Ndërlidhjet

Zhvlerësimi i euros (s’)ndikon në Kosovë


Të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës nuk japin ndonjë indikator që tregon se zhvlerësimi i euros ka shënuar ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës. Ndërsa, ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se zhvlerësimi i euros nuk do të jetë edhe pa pasoja për vendin.


Në tregun e këmbimit valutor gjatë javëve të fundit, dollari ka forcuar pozitën e tij në raport me euron. Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës thonë se aktualisht nuk ka ndonjë indikator që tregon se zhvlerësimi i euros ka pasur ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Kosovës, por që një efekt i mundshëm i shfaqjes mund të jetë në tregti.

Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, jep më shumë hollësi:

“Një ndikim që zhvlerësimi euros mund të ketë në ekonominë e Kosovës është në tregti, por në formë të limituar dhe kjo varet nga shkëmbimet e mallrave dhe në llojin valutor që e përdorin gjatë shkëmbimit të mallrave”.


Zëdhënësi Kada shton se një ndikim tjetër negativ që mund të ketë rënia e euros është ngritja të çmimeve të mallrave që kryesisht vijnë nga importi.

Por, megjithatë, Kada thekson se devalvimi i euros mund të shfrytëzohet për rritjen e prodhimit të brendshëm bashkë me eksportet.

Zhvlerësim i euros ka shqetësuar ekonomistët e mbarë Evropës, por nuk përjashtohen edhe shqetësimet e ekonomistëve kosovarë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku, thotë se rënia e euros nuk mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë kosovare, por që nuk do të shpëtojë pa ndikim të pjesshëm.

“Efekti i euros më shumë është efekt ndërkontinental ose i shkëmbimit valutor të euros me vendet tjera me dollarë, me funte, apo me forma tjera të pagesës”.

“Ndërsa, në tregun brenda-evropian, euroja nuk duhet të ketë ndjerë efekt të madh, përpos largimit të investimeve të jashtme të drejtpërdrejta, jo që vijnë brenda Evropës, por që vijnë nga kontinentet tjera”,
shprehet Abdixhiku.

Ndër vendet që nuk është në eurozonë, por që përdor euron si valutë të veten, është edhe Kosova. Abdixhiku thekson se nëse do të vazhdojë kjo gjendje, atëherë Kosova dhe të gjitha vendet e eurozonës do të bëhen më pak atraktive për investimet e jashtme diskete.

“Euro është në krizë, është rënie në krahasim me dollarin. Po këtu Evropa duhet t’i shohë dy mundësi - e para është t’i rrisë eksportet se zhvlerësimi i një valute mundëson rritjen e eksporteve, dhe e dyta, është një testim për politikat euros. Një testim, i cili është bërë për herë të parë deri më tani
”, thekson Abdixhiku.

Ndërkohë, ekspertët rekomandojnë institucionet kosovare që të reagojnë dhe të fillojnë urgjentisht me reforma ekonomike që, të paktën, nëse nuk do të ketë ndikim negativ, devalvimi i euros të shfrytëzohet për të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, lidhur me krizën e euros, thotë:

“Tejet e rëndësishme është që i kushtohet shumë rëndësi deficitit buxhetor. Dhe, Kosova e ka një fat të mirë që nuk mund ta financojë deficitin buxhetor, për arsye se nuk ka politikë monetare”.

“Ndërsa, e mira e gjithë kësaj është se ka një vështrim shumë më të madh në shpenzimet buxhetore që mos të zgjerohet sektori publik jashtë aftësive dhe potencialit ekonomik që ka një vend”.


Ndryshe, në situata të tilla, vende të ndryshme të botës marrin masa dhe ndërhyjnë ne rritjen e normave bazë të interesit, intervenimi në tregun valutor përmes rezervave, por kjo sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës nuk mund të ndodhë për shkak se, siç thonë ata, këto masa dhe këto politika nuk janë të aplikueshme për BQK-në, sepse kjo e fundit nuk bën politikë monetare.
XS
SM
MD
LG