Ndërlidhjet

Protesta ndërkombëtare lidhur me aksionin izraelit


Protesta të fuqishme ndërkombëtare po bëhen për shkak të ndërhyrjes së sotme të komandosëve të Izraelit në flotën e anijeve me ndihma për Gazën, me ç’rast u vranë së paku 10 aktivistë, që përpiqen të dërgojnë ndihma humanitare në Gazë.

Turqia e ka ftuar ambasadorin e Izraelit dhe ka tërhequr vërejtjen për “konsekuenca të papërmirësueshme” për marrëdhëniet e tyre.

Në Stamboll policia u angazhua në kthimin prapa të turmës së zemëruar, që kishte depërtuar në hyrjet e Konsullatës së Izraelit.

Greqia është tërhequr nga ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Izraelin dhe ka kërkuar raport të “menjëhershëm” për sigurinë e afro 30 grekëve në flotën e anijeve.

Lëvizja Islamiste, Hamas, që e udhëheq Rripin e Gazës, ka kërkuar nga myslimanët që të “ngriten” në protesta para ambasadave izraelite në gjithë botën.

Lideri palestinez, Mahmud Abbas, i ka shpallur tri ditë zie dhe tha se forcat izraelite janë përgjegjëse për atë që ai e cilësoi si “masakër”. Shefi i Ligës Arabe, Amr Musa, ka vlerësuar se ndërhyrja ishte “krim” kundër misionit humanitar.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, e dënoi sulmin izraelit si “johuman”, duke thënë se kjo e solli Izraelin “më afër se kurrë afër fundit të tij”.

Franca dhe Gjermania kanë shprehur shqetësim, derisa shefja për të drejtat e njeriut e OKB-së, Navi Pillavi, është shprehur e “shokuar” lidhur me dhunën.

Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Eshton, nga Izraeli ka kërkuar ndërmjarrjen e “hetimit të plotë”.

Incidenti i përgjashkëshm u bë para takimit në Uashington, ndërmjet presidentit Barak Obama dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu.
XS
SM
MD
LG