekzistuese për zhvillimin e vizitave zyrtare.

“Ajo që presim është që të gjithë të marrin parasysh procedurat tashmë ekzistuese dhe parimet e marrëveshjes të vëna në vend për lehtësimin e kontakteve dhe të bashkëpunimit - si një mundësi për bashkëpunim dhe për të ofruar siguri adekuate për vizitorët që vijnë në Kosovë”
, tha Limdal.

Me linjën e re vepruese të EULEX-it lidhur me vizitat zyrtare në territorin e Kosovës, thuhet se është njoftuar edhe Beogradi zyrtar. Mirëpo, sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, mohon një gjë të tillë.

“Ky vendim i EULEX-it është rrjedhojë e presioneve të partive opozitare. Po ashtu, është edhe pjesë e frikës së EULEX-it që të mos i ashpërsojë shumë raportet me shqiptarët pas dy lloj hetimeve që po zhvillon - njëri në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe tjetri në lidhje me krimet e luftës që pjesëtarët e UÇK-së (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), i kanë ka kryer ndaj serbëve të Kosovës gjatë periudhës kohore 1998 – 1999”
, theksoi Ivanoviq.

Ditë më parë, në veri të Mitrovicës, qëndruan ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq dhe nënkryetari i parë i Partisë Demokratike të presidentit serb, Dushan Petroviq.

Autoritetet vendore e ndërkombëtare e cilësuan si private vizitën e politikanëve serbë në veri. Përndryshe, sipas tyre, do të veprohej sipas ligjit.

Mirëpo, ligji duket se nuk është zbatuar, nëse merren parasysh aktivitetet politike, të cilat i zhvilluan Bogdanoviqi dhe Petroviqi të mërkurën.

Të përcjellë nga duartrokitjet e votuesve potencialë serbë të veriut, ata përçuan mesazhe politike në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet serbe të 30 majit.

Në fjalimin e tij, ministri serb për Kosovën, Bogdanoviq, theksoi se Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova.

“Kjo qeveri, presidenti ynë, nuk do të heqin dorë asnjëherë nga synimet tona të proklamuara për ta ruajtur Kosovën në përbërje të shtetit sovran të Serbisë”
, u shpreh Bogdanoviq.

Ndërsa, nënkryetari i parë i Partisë Demokratike të Boris Tadiqit, Dushan Petroviq, foli patriotizmin e presidentit Tadiq.

“Presidenti Tadiq është president i këtij vendi që prej vitit 2004, tash e gjashtë vjet, me çdo vepër, me çdo hap dhe aksion, ka dëshmuar se kush është në fakt patriot dhe ç’do të thotë të jesh patriot, ky në fakt është patriotizëm”,
tha Petroviq.

Lexoni edhe këto: Zgjedhjet e Serbisë (s')mund të ndalen fizikisht
EULEX-i kundër hyrjeve të paautorizuara në Kosovë
Kush lejon e kush ndalon vizitat e zyrtarëve serbë?

XS
SM
MD
LG