Ndërlidhjet

Çka pas zgjedhjeve paralele?


Institucionet e Kosovës dhe ICO-ja nuk i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve serbe në Mitrovicë dhe Novobërdë, ndërsa thonë se, me gjithë ndërhyrjen e Serbisë, ato do të vazhdojnë me projektin për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare.


Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare i kanë quajtur të paligjshme zgjedhjet paralele serbe, si dhe të papranueshme rezultatet e tyre.

Partia Serbe e Progresit e Tomislav Nikoliqit, sipas rezultateve jozyrtare, ka fituar në zgjedhjet serbe në veri të Mitrovicës, ndërsa në Novobërdë, Partia Socialiste e Serbisë.

Megjithatë, përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se nuk do të zmbrapsen nga këto ndërhyrje të Serbisë në territorin e Kosovës, por do të vazhdojnë me planet për integrimin e veriut. Analistët politikë thonë se mbajtja e zgjedhjeve serbe ne veri, shënon fundin e strategjisë për veriun. Por, kryeministri Hashim Thaçi thotë të kundërtën.

“Ne do të punojmë maksimalisht për implementimin e strategjisë së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe të atyre ndërkombëtare, për sundimin e ligjit, për organizimin e zgjedhjeve të lira në tri komunat, për formimin e komunës së re dhe aspektet socio-ekonomike. Për Kosovën do të ketë vetëm ecje përpara, njohje të reja dhe një opinion pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, pra për Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”, thotë Thaçi.

Edhe Zyra Civile Ndërkombëtare i quan të paligjshme zgjedhjet e organizuara nga Serbia në territorin e Kosovës.

“Zyra Civile Ndërkombëtare i konsideron zgjedhje të vetme legjitime ato që i kanë organizuar autoritetet e Kosovës. Së bashku me Qeverinë, ne po punojmë me qeveritë komunale drejt përmbushjes së procesit të decentralizimit, ashtu siç parashihet me propozimin për statusin, dhe drejt forcimit të komunave ekzistuese”, thotë zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller Berner.

Zgjedhjet e djeshme paralele në Mitrovicë u mbajtën nën organizimin e autoriteteve serbe, ndërsa u përcollën me tensione në urën që ndan pjesën jugore me atë veriore të qytetit.

Në përballjet midis shqiptarëve dhe serbëve nuk pati të lënduar, ndërsa situatën gjatë gjithë kohës e kanë vëzhguar dhe kontrolluar forcat vendore dhe ndërkombëtare të rendit.

Pjesëmarrja në votime thuhet të ketë qenë 27 për qind, ndërsa subjektet politike në veri fajësojnë për nivelin e ulët të daljes në votime tensionet në urën e Ibrit.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se fakti që ekziston një ambient i tillë i brishtë, ka bërë që institucionet e Kosovës të mos shpallin zgjedhjet për komunën e Mitrovicës Veriore. Ai hedh poshtë mundësinë e bashkëpunimit me udhëheqësit e strukturave paralele.

“Nuk diskutohet, sepse nuk kemi nevojë të diskutojmë me të zgjedhurit e strukturave paralele. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me atë pjesë të qytetarëve, që e pranojnë bashkëjetesën, janë kundër qeverisjes në tensione dhe ambicies e luftës për territore”, thotë Ferati.

ICO, ndërkaq, sipas zëdhënësit Kai Mueller Berner, është e përkushtuar që ta çojë deri në fund procesin e decentralizimit dhe t'i vendosë udhëheqësitë legjitime edhe në veri të vendit.

“Në partneritet me Qeverinë e Kosovës, po punojmë që t'i transferojmë kompetencat nga niveli qendror në nivelet komunale, përfshirë edhe në kuvendin komunal dhe te kryetari i zgjedhur i Novobërdës. Ne po ashtu po vazhdojmë përgatitjet për komunën e ardhshme të Mitrovicës së veriut, që do t’i bëjë banorët të kenë ndikim të vërtetë mbi çështjet që atyre u interesojnë më shumë, në një sistem të bazuar në standardet ndërkombëtare".

"Ekipi përgatitor komunal në Mitrovicë vazhdon punën drejt arritjes së qëllimit. Vetëm zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës njihen nga ne”, thekson Kai Mueller Berner.

Por, Marko Jakshiq, njëri nga liderët e serbëve të veriut, nuk pajtohet me një qëndrim të tillë. Ai thotë se do të jenë të papranueshme zgjedhjet që mund t’i shpallin autoritetet e Kosovës në komunat veriore.

“Nuk është kjo bashkësia ndërkombëtare. Këto janë vetëm shtete perëndimore. Komuniteti ndërkombëtar është shumë më i gjerë, përfshirë Rusinë, Kinën e Indinë. Ekipi serb në Vjenë e ka refuzuar atë ide, që sot Piter Feith dhe Qeveria në Prishtinë duan ta zbatojnë - t’i shpallin zgjedhjet në komunat në veri. Nëse tërë ekipi negociator, përfshirë Koshtunicën dhe presidentin Tadiq, ka refuzuar një gjë të tillë, atëherë kjo e obligon popullin serb që të mos dalë në zgjedhjet e tilla”, thotë Jakshiq.

Serbia ka mbajtur zgjedhjet në veri të Mitrovicës edhe në vitin 2008, vetëm tre muaj pas shpalljes së pavarësisë. Ndërsa, autoritetet serbe i kanë sfiduar ato kosovare, duke organizuar zgjedhjet në Novobërdë, komunë kjo që zgjodhi udhëheqësinë e re në zgjedhjet e 15 nëntorit, të organizuara nga Qeveria e Kosovës.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me strukturat paralele.

Lexoni edhe këtë: Tensione në Mitrovicë.
XS
SM
MD
LG