Ndërlidhjet

logo-print

Antikorrupsioni - reforma apo kthim prapa?


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës miraton një udhëzim administrativ, me të cilin siguron që kontratat për tenderët mbi 10 mijë euro, të nënshkruhen edhe nga ministri përkatës. Por, opozita vlerëson se me këtë vendim shtohen mundësitë për korrupsion.


Vendimi i Qeverisë që përmes një udhëzimi administrativ të rregullojë fushën e prokurimit publik, duke siguruar që tenderët mbi 10 mijë euro të nënshkruhen edhe nga ministri, sipas deputetëve opozitarë, nuk e lufton, por e shton mundësinë për korrupsion.

Ndërkohë që nga Qeveria e Kosovës, ky udhëzim shihet si pjesë e akteve që siguron një luftë më efikase kundër korrupsionit në institucionet qendrore e lokale.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se me udhëzimin e ri administrativ sigurohet transparencë në nënshkrimin e kontratave për tenderët që kalojnë shumën mbi 10 mijë euro, pasi që instanca e fundit e nënshkrimit do të jetë edhe ministri i ministrisë përkatëse.

“Miratimi i udhëzimit administrativ që ka të bëjë me çështjen e prokurimit publik, nënshkrimin e kontratave, ka për qëllim rritjen e transparencës në fushën e prokurimit publik”.

“Ne kemi premtuar se do të bëjmë një reformë të gjerë në fushën e prokurimit publik dhe kjo është pjesë e asaj reforme. Ky udhëzim do të vlejë derisa të hyjë në fuqi ligji i ri që po përgatitet. Është një hap i koordinuar me Komisionin Evropian dhe mendojmë se është hap i mirë në këtë drejtim”,
thotë Kuçi.

Por, për deputetin e opozitar nga Aleanca Kosova e Re, Riza Smaka, kjo çështje do të duhej rregulluar me akt ligjor. Ai thotë se zgjidhja më e mirë do të ishte plotësimi i ligjit aktual dhe jo nxjerrja e një udhëzimi, i cili është akt nën ligjor.

“Kjo çështje duhet të rregullohet me akt ligjor. Prandaj, në parim, unë këtë nuk e shoh si ndihmë në luftën antikorrupsion, e edhe po të ishte, është tepër vonë”.

“Besomëni, jam shumë skeptik dhe pothuajse nuk garanton asgjë. Më tepër ka karakter deklarativ, nuk sanksionon asgjë dhe ka karakterin e një raporti”,
vlerëson Riza Smaka.

Ky vendim i Qeverisë në lidhje me prokurimin publik nuk është mbështetur as nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi. Ai thotë se me këtë udhëzim, nuk janë zvogëluar, por janë shtuar mundësitë për korrupsion, pasi që ministrit i jepet mundësia të ndërhyjë në punët e administratës.

“Konsideroj se ndoshta është menduar të iket prej korrupsionit, por me këtë udhëzim lihet mundësi edhe më shumë për shtimin e korrupsionit, sepse tash i jepet mundësia edhe ministrit të vendosë në fund kujt t’i jepet tenderi”
, thekson Isufi.

Tenderët konsiderohen si burimi kryesor i korrupsionit në Kosovë dhe i pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve në nivele të ndryshme.

Shoqëria civile ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime edhe në ligjet tjera që ndërlidhen edhe me korrupsionin siç është Ligji për deklarimin e pasurisë, ai për financimin e partive politike dhe Ligjin për konfliktin e interesit.

Por, deputetja Nekibe Kelmendi, ish-ministre e Drejtësisë, thotë se korniza ligjore anti-korrupsion është mjaft e kompletuar, vetëm se nevojitet zbatimi i ligjeve.

“Kemi Kodin Penal, i cili gati çdo veprim e inkriminon dhe çdo veprim që i përmban elementet e krimit penal, natyrisht veprimeve që janë në kundërshtim me ligjin”
, thotë Kelmendi.

Nga 1 qershori, Agjencia e Kosovës Kundër Korrupsionit do të publikojë në faqen e saj të internetit pasurinë e deklaruar të rreth 1 mijë e 600 zyrtarëve publikë.

Agjencia Kundër Korrupsionit pret më pastaj që edhe qytetarët të kontribuojnë, nëse këta zyrtarë nuk kanë dhënë informacione të sakta rreth pasurisë së deklaruar.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG