Ndërlidhjet

AI: Vazhdon abuzimi i të drejtave të njeriut



Abuzimi i të drejtave të njeriut vazhdoi ta pllakosë botën edhe në vitin 2009 me tortura, burgosje të padrejta, sulme raciste dhe shkelje të tjera të regjistruara nga Amerika deri në Azinë Qendrore.

Ky është konkludimi i raportit vjetor të organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International, me titull “Gjendja e të Drejtave të Njeriut në Botë”. Raporti sqaron gjendjen në 159 vende të botës.

Në pjesën për Kosovën, raporti thotë se mbi 1.800 familje në Kosovë dhe Serbi ende nuk dinë gjë për fatin e më të afërmve të tyre.

Raporti i kritikon kushtet në institucionet psikiatrike e sociale, si dhe kritikon pandëshkueshmërinë dhe dështimin e UNMIK-ut për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit.

Raporti përmend edhe incidentet ndëretnike, rastet e diskriminimit të romëve dhe dhunën ndaj gruas.

Amnesty International thotë se Rusia ka treguar disa shenja të përmirësimit në vitin 2009, megjithëse Andrea Huber, zëvendësdrejtore për Evropën dhe Azinë Qendrore, thotë se zotimet kanë qenë më të mëdha.

“Kemi dëgjuar shumë zotime për të drejtat e njeriut nga presidenti Dimitri Medvedev, por, fatkeqësisht, ato nuk janë realizuar. Shqetësimi ynë kryesor mbetet gjendja në Kaukazin verior. Pandëshkueshmëria dhe mungesa e sundimit të ligjit janë shqetësime të vazhdueshme. Kemi parë zhdukje, vrasje dhe burgosje arbitrare”, thotë Huber.

Amnesty thotë se shkeljet në Rusi shkojnë përtej Kaukazit verior, me kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut, si dhe shtypje raciste.

Vitin e kaluar janë regjistruar edhe burgosje dhe gjykime të padrejta të kritikëve të Qeverisë.

Huber thotë se pengesa të ngjashme të drejtësisë ka edhe në Kaukaz dhe Azinë Qendrore.

“Për shembull, në Azerbajxhan, gazetari Ejnulla Fatullajev u akuzua për tri vepra penale, dhe kur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi se ai duhet të lirohet, kundër tij u ngrit një akuzë tjetër. Pra, jemi në situatë kur në tërë rajonin, qeveritë nuk i mbrojnë të drejtat e njeriut; përkundrazi, i godasin njerëzit e ndershëm”,
thotë Huber.

Keqtrajtimi në burg i avokatit rus, Sergei Magnitsky, bëri bujë në botë. Por, fare pak janë dokumentuar abuzimet e të burgosurve tjerë në Rusi dhe Azinë Qendrore, thotë Huber, e cila e veçon Kazakistanin si abuzuesin më të madh.

“Në të kaluarën, në Kazakistan fokusoheshim në torturën dhe keqtrajtimin. Fatkeqësisht, këto praktika janë të shpeshta, sidomos në ditët e para të paraburgimit, ku njeriu formalisht as nuk është i burgosur. Problemi është se askujt nuk mund t’i kërkohet llogari, sepse paraburgimi mund të mos jetë regjistruar fare në dokumente zyrtare”
, thotë Huber.

Raporti thekson edhe shtypjen e demonstruesve pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale në Iran.

Amnesty International thotë se liria e shprehjes ishte shtypur në një shkallë të paparë, me bllokim të rrjeteve celulare dhe internetit.

Në Pakistan, gratë ende jenë viktima të të ashtuquajturave ‘vrasje të nderit’, ndërsa në Serbi, diskriminimi kundër romëve vazhdon të mbetet i përhapur, thotë Amnesty International. (v.p.)
XS
SM
MD
LG