Ndërlidhjet

Ekonomia e Kosovës, e paintegruar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Krizat e mëdha ekonomike, që kohëve të fundit kanë përfshirë shumë vende të ndryshme të botës, e të cilat nuk janë reflektuar në masë të madhe në Kosovë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, tregojnë se ekonomia e Kosovës ende mbetet e paintegruar në ekonominë botërore.


Derisa një vend si Kosova, po u shpëton krizave ekonomike që po ndodhin në vende të ndryshme të botës, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, tregon se ekonomia kosovare mbetet ende ekonomi e paintegruar në tregjet evropiane dhe botërore.

Kjo, sipas disa ekspertëve, në të ardhmen do ta pengojë zhvillimin e ekonomik të Kosovës.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Flamur Keqa, thotë se përmbushja e standardeve për integrimin e ekonomisë kosovare në ekonominë botërore është duke shkuar me hapa tejet të ngadalshëm.

Sipas tij, Kosovës do t'i duhet edhe një periudhë relativisht e gjatë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian në aspektin ekonomik.

“Ekonomia e Kosovës varet shumë nga importi dhe kjo është mungesa më e madhe që e dëmton ekonominë kosovare. Ekonomia kosovare duhet të ristrukturohet”.


“Pa ristrukturimin e ekonomisë kosovare, pa ngritjen e kapaciteteve në aspektin për ndërmarrjet prodhuese dhe fuqizimin e eksportit kosovar, është shumë vështirë që Kosova të ketë ndonjë shtim më të madh ekonomik”
, thotë Keqa.

Ndërkaq, eksperti Keqa thekson se nëse shikohet deficiti tregtar, Kosova importon pjesën më të madhe të konsumit të brendshëm dhe kjo, sipas tij, tregon që Kosova në të njëjtën kohë është mjaft e integruar dhe mjaft e liberalizuar në disa fusha ekonomike.

“Kosova nuk duhet të mbetet ekonomi konsumuese, një ekonomi e cila vetëm importon dhe varet nga importi, por të jetë një ekonomi që prodhon, që ka çka t’i ofrojë tregut dhe në këtë formë, të shtrojë edhe bruto produktin shoqëror, por edhe të ngritë mirëqenien e popullit të Kosovës”,
thekson Keqa.

Vende tw ndryshme të botës gjatë viteve të fundit janë përballuar me kriza të shumta ekonomike. Së fundi, shteti grek ka pësuar mjaft shumë ekonomikisht.

Sidoqoftë, këto kriza nuk reflektuan në masë aq të madhe në Kosovë dhe kjo, sipas ekspertëve të ekonomisë, tregon se ajo që e izolon Kosovën nga kriza botërore sot, do ta pengojë vendin derisa ekonomia botërore rimëkëmbet.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, lidhur me krizat ekonomike globale shprehet:

”Në këtë drejtim, duhet t’u përgjigjemi këtyre krizave me kritika të mençura brenda vendit, duke pasur parasysh këtë edhe si përvojë të mirë, t’i reduktojmë shpenzimet dhe të jemi kursyes, pasi që krizat mund të paraqiten në çdo moment”.


Në anën tjetër, Alban Hashani, nga Instituti Riinvest shpreh mendimin se Kosova duhet të orientohet për ndërtimin e sistemit të ekonomisë sipas kërkesave të një ekonomie të hapur ndaj tregut evropian dhe botëror.

Sipas Hashanit, ky duhet të jetë sistem ekonomik që stimulon bashkëpunimin ekonomik dhe që nxitë investimet e përbashkëta me partnerët e jashtëm.

“Me Kushtetutë të Kosovës parashihet që ekonomia e Kosovës të jetë ekonomi e hapur e tregut. Shumica e parametrave janë në këtë drejtim”.

“Ideja është se barrierat joformale, të cilat janë zhvilluar në tregun e Kosovës si ekonomia joformale, korrupsioni, lënë një hije të zezë se janë në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, për arsye se këta faktorë e dëmtojnë konkurrencën e tregut”
, thotë Hashani.

Politika e konkurrencës, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë, është bazë e çdo ekonomie të tregut. Ata theksojnë së ky kriter është i rëndësisë strategjike për proceset zhvillimore në Kosovë.

Konkurrenca nga tregu i jashtëm dhe tregu i brendshëm, sipas vlerësimeve të ekspertëve, do të bëjë presion në ristrukturimin e ekonomisë sipas kritereve të efikasitetit.
XS
SM
MD
LG