Ndërlidhjet

logo-print

Për dhe kundër kredisë së FMN-së


Fondi Monetar Ndërkombëtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar

Ekspertë për çështje ekonomike japin vlerësime të ndryshme rreth marrëveshjes së arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për marrjen e një kredie prej 110 milionë eurosh. Me gjithë rëndësinë saj, disa ekspertë thonë se ky veprim ishte i kushtëzuar nga Bashkimi Evropian, përderisa të tjerët konsiderojnë se kjo shumë e mjeteve do të ndikojë në stabilitetin e buxhetit të Kosovës.



Me gjithë faktin se kredia e marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ndikojë në stabilitetin buxhetor dhe ekonomik të Kosovës, kjo kredi në aspektin profesional nuk është e mirë, thotë eksperti i ekonomisë, Bedri Selmani.

Sipas tij, kjo kredi është kushtëzuar nga Bashkimi Evropian, pasi, siç thotë ai, nuk është besuar në qëndrueshmërinë financiare të shtetit të ri të Kosovës.

“E kanë bërë me qëllim se nuk kanë besuar në sistemin e ri të shtetit të ri, në qëndrueshmërinë e sistemit financiar, ekonomik dhe kanë dashur ta vënë nën kontroll”.

“Duhet ta kemi të qartë se Fondi Monetar Ndërkombëtar thirret vetëm në momentet kur ka deficit buxhetor dhe kur ka borxh publik shumë të lartë. Kosova nuk ka borxh publik që do të duhej të hyjë nën masat restriktive të FMN-së”
, thotë Selmani.

Nënshkrimi i marrëveshjes në parim për marrjen e kredisë prej 110 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka qenë kusht i Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian për t’i dhënë Kosovës 210 milionë euro donacione, të premtuara dy vjet më parë.

Në anën tjetër, eksperti Ismail Kastrati shpreh bindjen se marrëveshja ndërmjet Qeverisë se Kosovës dhe FMN-së do të mundësojë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të Kosovës.

Sipas tij, kjo kredi tregon se tregu kosovar është i sigurt për financim edhe për institucionet tjera financiare.

“Shërben si infuzion financiar për ekonominë dhe buxhetin e Kosovës. Kredia është me kamata relativisht të ulëta dhe afati i kthimit është mjaft i gjatë”.

“Përveç tjerash, kredia shërben si referencë për institucionet tjera financiare ndërkombëtare. Praktikisht, kjo kredi tregon se Kosova është një treg i sigurt për financime nga institucionet financiare ndërkombëtare”,
shprehet Kastrati.

Nevojën e marrjes së kësaj kredie e thekson edhe eksperti Bedri Selmani. Sipas tij, shuma e mjeteve të premtuara mundëson zbatimin e disa ligjeve, të cilat, siç thotë ai, janë me rëndësi për përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve.

“Në këtë rast, kjo është një përparësi shumë e madhe, prapëseprapë, për arsye se është hera e parë - Kosova nuk ka borxhe të mëdha - dhe sigurisht këto mjete do t’i ndihmojnë jashtëzakonisht shumë zbatimit të ligjeve, të cilat ende janë problematikë kryesore në shoqërinë tonë: Ligji i punës, Ligji pensional-invalidor dhe ligje të tjera”, thotë Selmani.

Kredia e parë prej 110 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që nga anëtarësimi në këtë institucion, do të zgjasë 18 muaj dhe do të ketë norma të ulëta të interesit.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, kjo marrëveshje garanton rritje ekonomike prej 6% në vit dhe vendos Kosovën në rrugë të sigurt për realizimin e projekteve të mëdha kapitale. Njëherësh, sipas tyre, hyrja në këtë program ka qenë mënyra më e mirë e mundshme për t’u ballafaquar me sfidat e krizës ekonomike.

Marrëveshja e arritur dje ndërmjet Qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar zyrtarisht do të nënshkruhet në muajin korrik, pas aprovimit të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG