Ndërlidhjet

Sfidat BE-Kosovë


Pjesëmarrja dhe anëtarësimi i Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë sfidohen më shumë nga mosuniteti i Bashkimit Evropian në raport me pavarësinë e saj, sesa nga diplomacia e Serbisë, thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës.


Problemet në përfaqësimin e jashtëm të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin е saj në organizma ndërkombëtarë, nuk vijnë vetëm nga politika agresive e Serbisë, por edhe nga mosnjohja prej pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, thonë deputetë kosovarë.

Sipas tyre, me njohjen e Kosovës nga ana e 27 vendeve anëtare të BE-së, Beogradi nuk do të kishte më mundësi diplomatike që të ndikonte në përcaktimin e formatit të takimeve e konferencave rajonale, siç ishte rasti me konferencën e Sarajevës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se mosuniteti i BE-së në raport me Kosovën, po ndikon si në pjesëmarrjen e Kosovës në samite e konferenca rajonale, ashtu edhe në procesin e njohjeve ndërkombëtare.

“Mosnjohja e shtetit të Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, është një ‘rast i mirë’ për Beogradin që t’i shfrytëzojë këto pesë shtete dhe jo vetëm ato. Domosdoshmërisht, kjo po lidhet edhe me procesin që po zhvillohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe këto janë pengesa që po na vështirësojnë pjesëmarrjen në konferenca, samite të ndryshme”, thotë Beqiri.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se për Kosovën është me rëndësi që të jetë e pranishme në të gjitha konferencat ndërkombëtare.

“Për Kosovën është shumë e rëndësishme që në format të barabartë të jetë prezente në çfarëdo tryeze që organizohet, qoftë në rajon, qoftë në botë. Është një moment i mirë që ta plasojë zërin e saj si shtet, në një tavolinë ku janë të pranishme edhe shtetet tjera”,
thekson Gashi.

Deputeti Gashi thotë se uniteti i BE-së do t’i pamundësonte Serbisë që të përdorë diplomacinë e saj kundër përfaqësimit të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në struktura e mekanizma ndërkombëtarë.

“Natyrisht që Serbia nuk është pengesa kryesore për përfaqësimin e Kosovës në forume të ndryshme evropiane, por është mospranimi nga pesë vende të BE-së dhe ne duhet të punojmë që këtë barrierë ta heqim”.

“Në momentin kur ta kemi njohjen e plotë nga BE-ja, atëherë Serbia nuk do të mund ta pengojë më përfaqësimin e Kosovës. Janë zërat që brenda BE-së e kundërshtojnë për momentin shtetin e Kosovës, që i shfrytëzon Serbia për ta penguar pjesëmarrjen e Kosovës në forumet evropiane”,
vlerëson Gashi.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, shprehet i kënaqur me pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën e Sarajevës, në formatin e barabartë me vendet tjera pjesëmarrëse. Por, ai kritikon qasjen e Maqedonisë, e cila nuk ftoi Kosovën në konferencën dyditore për integrimin e vendeve të Evropës juglindore në NATO.

Mungesa e Kosovës në këtë konferencë, sipas tij, është edhe pasojë e mosunitetit evropian ndaj pavarësisë së saj.

“Tash, ministri ynë shkon në Sarajevë dhe fatbardhësisht ai trajtohet i barabartë me të tjerët, në bazë të informatave që kemi. Por, ndodh që në një takim në shtetin fqinj, në Maqedoni, nuk thirret ministri ynë i Mbrojtjes apo i Forcës së Sigurisë së Kosovës, që mendoj se është ndikim dhe vazhdim i një mentaliteti të Maqedonisë, sa herë që të ketë mundësi t’i bishtnojë”.

“Është e qartë se pengesat ekzistojnë dhe unë shpresoj se BE-ja, vendet që na kanë njohur, janë shumë më shumë sesa ato që nuk na kanë njohur, dhe ato vende të na ndihmojnë që të mos i kemi më këto pengesa”
, thotë Beqiri.

Bazuar në paralajmërimet rreth Konferencës së Sarajevës është thënë se pas gjetjes së formulës së përfaqësimit, që nënkupton pjesëmarrjen me emrat e ministrave dhe jo emrat dhe simbolet e shteteve, do të ketë edhe një deklaratë të përbashkët politike.

Me këtë deklaratë, do të afirmohej mbështetja rreth perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor.

Sipas këtyre paralajmërimeve, ende jozyrtare, thuhet se konferenca do të mbahet në dy sesione, ndërkaq që në të parin secili ministër do të ketë nga tre minuta në dispozicion.

Në konferencë, përveç ministrave të rajonit, pritet të marrin pjesë ministrat e jashtëm të 27 vendeve të BE-së si dhe të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia dhe Turqia.
XS
SM
MD
LG