Ndërlidhjet

Koncepti strategjik i NATO-s për dekadën e ardhshme


Medllin Ollbrajt, ish-sekretare e Shtetit
Medllin Ollbrajt, ish-sekretare e Shtetit

Në dekadën e ardhshme, NATO-ja duhet të jetë aleancë më e gjithanshme dhe efektive për të operuar në botë dhe në partneritet me të tjerët. Ky ishte rekomandimi i ish-sekretares së Shtetit, Medllin Ollbrajt, kryesuese e grupit të ekspertëve që trajtojnë zhvillimin strategjik të Aleancës. Duke i prezantuar gjetjet e panelit, Ollbrajt tha se askush nuk duhet të përjashtohet nga anëtarësimi në Aleancë, përfshirë dhe Rusinë.


Çfarë do të bëhet me NATO-n? Kjo është një pyetje që e kanë shtruar politikë-bërësit për vite me radhë, veçanërisht pas periudhës së Luftës së Ftohtë, që hapi rrugën për aleancat e shekullit XXI, në sferën e çështjeve të sigurisë.

Është një pyetje që ish-sekretarja amerikane e shtetit, Medllin Ollbrajt, dhe grupi i ekspertëve të politikës së jashtme e kanë trajtuar në raportin e emërtuar: “NATO 2020 - siguri e siguruar, angazhim dinamik”.

Duke folur para Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, zonja Ollbrajt ka shpalosur konceptin e ri strategjik për NATO-n. Fjalimi i zonjës Olbrajt ka përfshirë edhe çështjen që preokupon shumë kë – a ka vend në NATO edhe për Rusinë?

Moska e sheh zgjerimin e NATO-s, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Qendrore, si një nga kërcënimet kryesore për sigurinë e saj. Por, zonja Ollbrajt ka thënë se askush nuk duhet të përjashtohet nga NATO - madje as Rusia. Por, ka thënë ajo, fillimisht Moska duhet të demonstrojë se dëshiron të jetë pjesë e aleancës:

“Pyetja është nëse Rusia dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s. Mendoj se nëse dëshironi të jeni pjesë e Aleancës, ju duhet të jenë demokraci funksionale dhe të siguroni se nuk keni konflikte të ndryshme që do të silleshin brenda NATO-s”
, ka thënë ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Olbrajt.

Disa nga diskutimet janë fokusuar te roli i ndryshuar i NATO-s dhe te mësimet që janë nxjerrë nga Afganistani. Në këtë temë zonja Ollbrajt ka thënë se Afganistani ka qenë një leksion i madh për Aleancën derisa lufton për të siguruar ecjen në shekullin XXI:

“Ne mendojmë se rruga më e mirë për t’u ballafaquar me Afganistanin është të shikojmë se çfarë kemi mësuar. Ka njerëz që thonë:’Afganistani është testi përfundimtar për NATO-n dhe se çfarë do të ndodhë në Afganistan kjo do të ketë ndikim përgjithmonë në NATO-n’. Ne nuk duam të mendojmë kështu. Ne dëshirojmë që nga Afganistani të nxjerrim mësim”,
ka thënë zonja Olbrajt.

Një çështje tjetër që është diskutuar, ka qenë anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës dhe Gjeorgjisë në Aleancën Veri-atlantike. Në këtë temë, zonja Ollbrajt ka thënë:

“Në samitin e Bukureshtit në vitin 2008 është thënë se Ukraina dhe Gjeorgjia do të bëhen anëtare të Aleancës. Dhe, tash kemi një qeveri në Ukrainë që nuk dëshiron t’i bashkohet NATO-s. Në këtë plan ne kemi bërë përpjekje të mëdha për të bindur Rusinë se NATO është organizatë vullnetare”.


Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medllin Ollbrajt, ka pohuar se vendet aspiruese duhet ta kuptojnë se anëtarësimi në NATO nuk është vetëm privilegj, por edhe përgjegjësi. Ajo ka shtuar se madje edhe disa vende anëtare të NATO-s kanë dështuar t’i përmbushin obligimet e veta financiare ndaj Aleancës.

“Një nga gjërat që duhet të jetësohet është që secili vend duhet të ofrojë 2 për qind të GDP-së për NATO-n. Vetëm 6 nga 28 vendet anëtare e bëjnë një gjë të tillë”
, ka konkluduar ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medllin Ollbrajt. (m.k.)
XS
SM
MD
LG