Ndërlidhjet

logo-print

Projektet e shumta, të bëra nga Qeveria dhe mekanizmat tjerë që veprojnë në Kosovë, për zbutjen e papunësisë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, nuk mund ta përmirësojnë gjendjen e tanishme të papunësisë. Ata theksojnë nevojën e hartimit të një strategjie më konkrete nga ana e autoriteteve kompetente.



Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë të çështjeve ekonomike bien dakord se ekonomia e Kosovës nuk është në gjendje t’i absorbojë rreth 30 mijë të papunë, që dalin në vit. Sipas tyre, për zbutjen e kësaj papunësie, e cila po përcjell Kosovën që nga paslufta, duhet të përgatiten politika afatgjate ekonomike.

Eksperti për ekonomi, Musa Limani, thotë se për të zbutur papunësinë, duhet të ndryshohen politikat zhvillimore aktuale.

“Në këtë situatë, vetë fakti që nuk mund të absorbohet një numër kaq i madh i të rinjve, duhet të jetë një sinjal shumë i madh për Qeverinë e Kosovës, që të ulet në tavolinë dhe ta shtrojë problemin e zhvillimit ekonomik”, thotë ai.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë në bazë të të dhënave që posedon kjo aleancë, papunësia është në rritje të vazhdueshme.

“Qeveria duhet ta mbështesë punëdhënësin me politika tregtare dhe fiskale, për të krijuar një ambient më të mirë për zhvillimin e biznesit, dhe duke tentuar që vendi i punës të jetë me një kosto më të ulët, në mënyrë që punëdhënësit të krijojnë vende për punëkërkuesit”,
shprehet Shahini.

Kosova, sipas hulumtimeve të bëra së fundi, ka rezultatin më të dobët të punësimit në Evropë. Norma e papunësisë ka arritur në 48 për qind dhe norma e të punësuarve është jashtëzakonisht e ulët, rreth 26 për qind.

Si pasojë, varfëria mbetet e përhapur në 45 për qind të popullsisë, ndërsa 17 për qind janë në varfëri ekstreme.

Duke e konsideruar papunësinë si kërcënim kryesor të stabilitetit në vend, eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë se autoritetet kosovare duhet të hartojnë urgjentisht një strategji për punësim të përkohshëm.

“Kosova ka një normë të ulët të punësimit. Numri i të rinjve që hyn në forcën e punës, nuk mund të absorbohet. Ky është një problem shumë i madh. Nga kjo dalin probleme të tjera, siç është kontrabanda”, thotë Limani.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, zoti Shahini, thotë se, përderisa në Kosovë çdo ditë rritet norma e papunësisë, kjo tregon se nuk ka zhvillim të mjaftueshëm ekonomik.

“Politikat tregtare nuk janë të favorshme në krahasim me vendet rajonale. Ne kemi potencial shumë të madh të punëkërkuesve dhe kemi një moshë të re. Për atë moshë të re duhet të bëjmë një strategji se si të rritet punësimi; ta ulim varfërinë dhe t’i rrisim investimet”, thekson Shahini.

Sipas ekspertëve, Qeveria duhet të ketë një program rreth zgjidhjes së problemit social, i cili tash për tash thuhet se është prioritar ndaj problemeve të tjera.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG