Ndërlidhjet

logo-print

Problemet në sistemin gjyqësor kanë zanafillën te vendosja e UNMIK-ut në Kosovë, thonë njohës të fushës së drejtësisë. Në mesin e shumë kritikave, ajo e fundit për gjyqësorin është mosekzekutimi i mbi 100 mijë aktvendimeve gjyqësore.


Numri i vogël i gjyqtarëve dhe prokurorëve, pagat e vogla dhe pasiguria në punë numërohen ndër arsyet kryesore që e bëjnë sistemin gjyqësor në Kosovë të brishtë, e rrjedhimisht, të marrë kritika të shpeshta nga mekanizma vendorë e ndërkombëtarë.

Reformimi i këtij sistemi thuhet se ka nisur me procesin e riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve, por kjo nuk do thotë se kanë mbaruar edhe problemet.

Janë mbi 200 mijë lëndë të natyrave të ndryshme, të grumbulluara në gjykatat gjithandej në Kosovë. Por, edhe ato që janë zgjidhur, mbi 100 mijë aktvendime të rrafshit civil, asnjëherë nuk janë përmbaruar.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, thotë se problemi daton që nga koha e UNMIK-ut.

“Ka ngecje në sistemin gjyqësor, sidomos në fushën e ekzekutimit të vendimeve civile të formës së prerë. Kjo ka ndodhur që nga fillimi i rimëkëmbjes, apo ringritjes së gjykatave, të cilat kanë qenë të shkatërruara gjatë luftës”.


“Dhe, kur unë kam qenë bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë dhe kam kërkuar që të ketë numër të mjaftueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh, mua më kanë thënë se, ‘ti do që të zgjidhësh probleme sociale, se ne shohim se nuk ka punë shumë nëpër gjykata”
, thotë Kelmendi.

Edhe ish-ministri tjetër i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, pranon se zanafilla e problemit është tek administrata e OKB-së. Por, sipas tij, tani askush nuk i ndalon institucionet që ta përmirësojnë gjendjen.

“Qeveria e Kosovës, tani si shtet i pavarur që jemi, do të duhej të investonte më shumë në reformimin e sistemit të drejtësisë, në pagat e gjyqtarëve, në sigurinë e tyre, në policinë gjyqësore, në ambientin ku ata jetojnë e punojnë dhe për trajnimin e tyre”.

“Të gjitha këto nuk janë bërë ende; po vazhdojnë të mos bëhen, sepse duket se dikujt i përgjigjet që të mos kemi një sistem drejtësie efikas”,
thekson Salihaj.

Ish-ministri nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Jonuz Salihaj, fajëson politikën se ka ndërhyrë gjithnjë në drejtësi. Ai thotë se edhe numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve do të rritej, po të lejohej pranimi i të rinjve në këtë profesion.

“Është bllokuar hyrja në sistem e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, sepse për një kohë të gjatë është bllokuar provimi i judikaturës dhe për këtë, Qeveria ka përgjegjësi të mëdha që e ka bllokuar këtë sistem”
, thotë Salihaj.

Por, ish-ministrja e Drejtësisë, partia e së cilës është në pushtet (Lidhja Demokratike e Kosovës), Nekibe Kelmendi, mohon se të mos ketë pasur provim të judikaturës. Por, sipas Kelmendit, pagat e vogla kanë shkaktuar gjendje të rëndë në gjyqësor.

“Ka pasur mjaft kandidatë që e kanë dhënë provimin e judikaturës. Mirëpo, nuk i ka joshur ajo pagë, kanë qenë dhe kushtet e punës, kushtet e pasigurisë, sepse ka ndodhur të jenë sulmuar edhe gjyqtarët. Kjo nuk i ka joshur që të përcaktohen për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit apo prokurorit”,
sqaron Kelmendi.

Kelmendi pohon se edhe ligjet që kanë qenë në fuqi, kanë shkaktuar ngatërresa, sidomos në përmbarimin e aktvendimeve gjyqësore.

Sidoqoftë, ish-ministri Salihaj thotë se deri më tani, në gjyqësor ka pasur më shumë retorikë, por jo edhe reforma të mirëfillta.

“Më e keqja është që opinionin ta mësojmë të bashkëjetojë me këtë situatë. Nuk duhet të ketë vetëm retorikë për reformë, por gjërat duhet t’i çojmë substancialisht përpara. Këtu kanë përgjegjësi të gjithë”
, shprehet Salihaj.

Gjyqësori, përveç problemeve me lëndë të pazgjidhura, apo me aktvendime të paekzekutuara, përballet edhe me kritika për korrupsion.

Në shumë hulumtime të opinionit të bëra nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, gjyqësori ka prirë si institucioni më i korruptuar.
XS
SM
MD
LG