Ndërlidhjet

logo-print
Mbajtja e zgjedhjeve serbe në veri të Mitrovicës është një pengesë tjetër drejt integrimit të saj në sistemin kosovar, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, mospengimi i zgjedhjeve të organizuara nga Beogradi zyrtar, tregon qartë mosgatishmërinë e institucioneve të Kosovës për ta trajtuar seriozisht problemin e veriut.

Analisti Agron Bajrami thotë se përveç problemeve të shumta që kanë shkaktuar këto zgjedhje, ato kryesisht do t’i vështirësojnë përpjekjet për zbatimin e strategjisë për veriun.

“Këto zgjedhje sigurisht që do të kenë një ndikim edhe më të madh, në formë të pengesës së integrimit të mundshëm të veriut të Kosovës. Si pikë e parë, ato e dëmtojnë kredibilitetin e strategjisë, e cila nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret, që kur është propozuar se ekziston”.

“Po ashtu kanë ndikimin e mosbesimit të qytetarëve të Kosovës në aftësitë dhe vullnetin e institucioneve të vendit, por edhe të faktorit ndërkombëtar, që ta trajtojnë seriozisht problemin në veri”,
thotë Bajrami.

Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve paralele në veri ka humbur edhe vullnetin e një numri të caktuar të serbëve lokalë për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës.

“(Ato zgjedhje) do t’ua bëjnë edhe më të pamundur atyre serbëve në pjesën veriore të Kosovës, të cilët ndoshta kanë pasur vullnet të caktuar që të bashkëpunojnë dhe të integrohen në institucionet e Kosovës. Kështu që në shumë aspekte, mendoj se këto zgjedhje kanë shënuar një stagnim, një kthim prapa, një degradim edhe me të madh të situatës në veri”, shprehet Bajrami.

Mbajtja e këtyre zgjedhjeve tregon për një ripozicionim të serbëve në veri të Kosovës, thotë, në anën tjetër, analisti Shkëlzen Maliqi, për të sqaruar më shumë:

“Këto zgjedhje janë një ripozicionim i serbëve në veri të Kosovës dhe i vetë Serbisë, që tregon vullnetin ose dëshiren e tyre që kjo pjesë, në njëfarë dore, të konsiderohet si një entitet në vete. Se cila do të jetë zgjidhja, në këtë moment nuk mund ta themi”.

Maliqi e sheh procesin zgjedhor serb në veri si konfirmim të kontrollit të kësaj pjese nga ana e strukturave paralele.

“Ato zgjedhje rikonfirmojnë kontrollin që e kanë në atë territor (strukturat paralele). Ato veprojnë prej kohësh. Kanë qenë edhe zgjedhjet e mëhershme që janë mbajtur dhe faktori ndërkombëtar i ka toleruar si të tilla”, thotë Maliqi.

Deklaratat e autoriteteve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare për ndryshimin e gjendjes në veri, analistët thonë se nuk janë të sinqerta dhe mbesin vetëm pjesë e retorikës së tyre. Agron Bajrami shpjegon më shumë:

“Veprimet, të cilat i ndërmerr Serbia, demonstrojnë se institucionet tona, por edhe bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, më tepër e kanë deklarativ angazhimin për integrim, sesa që e kanë të sinqertë, sepse po ta kishin, do të bëhej shumë më tepër për ta penguar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Kosova i ka tradhtuar njerëzit, të cilët besojnë se veriu është pjesë e Kosovës”.

Së fundi, përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë kanë thënë se mbajtja e zgjedhjeve në veri, në një mënyrë, do ta zhbëjë strategjinë për këtë pjesë të vendit, të përpiluar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG