Ndërlidhjet

Izrael: Konfirmohet vrasja e 10 vetëve në flotën e ndihmave


Ushtria e Izraelit ka konfirmuar se së paku 10 aktivistë pro-palestinezë janë vrarë sot kur marina izraelite ka ndërhyrë në konvojin e anijeve, që përpiqet ta thej bllokadën katërvjeçare në Rripin e Gazës.

Nga ana tjetër, shefi i një organizate humanitare turke, Muhammad Kaya, i involvuar në flotë, tha se së paku 15 vetë janë vrarë gjatë ndërhyrjes, shumica prej tyre të kombësisë turke.

Flota, me afro 10 mijë tonë ndihma, që është nisur nga Turqia, ka afro 700 aktivistë pro-palestinezë me vete.

Forcat e sigurimit të Turqisë sot e kanë shtuar praninë në Konsullatën izraelite në Stamboll, pasi disa demontrues të zemëruar kanë depërtuar shkurtazi në oborrin e saj. Në Ankara, Ministria e jashtme e Turqisë, e ka ftuar ambasadorin izraelit, Gabby Levy.

Zëvendës kryeministri i Turqisë, Bulent Arinc, e ka thirrë një takim të jashtëzakonshëm me zyrtarët e lartë të sigurisë, përfshirë edhe ministrin e brendshëm, shefin e marinës dhe komandantin e operacioneve të ushtrisë.

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, sot ka kërkuar që autoritetet e Izraelit të zhvillojnë “hetime të plota” për vrasjet.
XS
SM
MD
LG