Ndërlidhjet

logo-print

Strategjia e Obamës, ndarje nga Bushi

  • RFE /RL

Uashington

Uashington

Shtëpia e Bardhë ka bërë publike strategjinë e re të sigurisë kombëtare, që e distancon administratën e presidentit Obama nga doktrina e periudhës së Bushit për sulme parandaluese.

Startegjia e re e administratës Obama i jep rëndësi më të madhe bashkëpunimit global dhe diplomacisë, në mënyrë që të kufizohet, sa më shumë që të jetë e mundur, përdorimi i forcës ushtarake.

Dokumenti bën edhe lidhjen mes sigurisë dhe disiplinës ekonomike që duhet treguar në kohë krizash.

Çdo president amerikan duhet tа paraqesë strategjinë në fjalë dhe ky dokument është bazë për vitet që vijnë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, duke folur për strategjinë e re në Institutin Brukings, tha se dokumenti e vendos sigurinë në kuadër të një të tëre.

Hillari Klinton
“Kjo është një strategji kombëtare e sigurisë, që mbledh në një fuqinë tonë të brendshme, angazhimin ndaj sigurisë kombëtare, mbrojtjen kombëtare dhe politikën e jashtme. Në tërësi, kjo strategji është për forcimin dhe zbatimin e udhëheqjes amerikane, për t’i çuar përpara interesat tona kombëtare dhe për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta”,
tha Klinton.

Strategjia e re e largon presidentin Obama nga doktrina e luftërave parandaluese të ish-presidentit Bush. Dokumenti i administratës Obama nënvizon rëndësinë e angazhimit shumpalësh dhe rolin e diplomacisë.

Republikanët në opozitë e kanë kritikuar dokumentin, duke thënë se mosvënia e theksit të duhur te fuqia ushtarake dobëson politikat e sigurisë së SHBA-ve.

Por, Klinton, duke adresuar kritikat, tha se ajo që tashmë quhet “fuqia e mençur”, është më e përshtatshme për t’u përballur me sfidat e sotme.

Ne nuk jemi më pak të fuqishëm, por duhet ta vëmë në zbatim fuqinë tonë në mënyra të ndryshme. Ne jemi zhvendosur nga një ushtrim i drejtpërdrejtë i fuqisë në një formë më të sofistikuar dhe në një përzierje të fuqisë dhe ndikimit”, sqaroi Klinton.

Strategjia e re e ka si përparësi të vetën shkatërrimin e Al Kaidës, megjithatë është hequr dorë nga retorika e “luftës kundër terrorizmit”, që karakterizoi vitet e presidencës së Bushit.

Nga ana tjetër, duke folur për sigurinë, shefja e diplomacisë amerikane nuk ngurroi të formulonte qartë se deficiti buxhetor apo dështimi në adresimin e këtij problemi, janë çështje të sigurisë kombëtare dhe zhvlerësojnë pozitën e SHBA-ve në botë.

“Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të forta brenda vendit, në mënyrë që të jenë të forta edhe jashtë. Ne duhet të udhëheqim me besim. Ne duhet t’i kemi kushtet brenda vendit tonë, që të na lejojnë të drejtojmë dhe të kemi ndikim”, tha Hillari Klinton. (i.b.)
XS
SM
MD
LG