Ndërlidhjet

logo-print

KS dënon sulmin izraelit

  • RFE /RL

Gjatë diskutimeve në Këshillin e Sigurimit, 31 maj 2010.

Gjatë diskutimeve në Këshillin e Sigurimit, 31 maj 2010.


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar aktet që çuan në vrasjen e civilëve gjatë ndërhyrjes së ushtrisë izraelite në flotën e anijeve, që ishin nisur për në Gaza.

Në deklaratën e miratuar, pas një debati maratonik, Këshilli i Sigurimit bëri thirrje për “hetime të paanshme dhe transparente”.

Kjo deklaratë ishte më e butë se ajo që u kërkua nga Turqia, palestinezët dhe vendet arabe.

Deklarata i dënon “këto akte” që rezultuan me humbjen e jetëve të së paku 9 civilëve në konvojin humanitar dhe fton për hetime të menjëhershme dhe të paanshme për atë se çka ka ndodhur.

Vrasjet ndodhën nga luftimet ndërmjet aktivistëve pro-palestinezë dhe komandove izraelite, që kishin zbarkuar në anije. Të dyja palët e fajësojnë njëra-tjetrën për fillimin e luftimeve.

Raportohet se diplomatët kanë thënë se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, aleati i Izraelit, kanë zhvilluar argumentime të gjata lidhur me terminologjinë, e cila do të implikonte se vetëm Izraeli ishte përgjegjës për vrasjet ose për fjalët që sugjeronin se aktivistët po ashtu bartnin përgjegjësi.

Në fund mbizotëruan argumentet e Shteteve të Bashkuara.

Ankaraja është veçanërisht e prekur, pasi shumica e të vrarëve raportohet se janë shtetas të Turqisë dhe qindra aktivistë të tjerë turq nga konvoji tash gjenden në burgjet izraelite. Po ashtu, është e bllokuar edhe anija e tyre turke.

Në deklaratën e miratuar thuhet se Këshilli i Sigurimit “kërkon” lirimin e menjëhershëm të anijeve dhe të civilëve, që mbahen nga Izraeli.

Këshilli kërkon që Izraeli të lejojë qasje të plotë konsullare, për t’i lejuar vendet e shqetësuara për t’i marrë kufomat e të vrarëve dhe personat e plagosur, si dhe për të siguruar dërgim të ndihmave humanitare nga konvoji për në Gaza.

Ministri i jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit, përdori fjalorin më të ashpër për ta dënuar ndërhyrjen e komandove izraelite në konvoj në ujërat ndërkombëtare. Turqia e kishte kërkuar mbledhjen e Këshilit të Sigurimit të OKB-së.

Minsitri Davutoglu, pos tjerash, tha:

“Kjo është e njëjtë me banditizëm dhe pirateri. Është vrasje e kryer nga shteti. Nuk ka arsyetime. Një shtet, që e ndjek këtë rrugë, e ka humbur legjitimitetin e tij si anëtar i respektueshëm i komunitetit ndërkombëtar”
.

Zëvendësambasadori izraelit, Daniel Carmon, u përgjigj duke e mbrojtur legjitimitetin e ndërhyrjes dhe vuri në pikëpyetje kredencialet e aktivistëve.

“Çfarë lloj i aktivistëve paqësorë përdor thika, shkopinj me maje, shtin me armë të vjedhura nga ushtarët dhe armë të tjera, për t’i sulmuar ushtarët, të cilët kanë hyrë në anije sipas së drejtës ndërkombëtare?"

"Çfarë lloj i aktivistëve humanitarë? Disa me histori terroriste të njohur, që e mbështesin Hamasin, një organizatë terroriste, që hapur e kundërshton zgjidhjen me dy shtete dhe bën ftesë për shkatërrimin e Izraelit”
, pyeti zëvendësambasadori izraelit në OKB, Daniel Carmon.

Por, dukej se vala e opinionit po shkonte kundër Izraelit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Ambasadori britanbik, Mark Layall Grant, tha se Izraeli duhet të japë shpjegime për disa çështje.

“Ekziston një nevojë e qartë për Izraelin që të veprojë me përmbajtje dhe në linjë me obligimet e tij ndërkombëtare".

"Duke pasur parasysh numrin e viktimave në këtë incident, Izraeli tash e bart përgjegjësinë për të paraqitur tërë atë që ndodhi, çfarë përpjekjesh janë bërë për minimizimin e humbjes së jetëve dhe përse numri i të vrarëve ishte aq i lartë”,
tha ambasadori britanik, Grant.

Ai, më tutje, tha se situata në Gaza, që ishte nën bllokadën izraelite për gati katër vjet, është “e patolerueshme dhe e paqëndrueshme”.

Zëvendësambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Alejandro Wolf, e kritikoi përpjekjen nga flota e organizuesve për të lëvizur në bllokadën izraelite të Gazës.

Ai tha se furnizimi i drejtpërdrejtë me ndihma nga deti nuk është përkatës, as përgjegjës dhe sigurisht joefektiv nga pikëpamja e bllokadës.

Por, ai theksoi se Uashingtoni pret hetime të besueshme dhe transparente për atë se çka ka ndodhur. (f.b.)
XS
SM
MD
LG