Ndërlidhjet

logo-print

Komunat serbe në 100 ditët e para


Komuna e Shtërpcës

Komuna e Shtërpcës

Komunat serbe, që iu nënshtruan procesit zgjedhor të organizuar nga institucionet e Kosovës, kanë shënuar disa përparime evidente qysh në 100 ditët e para të funksionimit, u tha në një konferencë në Çagllavicë.


Përfaqësuesit e komunave me shumicë serbe nga pjesa qendrore dhe lindore e Kosovës thonë se kanë arritur të transferojnë pjesën më të madhe të kompetencave nga autoritetet qendrore në Prishtinë. Kurse, komunat e reja kanë transferuar apo janë në proces të marrjes së përgjegjësive nga ish-komunat, që u përkisnin para zgjedhjeve lokale.

Pesë kryetarë të komunave me shumicë serbe prezantuan të premten në Çagllavicë rezultatet dhe sfidat e punës së tyre pas 100 ditëve të para.

Kryetari i Kllokotit, Sasha Mirkoviq, tha se për 100 ditë të qeverisjes së re në këtë komunë ka më shumë përparime, sesa për 10 vjetët e kaluar. Ai tha se komuniteti serb, vetëm përmes decentralizimit, mund ta sigurojë mbijetesën në Kosovë.

“Komuna e Kllokotit ka filluar punën më 8 janar dhe që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra krahasuar me 10 vjetët e fundit”,
tha Mirkoviq.

Ai tha se do të udhëtojë edhe në Smederevë të Serbisë për t’iu treguar të zhvendosurve nga kjo komunë, të cilët kryesisht janë të shpërngulur atje, dhe për t’i ftuar ata që të kthehen, pasi që gjendja në Kllokot ka ndryshuar.

Ndërkohë, Bratisllav Nikoliq, kryetar i Shtërpcës, foli për disa projekte ndërtimore, përfshirë dhe ndërtimin e një shkolle fillore.

Ai u shpreh i kënaqur me faktin se gjërat kanë filluar të lëvizin, marrë parasysh se atje, në të kaluarën, nuk kishte funksionuar administrata e pushtetit lokal.

“Problemet, me të cilat jemi ballafaquar kur kemi ardhur në pushtet, ishin: mosfunksionimi i komunës, privatizimi i qendrës së skijimit në Brezovicë dhe ndërtimet ilegale”,
tha Nikoliq.

Tani, sipas tij, trendet negative të ndërtimeve ilegale, përfshirë edhe zonat e mbrojtura, janë ndërprerë, kurse komuna po funksionon dhe vendos qeverisjen legale në kufijtë e saj.

Ndërtimet pa leje u veçuan si një prej sfidave edhe nga kryetari i Ranillugut, Gradomir Nikiq. Ai tha se zhvillimi ekonomik është esencial për banorët e kësaj komune të re.

“Ne si vetëqeverisje lokale do të bëjmë gjithçka që të gjejmë mënyra dhe t’i punësojmë njerëzit, t’i mbajmë ata në territorin e komunës sonë”,
tha Nikiq.

Banorët dhe subjektet politike serbe në komunat si: Graçanica, Novobërda, Ranillugu, Kllokoti e Shtërpca, kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës. Së shpejti priten zgjedhje edhe në komunën e re të Parteshit.

Ndërkaq, planet e Prishtinës zyrtare janë që me krijimin e kushteve, zgjedhjet të mbahen edhe në Mitrovicën e veriut dhe tri komunat serbe në veri të Kosovës.

Rrethanat ekzistuese dëshmojnë se në veri, institucionet ballafaqohen me rezistencën e ashpër të strukturave të pushtetit të Serbisë atje dhe kjo mendohet se mund t’i sfidojë seriozisht përpjekjet e Prishtinës dhe pranisë ndërkombëtare për instalimin e pushtetit legal në atë pjesë të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG