Ndërlidhjet

SHBA: Keqardhje e thellë për humbjen e jetëve në anije


Shtetet e Bashkuara ndjejnë keqardhje të thellë për humbjet tragjike të jetëve dhe për plagosjet në mesin e atyre, që ishin të involvuar në incidentin në anijet e nisura për në Gazë, tha ndihmës sekretari amerikan për çështje publike, Philip Crowley, në reagimin lidhur me sulmin e Izraelit ndaj flotës së anijeve, që ishin nisur për në Rripin e Gazës.

Mëtutje në deklaratën me shkrim të zotit Crowley, thuhet se Shtetet e Bashkuara “mbeten thellë të shqetësuara për vuajtjet e civilëve në Gaza” dhe se Uashingtoni do të angazhohet me izraelitët në baza ditore për zgjerimin e sasisë dhe llojit të furnizimeve të lejuara brenda në Gaza, për të shqyrtuar kërkesat e plota humanitare dhe të ripërtritjes për popullin.

Në këtë kuadër, thekson ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Crowley, Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku me qeverinë e Izraelit dhe me Autoritetin palestinez, së bashku me organizatat joqeveritare ndërkombëtare dhe me OKB-në, për krijimin e qasjes adekuate për furnizime humanitare, përfshirë edhe materiale për rikonstruktim, nëpër kalimet kufitare, por duke pasur në mendje “shqetësimet legjitime të qeverisë së Izraelit për siguri”.

Megjithatë, ndërhyrja e Hamasit në furnizimet ndërkombëtare me anije dhe puna e organizatave joqeveritare, dhe përdorimi i tyre dhe mbështetja e dhunës, i komplikon përpjekjet në Gaza, thotë Crowley.

Përfundimisht, incidenti thekson nevojën për të lëvizur shpejt përpara me negociata, që do të çojnë te paqja gjithpërfshirëse në rajon, thotë zoti Crowley.
XS
SM
MD
LG